E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e matures te paret ata qe studiojne jashte

Të parët që do të pajisen me diplomën e re të maturës do të jenë të rinjtë që do të aplikojnë në universitetet jashtë vendit. Do të jenë 4500 të rinj që këtë të mërkurë do të marrin këtë dokument të rëndësishëm. Ndërsa ata që do të ndjekin arsimin e lartë në Shqipëri, do të pajisen me diplomën e re pas shpalljes së rezultateve të provimeve me zgjedhje.

“Ne jemi në procesin e prodhimit të diplomave për 4500 studentë që mendohet të aplikojnë për të vazhduar studimet e larta jashtë shtetit. Disa prej ambasadave të huaja, veçanërisht ajo gjermane kam dëgjuar kanë disa kufi mjaft të afërta me procesin e korigjimit dhe të vlerësimit të provimit të maturës gjë që ka qenë një lloj stresi për agjencinë që t’i përgjigjet në kohë studentëve dhe të japë diplomat”-tha Petraq Papajorgji, Drejtor i Agjencisë së Provimeve.

Kjo diplomë që jepet për herë të parë në vendin tonë, ka elementë të lartë sigurie. Letra e saj është e veçantë si ajo e letrave me vlerë. Madje ajo edhe shtypet në të njëjtën shtypshkronjë.

“Diplomat kësaj rradhe kanë elemente sigurie. Po t’i shikosh me dritë ultra violet del shenja e ministrisë së arsimit, pra, është shtypur në një letër me vlerë speciale, gjë që e bën falsifikimin e saj mjaft të vështirë. Përveç kësaj ka dhe një element tjetër sigurie që për çdo student kemi numrin e matrikulit të shkollës së mesme dhe kur shkojnë në universitet është po ai numër që do ta ndjekë studentin gjatë jetës studentore”-theksoi ai.

Nuk kanë qenë të pakta rastet gjatë këtyre viteve, kur policia ka arrestuar falsifikues të diplomave apo dëftesave të pjekurisë. Me dokumentin e ri që konsiderohet si i një sigurie të lartë, synohet gjithashtu integrimi me institucionet arsimore europiane, të cilat lëshojnë diploma thuajse të pafalsifikueshme.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›