PNUD: Shqipëria e dyta në botë për investimet e huaja direkte
Investimet e huaja direkte kanë pësuar rritje të ndjeshme. Sipas të raportit më të fundit të ndërkombëtarëve, Shqipëria renditet ndër vendet që pavarësisht krizës globale, vëllimi i investimeve të huaja direkte ka qenë i lartë. Raporti i përgatitur nga Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), mbi investimet e huaja para dhe gjatë krizës ekonomike, që u prezantua dje në Tiranë, e rendit Shqipërinë pas Armenisë në rritjen e IHD-së në vitin 2008, duke shënuar 45% rritje në investimet e huaja direkte. Sipas raportit: “Në Europën Juglindore, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë pasur një zhvillim pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte vetëm në vitin 2008, përkundrejt vitit 2007. Krahasuar me ekonomitë në tranzicion në mbarë botën, Shqipëria mban rekord, pas Armenisë, në rritjen e IHD-së në vitin 2008, duke shënuar 45% rritje në investimet e huaja direkte”. Sipas këtij raporti, rritja domethënëse e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, sikurse në vendet e tjera në rajon, bazohet kryesisht në “privatizimin e kompanive të mëdha që më parë ishin në pronësi të shtetit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit”, nënvizon raporti në kapitullin e tij që fokusohet në rajonin e Europës Juglindore. Raporti ndër të tjera evidenton se, “sfida më e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e rajonit është e ardhmja e këtyre privatizimeve në rritjen e vendeve të punës dhe performancës së vendit”. Gulden Turkoz-Cosslett, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së tha dje se, “reformat e fundit të qeverisë, si privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, synuan tërheqjen e investimeve të huaja dhe kanë ndihmuar Shqipërinë të arrijë një nivel të lartë të shifrave të IHD-së në vitin 2008. ”. Në takimin e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm dhe zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozo, i cili i vlerësoi treguesit e raportit si dëshmi reale e hapave konkretë që ka hedhur ekonomia shqiptare në zhvillimin e biznesit, infrastrukturës dhe sektorët e tjerë që kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit.