E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pas Trebickës, Delijorgji tregtoi fishekë për SHBA”

 

Fatos Mahmutaj

Dëshmia e komandantit të bazës ajrore të Rinasit, e administruar në dosjen “Gërdeci”, sjell fakte të reja të panjohura më parë për tregtinë e fishekëve nga Shqipëria në Afganistan me fondet amerikane. Thanas Kuleçi ka dëshmuar se pas largimit të Kosta Trebickës nga aktiviteti i ripaketimit të fishekëve që hiqeshin prej arkave të drurit e hekurit dhe futeshin në kuti kartoni, në lojë ka hyrë Dritan Minxolli, ish-drejtori i emëruar nga Mihal Delijorgji në fabrikën e demontimit në Gërdec. Largimi i Kosta Trebickës nga ky transaksion është pasuar me angazhimin e punëtorëve të drejtorit të Delijorgjit, Dritan Minxolli. Më poshtë dëshmia e ushtarakut:
Procesverbal i marrjes në pyetje të Thanas Kuleçit, mbajtur më datë 23 prill 2008, nga oficeri i Policisë Gjyqësore, P. Vatoci.  
Unë jam në detyrën e Komandantit të Rrethit të Detashmentit numër 3360 Rinas, aktualisht bazës ajrore Rinas, detyrë që e ushtroj prej tre vjetësh.
Pyetje: A mund të na shpjegoni marrëdhënien tuaj si repart me ndërmarrjen MEICO në lidhje me aktivitetin e zhvilluar në vitin 2007 në hangarin e repartit tuaj për ambalazhimin dhe paketimin e municioneve?
Përgjigje: Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, numër 576, datë 27 prill 2007 dhe në zbatim të fonogramit të Komandantit të Forcës së Bashkuar, datë 28 prill 2007, unë jam urdhëruar për të organizuar depozitimin dhe ruajtjen e municioneve që do të përpunohen nga ndërmarrja MEICO, duke filluar nga data 28 prill 2007 në hangarin e avionëve në Rinas.
Më pas mua më ka ardhur shkresa numër 741/574, datë 27 prill 2007 e ndërmarrjes MEICO, ku është urdhëruar lejimi i personelit të ndërmarrjes MEICO për hyrje në ambientet e repartit për përpunimin për eksport të municionit si dhe i përfaqësuesve të firmës blerëse, shtetas i huaj.
Mbi këtë bazë unë kam nxjerrë leje-hyrjeje për personelin sipas kërkesës së drejtorit të MEICO, Ylli Pinari.
Ndërkohë më datë 8 maj 2007, me shkresë numër 809/574, nga ndërmarrja është kërkuar lejimi i hyrjes së punëtorëve dhe automjeteve në hangarin për përgatitjen e municionit për eksport. Në këtë listë janë emrat e 22 personave dhe targat e dy automjeteve.
Në këtë bazë nga ana ime është urdhëruar lejimi i hyrjes së punëtorëve të kërkuar në shkresën e MEICO, sipas një procedure me leje ditore që merreshin nëpërmjet oficerit të rojës në postbllokun numër dy.
Që para ardhjes së punonjësve civilë në hangar ishte depozituar një sasi municioni ardhur nga reparte të ndryshme me mjete ushtarake, duke i marrë në dorëzim nga përfaqësuesi i MEICO-s. Ne si repart kishim për detyrë ruajtjen e këtyre municioneve, ku çdo ditë mbahej procesverbal nga përfaqësuesi i MEICO-s dhe komandanti i truprojës. Në çdo procesverbal pasqyrohej seria e paletave që verifikohej edhe në mëngjes kur fillohej puna.
Më datë 8 maj 2007 është filluar puna nga punëtorët, të cilët bënin hapjen e kutive të drurit dhe kutitë metalike me municion i futnin në kuti kartoni, të cilat bashkoheshin në paleta me një sasi të përcaktuar peshe dhe lidheshin me plastmas.
Kur vinte avioni për tërheqjen e municionit, unë merrja dijeni me qëllim që të hapeshin dyert e rrethimit të aeroportit për të afruar paletat me municion deri tek avioni, gjithmonë në prezencë të përfaqësuesve të MEICO-s.
Kur bëhej ngarkesa vinte gjithashtu dhe përfaqësuesi i firmës blerëse, Aleks Podrizki, në shoqërinë e përfaqësuesve të MEICO-s. Para se të vinin punëtorët në repart ka ardhur drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, së bashku me shtetasin Kosta Trebicka, i cili ishte përfaqësuesi i firmës që do të bënte paketimin e municioneve.
Ylli Pinari më sqaroi se Kosta Trebicka është përfaqësues i firmës që do bëjë paketimin dhe do të sjellë punëtorët që të fillojnë punën.
Atë ditë unë së bashku me Ylli Pinarin dhe Kosta Trebickën kemi shkuar te hangari ku ishte përcaktuar vendi për paketimin e municioneve për të parë vendin konkretisht, ku u përcaktua vendi ku do të punohej.
Më vonë kjo firmë ka sjellë nëpërmjet mjeteve që ishin miratuar lejet e hyrjeve, kutitë e kartonit për ambalazhim municionesh dhe disa karroca metalike, zjarrfikëse të vogla dhe plastamasë për lidhje.
Kjo punë ka vazhduar e përditshme përveç ditëve të diela deri më datë 25 maj 2007, ku me urdhër të komandës eprore është ndërprerë aktiviteti i paketimit për shkak të masave të marra për vizitën e presidentit të SHBA, ku urdhërohej gjithashtu edhe boshatisja e hangarit. Në zbatim të këtij urdhri është ndërprerë puna dhe është boshatisur hangari, ku municioni është eksportuar.
Deri më datë 19 qershor 2007 nuk është zhvilluar më aktivitet në hangar, ku në këtë datë me shkresë numër 1266/574 të MEICO-s është kërkuar leje për hyrjen në repart të një liste punëtorësh dhe mjetesh të ndryshme nga ajo e para për të zhvilluar dhe vazhduar aktivitetin e përgatitjes së municioneve për eksport.
Në këtë kohë, Ylli Pinari ka ardhur së bashku me shtetasin Dritan Minxolli, të cilin ma ka prezantuar si përfaqësuesin e firmës që do të bënte paketimin e municioneve, i cili kishte emrin në listën e personave që kishte dërguar MEICO për leje-hyrje.
Mbi bazën e shkresës së MEICO-s unë kam miratuar leje-hyrjet e personave që kishte kërkuar MEICO.
Ndërkohë theksoj se ka filluar ambalazhimi i municioneve dhe eksportimi i tyre me të njëjtën procedurë që shpjegova më sipër.
Për një periudhë kohe unë kam konstatuar që punëtorët i hapnin fishekët nga arkat metalike dhe i paketonin në kuti kartoni.
Theksoj se Dritan Minxolli vinte më rrallë në repart, e kryesisht kur sillte kuti kartoni e mallra të tjerë që duheshin për paketim. Ky aktivitet ka vazhduar deri rreth fillimit të muajit shtator, kur Ylli Pinari na ka thënë që nuk do vazhdonin aktivitetin këtu, por do i paketojë në një vend tjetër.
Mungon gjysmë faqe...
Avioni për ta marrë dhe në këto kushte ndërmarrja MEICO ka lënë në ruajtje këtë sasi municioni në hangar deri më datë 2 prill 2008, kur është tërhequr nga MEICO, ashtu siç ishte përcaktuar dhe mesa kam dijeni është dërguar në Qafë-Mollë. Për këtë sasi municioni që nuk u eksportua unë nuk kam dijeni për arsye se përse nuk u eksportua. Por di që rreth muajit tetor kanë ardhur në repart disa shtetas amerikanë...
Mungojnë 5 faqe të plota
Cila është lejuar për marrjen e tyre në mjet. Theksoj se ditën që kanë bërë protestë te dera e repartit, punëtorët e firmës së Kosta Trebickës janë filmuar nga televizione të ndryshme..
Kam për të thënë se municionet që vinin për paketim silleshin me mjete ushtarake të shoqëruara nga magazinieri i repartit nga vinte malli dhe policia ushtarake ndërkohë që i merrte në dorëzim përfaqësuesi i MEICO-s.
Me sa kam parë në kohën që është punuar dhe kur kanë ardhur shtetasit amerikanë aty janë paketuar fishekë 7.62 mm model 56.
Sa thashë janë fjalët e mia, të cilat i lexoj, i gjej të rregullta dhe i nënshkruaj pa vërejtje.

Letra anonime: Në Gërdec vunë dy bomba me sahat
TIRANE – Një letër anonime për ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, e cila ndodhet në dosjen “Gërdeci”, hedh dritë mbi teoritë konspirative lidhur me ngjarjen e rëndë që u mori jetën 26 personave. Zyrtarisht, sipas Prokurorisë, tragjedia ka ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët ushtarake gjatë demontimit të predhave. Konkretisht sipas ekspertimit në vendin e ngjarjes, shkak i shpërthimit ka qenë një karrocë e salduar, e cila është ngarkuar me barut kur ishte e nxehtë. Megjithatë, shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me nr. 224/1 e datës 25.03.2008, pra vetëm dhjetë ditë pas tragjedisë në Gërdec, jep një ide tjetër për këtë ngjarje. “Në adresë të ministrit të Brendshëm, zotit Bujar Nishani, ka ardhur një letër anonime, në përmbajtjen e së cilës hidhen dyshime për veprime të qëllimshme kriminale në ngjarjen e ndodhur në fshatin Gërdec më 15.03.2008. Sipas burimit anonim, ndër të tjera thuhet: “...në mëngjesin e datës 15.03.2008, në fabrikën e Gërdecit, në mesin e predhave janë vendosur dy mina me sahat. Personat që kanë dijeni për minat e tragjedisë janë shtetasit E.K. dhe A.K., përkatësisht vëllai dhe djali i shtetasit N.K....”: “....Pasi vunë minat, E ka marrë rrugën drejt Elbasanit, ndërsa A drejt Shkodrës...”. Megjithëse informacioni është anonim dhe i pakonfirmuar, kemi mendimin që të verifikohen numrat e telefonave dhe materialet e këtyre dy shtetasve për datat 14 dhe 15 mars 2008 si dhe zonat ku ata kanë folur e me cilët numra kanë komunikuar. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kryekomisar Ahmet Prençi”. Kjo është përmbajtja e letrës, e cila është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi. Letra e dërguar ministrit të Brendshëm është anonime, ndërsa policia menjëherë ia ka përcjellë Prokurorisë, me qëllimin për të ndihmuar hetimin e ngjarjes. Në dosjen “Gërdeci” nuk ka dokumente që tregojnë se kjo pistë është verifikuar me pyetjen e personave të përmendur në letrën anonime apo veprime të tjera. Në ditët e para të hetimit, pak kohë pas tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme pati deklaruar se akti i qëllimshëm ishte një nga pistat e hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›