E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e reja, MASH: Nuk do t‘i ndryshojmë

Ministria e Arsimit është e vendosur që pavarësisht protestave të studentëve të Gazetarisë dhe disa fakulteteve të tjera, të mos e ndryshojë modelin e diplomës së ciklit të parë të studimeve. "Sipas ligjit shqiptar dhe Marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës universitare përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer dhe jo titullin profesional. Shqipëria do të mbajë të njëjtin standard si të gjitha vendet e BE-së, do të ecë përpara drejt konvergimit evropian dhe nuk do t‘u kthehet më modeleve të së shkuarës", janë shprehur dje përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Ata kanë theksuar faktin se MASH kupton drejt dhe mbështet shqetësimin e studentëve për punësim me diplomat e marra pas tri vjet studimesh, ndërsa kanë shtuar se "diploma e tyre është tërësisht e vlefshme për të gjetur punë në Shqipëri, dhe në sajë të standardeve të Bolonjës, edhe jashtë saj, në të njëjtën mënyrë e hapësira në treg, si edhe studentët që kanë diplomën pas tri vjet studimesh Bachelor në vendet e BE-së". Për përfaqësuesit e ministrisë, standardi i Bolonjës, i vendosur për emërtimin e diplomës sipas nivelit dhe fushës së studimit të kryer, është më i mirë se standardi i vjetër, sepse krijon shanse më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë. Për këtë qëllim, thonë ata, krahas diplomës çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer, të dobishme për mundësitë konkrete të punësimit.

Nga ana tjetër, edhe dje përpara dyerve të Ministrisë së Arsimit kanë vijuar protestat e studentëve të Gazetarisë, të cilët kanë kërcënuar deri me bojkotim të mësimit. Ata janë mbështetur edhe nga të rinjtë që studiojnë në Universitetin Politeknik në Tiranë, që kanë të njëjtin problem me diplomat e tyre. Në krah të të rinjve janë rreshtuar edhe përfaqësuesit e këshillave studentorë të disa fakulteteve të Universitetit të Tiranës, që në një deklaratë të bërë pak ditë më parë kanë paralajmëruar një bojkot të përgjithshëm të mësimit. Në protestën e radhës, studentët kanë parodizuar me modelin e ri të diplomës për studimet e Bolonjës. Ata kanë hartuar një tip të tillë dokumenti të drejtuar virtualisht për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, që sipas tyre është përgjegjësi kryesor për problemin që shtrohet. Ndërkohë që çështja e modelit të diplomave të ciklit të parë të studimeve sipas sistemit të Bolonjës ka marrë përmasa edhe në Komisionin parlamentar të Medias dhe Edukimit. Kryetarja socialiste e këtij komisioni, Valentina Leskaj, ka kërkuar nga zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, që të rishikohet ky model dhe aty të vendoset titulli i studimeve të kryera nga këta të rinj. Por përgjigjja e numrit dy të ministrisë prezente në këtë komision ka qenë e prerë. Ajo është shprehur se titulli nuk është vendosur në këtë model diplome, pasi kështu është edhe shembulli i vendeve të tjera që aplikojnë sistemin e Bolonjës. Ndërsa ka sqaruar se kjo konsiderohet si një bonus për të rinjtë që kanë mundësi punësimi më të gjerë se sa thjesht të kenë të shënuar në diplomë titullin gazetar. Ish-ministri i Arsimit, Luan Memushi, nga ana e tij ka kërkuar që të gjendet një rrugë kompromisi mes palëve. E pavarësisht deklaratave dhe qëndrimeve pro dhe kundër, ata që presin me ankth në dyert e MASH-it janë të rinjtë, me shpresën se dikush do të pranojë kërkesat e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›