E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikonin drogë, pranga dy studentëve

DURRËS/ Policia ka prangosur 25-vjeçarin E.Stefanidhi dhe 21-vjeçarin R.Nikolla në Stacionin e Plepave


Të rinjtë dhe një i tretë ranë në kurthin e ngritur nga policia duke u paraqitur bashkë me drogën


DURRËS - Kanë përfunduar në pranga dy studentë të juridikut si dhe një i tretë pasi kanë tentuar t'u shisnin drogë agjentëve të policisë. Në pranga kanë përfunduar shtetasit E.Stefanidhi, 25 vjeç, nga Fieri, R.Nikolla, 21 vjeç, nga Përmeti, studentë të degës së juridikut në një universitet privat, si dhe 50-vjeçari Luan Halili, banor i Tiranës.


Të tre personat janë arrestuar në zonën e Plepave në Durrës, ndërsa kishin me vete dy çanta me një sasi prej 6,4 kilogram lënde narkotike të dyshuar si kanabis sativa.


Operacioni


Burime nga policia bëjnë të ditur se tre shtetasit janë lidhur me një të katërt për të shitur lëndën narkotike dhe kanë lënë si destinacion takimi zonën e Plepave në Durrës. Një informacion i tillë i servirurr nga policia i ka çuar ata drejt kurthit.


Kështu, teksa kanë mbërritur në qytetin bregdetar e pikërisht pranë vendit ku kanë lënë takimin, ata kanë parë një patrullë policie, çka i ka trembur duke i bërë që të zbresin nga automjeti në të cilin ndodheshin dhe të vijonin lëvizjen në këmbë, me drogën me vete.


Në momentin që i janë afruar patrullës, ata kanë tentuar të ktheheshin pas, por nga forcat e antidrogës që po i shoqëronin në distancë është bërë i mundur bllokimi i tyre, duke qenë edhe se kishin informacion të saktë lidhur me vendin se ku do të ndalonin tre të dyshuarit.


Arrestimi i tyre është bërë rreth orës 6 të mëngjesit. Në çantat sportive që ata kishin me vete ndodheshin 10 qese plastike, që kishin brenda lëndë narkotike të dyshuar si kanabis.


Specialistët dyshojnë se droga është marrë në jug të vendit, teksa destinacioni përfundimtar i saj ishte pikërisht zona e Plepave, ku tre personat pretendonin ta shisnin atë. Nga informacionet e marra mësohet se të gjitha bisedat telefonike të të arrestuarve kanë qenë nën kontroll çka ka bërë që arrestimi i tyre të ishte më i lehtë.


Policia


Në njoftimin e saj zyrtar policia ka njoftuar se "arrestimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se rreth orës 06:00 të mëngjesit janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë në lagjen 13 Plazh Durrës, e pikërisht në vendin e quajtur Stacioni i Plepave, me dy çanta sportive në të cilat ndodheshin 10 qese plastike me lëndë të dyshuar si narkotike të llojit kanabis sativa, e cila në total kapte peshën e 6445,8 gramëve".


Sipas policisë, pasi u kryen veprimet e nevojshme procedurale, ndaj tre të arrestuarve është ngritur akuza e "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›