E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëton nga vetëhelmimi, provon vetëvarjen me litar

DEPRESIONI/ 57-vjeçari nga lagjja "Muzakaj" u dërgua për të dytën herë brenda tri ditëve në spital


Berat - Brenda tri ditëve një shtetas nga lagjja "Muzakaj" ka tentuar dy herë t'i japë fund jetës. Fillimisht ka provuar vetëhelmimin, duke përdorur një dozë helmi, por prova e dhimbshme ka dështuar. Ai është shtruar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit dhe falë ndihmës së mjekëve i ka shpëtuar për mrekulli vdekjes.


Por ndjenja për t'i dhënë fund jetës ka qenë tepër e motivuar, ndaj ai ka provuar sërish dhe këtë radhë ka zgjedhur vetëvarjen në litar. Burime të policisë bëjnë të ditur se shtetasi Myqerem Beharaj, 57 vjeç, banor në lagjen "Muzakaj'' të qytetit në orët e para të mëngjesit të së enjtes ka tentuar t'i japë fund jetës duke u vetëvarur në litar në banesën e tij.


Në momentin që ai ka lidhur litarin në trarin e banesës dhe e ka vendosur në fyt, në dhomë ka hyrë një pjesëtar i familjes, i cili kur e ka parë i ka dhënë ndihmë, duke e shpëtuar nga vdekja.


Familjari ka pasur vështirësi, ndaj ka kërkuar edhe ndihmën e pjesëtarëve të tjerë të familjes, të cilët kanë ardhur menjëherë dhe kanë bërë të mundur heqjen e litarit nga fyti i 57-vjeçarit. Menjëherë ai është transportuar për në spitalin e qytetit ku ka marrë ndihmën mjekësore.


Burime nga spitali bëjnë të ditur se ky person dy ditë më parë kishte pirë një sasi helmi dhe i ka shpëtuar vdekjes për mrekulli. Tashmë ai ka kërkuar me insistim vdekjen dhe ka tentuar që këtë radhë t'i japë fund jetës duke u vetëvarur. Gjendja shëndetësore e 57-vjeçarit është shumë e rëndë. Grupi hetimor ka kryer hetimet e radhës duke dalë në përfundimin se 57-vjeçari vuan nga depresioni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›