E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët pa mesatare hyjnë forcërisht në universitet

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Të rebeluar nga indiferenca e rektoratit, studentët që nuk pranohen të regjistrohen për shkak të mesatares janë futur me forcë në ambientet e universitetit “Ismail Qemali”.Dje ishte dita e fundit e regjistrimit dhe askush prej tyre nuk është në dijeni nëse ata do të ulen këtë vit në auditorë ose jo. Ata pritën me shpresë të një përgjigjeje zyrtare nga ana e universitetit, pasi ishin informuar se Ministria e Arsimit i kishte dërguar një urdhër këtij universiteti për të filluar regjistrimin edhe të studentëve, të cilët e kanë mesataren e shkollës së mesme nën 6. Fillimisht studentët e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, bashkë me prindër të tyre kërkuan takim me përfaqësues të universitetit për t’u sqaruar në lidhje me vendimin sipas tyre absurd, që i përjashtonte ata nga regjistrimi përfundimtar ku më pas të mund të uleshin në auditorët e fakulteteve. Ata dje ishin të interesuar për të dëgjuar nga ana e rektoratit nëse kishte mbërritur urdhri i ministrit të sapoemëruar të arsimit. Por askush nuk iu dha përgjigje, ndonëse pritën me orë të tëra në oborrin e universitetit. Ata pritën para derës kryesore deri në orën 14:00, atëherë kur edhe pedagogët nisën të largoheshin një e nga një. Tentativa e tyre për të pyetur ndonjërin gjatë rrugës rezultoi sërish e kotë, pasi të vetmen përgjigje, që arritën të marrin ishte një ngritje supesh nga ana e tyre. Tepër të irrituar nga mosdhënie e një përgjigje, por edhe indiferenca e pedagogëve dhe e stafit të universitetit, studentët vendosën të hapin me forcë portën hyrëse të saj. Por kur u gjendën në ambientet e brendshme, ata konstatuan se i gjithë personeli e pedagogët ishin larguar. Askush nuk ndodhej brenda e për pasojë, ata nuk mundën të flasin me askënd për këtë problem që ka nisur prej pak ditësh. Megjithatë, studentët arritën të ruanin më pas qetësinë e të dilnin në një vendim të përbashkët, pa dëmtuar asgjë brenda universitetit. Sot ata do të nisen drejt Tiranës, ku do të kryejnë një protestë para Ministrisë së Arsimit. Universiteti i Vlorës vendosi që të përjashtojë nga regjistrimi të gjithë studentët, që nuk arrinin mesataren gjashtë duke e argumentuar këtë me faktin e ruajtjes së kualitetit. Ky vendim u mor për shkak se universiteti është i pakënaqur me nivelin e studentëve, të cilët ulen në auditorë.
Ministri i arsimit Myqerem Tafaj deklaroi dje se asnjë maturanti që ka fituar shkollën e lartë nuk do t’i hiqet e drejta e regjistrimit. Urdhrin zyrtar ai e ka nisur tashmw në të gjitha universitetet. “Ashtu siç e kemi deklaruar, lista e kandidatëve që ka nxjerrë Agjencia e Pranimit në shkollat e larta, për fazën  e parë, është listë zyrtare dhe është e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo Institucion i Arsimit të Lartë publik. Unë e bëra deklaratën dhe të jeni të sigurt që rektori i Universitetit të Vlorës do të bashkëpunojë me Ministrinë dhe nuk do mbetet asnjë student i paregjistruar”, tha Tafaj. Ai shtoi se do të investohet në standardizimin e maturës shtetërore. “Standardizim do të thotë që çdo gjimnazist shqiptar të ndihet i barabartë me bashkëmoshatarët në Evropë, çdo student shqiptar të ndihet i barabartë me bashkëmoshatarët në Evropë dhe më gjerë”, theksoi ministri i Arsimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›