Prifti: Brenda dy vjetësh nis tregtimi në bursën e Tiranës
Fabiola Çela
Brenda dy vjetësh do të nisë funksionin bursa e Tiranës.
Kështu është shprehur dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë një takimi me drejtuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Gjatë takimit të tij të parë me biznesin, Prifti deklaroi se agjencia e investimeve të huaja do të kthehet në një shërbim me një sportel për investitorët e huaj.
Prioritetet
Ditën e tij të parë të punës si ministër i METE-s, Prifti e ka nisur me një takim pune mes biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë. “Zgjodha Dhomën Amerikane të Tregtisë si një partnere mjaft e mirë e Ministrisë së Ekonomisë dhe si një organizatë që ka spikatur mes organizatave të tjera dhe e ka sjellë programin e qeverisë në mënyrë që të ketë mundësi të na monitorojë gjatë gjithë mandatit tonë për premtimet që i kemi bërë biznesit”, u shpreh ai. Gjatë takimit të djeshëm, ministri i Ekonomisë ka bërë të njohur përpara shtypit programin e ministrisë që ai do të drejtojë gjatë këtij mandati. Sipas tij, reforma strukturore në sektorin e ekonomisë për t’ia bërë më të lehtë jetën biznesit, është një nga objektivat e para. Albinvest nga një agjenci për promovimin e biznesit do të kthehet në një agjenci one stop – shop në shërbim të investitorëve të huaj. Albinvest do të kthehet në një sportel të vetëm për të gjitha problemet, që nga marrja e lejes e deri tek çdo autorizim i mundshëm që do të ketë nevojë biznesi i huaj. Jo vetëm kaq, por brenda dy vjetëve pritet që të hapet për herë të parë Bursa e Tiranës, e cila do t’i vijë mjaft në ndihmë biznesit vendas dhe atij të huaj. “Bursa do t’i vijë mjaft në ndihmë biznesit dhe do t’i japë vlerë investimeve të kryera”, tha Prifti gjatë takimit. Dialogu i ministrit Prifti dhe Presidentit të Dhomës Amerikane ka qenë mjaft i frytshëm dhe ka patur në qendër forcimin e marrëdhënieve të biznesit me instancat drejtuese të qeverisë. Fillip Bay i ka kërkuar ministrit të Ekonomisë më shumë mundësi për dialog konstruktiv dhe ka marrë prej tij premtimin se për çdo çështje të rëndësishme që do të ketë biznesi dhe në veçanti Dhoma Amerikane e Tregtisë, ai do të gjejë kohën për të organizuar një takim brenda 24 orëve. Shqipëria është edhe vendi i vetëm në Europë që nuk ka një bursë për listimin e kompanive, ndaj dhe hapja e saj përbën një lajm të mirë. Odiseja e Bursës së Tiranës ka nisur që në vitin 1996. Fillimisht ajo ka funksionuar si departament pranë Bankës së Shqipërisë. Për një periudhë tranzitore disavjeçare, bursa u organizua si treg i drejtuar nga porosia dhe aktiviteti i saj bazë, konsistonte në tregtimin sekondar të bonove të thesarit dhe të 5 obligacioneve qeveritare.