Diplomat e Bujqësorit, studentët debat me Bejën
Studentët e Universitetit Bujqësor i kanë “refuzuar” diplomat e reja të shpërndara dje nga ministri Beja. Në ceremoninë e organizuar në Institutin Bujqësor të Tiranës, një grup i madh studentësh kanë ndaluar dhe kanë kërkuar shpjegime nga ministri i Arsimit për cilësinë dhe emërtimin e diplomës. Një debat ky i filluar që në Universitetin e Tiranës, por që duket se nuk ka gjetur zgjidhje akoma për Universitetin Bujqësor. Në fakt, studentët e Bujqësorit pas 5 vitesh shkollë janë të detyruar të marrin diploma sipas kartës së Bolonjës. Ata u ankuan dje përballë ministrit Beja, se në diplomën e tyre nuk është shënuar profesioni (titulli) për të cilën janë shkolluar. Për më tepër diploma nuk ka një fotografi dhe është lehtësisht e falsifikueshme për shkak të shënimeve me stilolaps mbi të. Studentët kanë hartuar një peticion për ministrin, një zgjidhje ekstreme kjo, për shkak të pamundësisë së negocimit. Ky është brezi i fundit që përfundon shkollën me sistemin e vjetër, pra 5 vite studime. Sipas të dhënave, 100 studentë nuk i tërhoqën diplomat për shkak të këtij problemi dhe deklaruan se do vazhdojnë edhe me protesta deri sa të miratohet ndryshimi i diplomës.