E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, rëndë dy të prekur

 

Dy pacientë të prekur nga virusi A/H1N1 ndodhen në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin Infektiv. Personat, të cilët po trajtohen intensivisht në reanimacionin e spitalit janë të moshës 29 dhe 51 vjeç, ndërsa mësohet se vuajnë nga sëmundje kronike të rrugëve të frymëmarrjes. Aktualisht në vendin tonë nuk është regjistruar asnjë viktimë nga gripi i derrit, ndërkohë që disa prej të prekurve janë shëruar plotësisht. Por risku është gjithnjë e më i lartë sidomos për personat që vuajnë nga një sëmundje kronike. Tek ata nëse infektohen virusi bëhet më shumë agresiv. Aktualisht numri i mostrave të marra nga Instituti i Shëndetit Publik ka kaluar të 770 vetët. Sipas buletinit të fundit mbetet i ulët numri i mostrave të marra për moshën pediatrike. Kjo në një kohë që infeksionet respiratore janë më të shpeshta pikërisht në këto grupmoshë. “Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologëve në të gjithë vendin që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grupmoshë”, thuhet në buletinin e ISHP. Sakaq dy raste të reja dyshohen si të prekur nga gripi i derrit në vendin tonë. Ata kanë pasur komplikacione të sëmundjes. Pritet vetëm konfirmimi nga laboratorët e Rumanisë për t’i shtuar në listën zyrtare të së prekurve. Këtë bën me dije Instituti i Shëndetit Publik. “Kemi një rast të mundshëm për Grip A në Spitalin Pneumoftiziatrik dhe një rast të mundshëm në Spitalin Pediatrik, QSUT”, thuhet në buletinin e fundit të ISHP. Nga të infektuarit e deritanishëm, 13 persona kanë pasur komplikacione. “Rastet kanë qenë të grupmoshave 48-63 vjeç (5 raste), 25-35 vjeç (3 raste), 1 rast 14 vjeç, 1 vjeç (2 raste) dhe nën 12 muaj (2 raste)”, saktëson buletini. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›