Shpëtoni Partizanin! Tifozët arkëtojnë 20 milionët e parë
Konkretizohet nisma e tifozëve të Partizanit për të ndihmuar skuadrën e tyre të zemrës, të kalojë këtë krizë financiare që ka prekur klubin. Më në fund janë hapur numrat e llogarisë bankare dhe janë derdhur edhe shumat e parë. Një gjë e tillë është konfirmuar nga vetë organizatorët, të cilët kanë njoftuar dje se është hedhur një tjetër hap në nismën "Shpëtoni Partizanin". Tani përveç kontributeve në gjimnaze, secili ka mundësinë të japë ndihmën e vet për Partizanin, duke përdorur llogarinë bankare të hapur për këtë nismë me emrin "Kontribute nga tifozët/Shpëtoni Partizanin" në bankën "Intesa Sanpaolo Bank Albania". Kjo llogari është hapur nga ideatori i kësaj nisme, Erjon Dake (Demi) dhe mbrojtësi i Partizanit, Luan Pinari. Janë dy numra llogarie: njëri për kontributet e tifozëve brenda Shqipërisë dhe tjetri për kontributet e atyre që aktualisht jetojnë e punojnë jashtë vendit. Lajmin e hapjes së llogarive bankare e ka konfirmuar edhe vetë mbrojtësi Pinari, i cili në dukje i kënaqur për nismën e tifozëve, ka theksuar se "jemi takuar sot (dje) me tifozë dhe kemi hapur numrat e llogarisë. Kjo nismë e tyre na rikthen besimin dhe na detyron që tashmë të japim jo 100, por 120% të mundësive tona në fushë". Por mbrojtësi i të kuqve, ka nënvizuar se nuk është në dijeni të shumës që është derdhur në këtë numër. Kjo pasi sipas tij, "tifozët nuk preferuan ta bëjnë publike shifrën, duke dashur ta mbajnë ‘sekret‘". Më pas Pinari shton se me shumë mundësi sot do të mësohet shifra reale e parave që kanë përfunduar deri tani në numrat e llogarisë bankare. Pikërisht dje, para hapjes së numrave të llogarisë bankare, organizatorët e nismës "Shpëtoni Partizanin" janë takuar me lojtarët për të bërë të njohur edhe procedurat që do të ndiqen. Sipas nismëtarëve të "Shpëtojeni Partizanit" nga "brenda Shqipërisë janë mbi 30 vetë që kanë ofruar kontributet e tyre, ndërkohë që nga jashtë kemi marrë konfirmime se janë të gatshëm të japin shuma nga 100 dollarë e sipër, nënvizoi njëri prej tyre. Presidenti Xhani nuk ka bëjë fare me nismën tonë. Ne do të bëjmë një takim me të, ku do t‘i bëjmë të ditur se atij do t‘i duhet të shlyejë sërish lojtarët për hesapin e tij". Kjo lë të kuptohet se shuma që do të përftohet nga kontributet vullnetare të tifozëve, nuk duhet të llogaritet në asnjë moment si shlyerje e rrogave, për të cilat lojtarët kanë në kontrata me klubin. Për atë duhet të mendojë vetë Xhani, në një moment tjetër, ndoshta kur kompanitë e tij të kenë lënë mënjanë krizën. Organizatorët e grupit nuk pranojnë të japin publikisht se sa kanë mbledhur, ndërkohë që nën zë mësohet se shuma e grumbulluar deri tani ka kapur shirën e rreth 20 milionë lekëve të vjetra. Lajmi për të dhënë "Kontribute për Partizanit", duket se ka prekur shumë të pasionuar pas kësaj skuadre. Kjo nismë e tifozerisë së Partizanit për të mbështetur financiarisht lojtarët e skuadrës së tyre të zemrës, të cilët nuk janë paguar që prej më shumë se 8 muajsh, shënon edhe një risi për mentalitetin shqiptar.