E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomat e juristëve, zgjidhet ngërçi me Ministrinë e Arsimit

 

Çështja e diplomave të 1500 studentëve, të Fakultetit të Drejtësisë, tashmë është zgjidhur. Diplomat e tyre, do të regjistrohen, ndërkohë që i është dërguar shkresa zyrtare shkollës së Magjistraturës, për t’i njohur ato. Ministri i ri  Myqerem Tafaj ka zgjidhur ngërçin me anë të një urdhri të posaçëm. Këtë konfirmoi dje Ministria e Arsimit, por edhe rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule. Sipas tij, studentët e sapo diplomuar, do të mund të futen në konkursin e magjistraturës në datën 22 shtator. Me vendimet e fundit që ka marrë ministri i sapoardhur në detyrë, do të ketë një klimë bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve publike. “Dita e punës së ministrit filloi mbarë, në mbështetje të aktivitetit kërkimor kaq të rëndësishëm për universitetet. Gjatë ditës së djeshme kemi marrë vesh që është marrë një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mbështetje të studentëve që fillojnë mësimin dhe të atyre që kanë mbaruar. Pra, unë e kam uruar si rektor i UT-së ministrin dhe kam bindjen që do të bashkëpunojmë fuqishëm për të realizuar programet tona”, deklaroi dje gjatë konferencës për  “Menaxhimi i Ndotjes së Mjedisit dhe Mbrojtja e tij”. Prej disa ditësh studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë e në rrethe kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›