Diplomatët e huaj brenda dhe jashtë Kosovës përgëzojnë arritjet
Diplomatët e huaj e kanë përshëndetur një vjetorin e Kosovës së pavarur. Përfaqësuesit e vendeve që e kanë njohur pavarësinë që pak orë pas shpalljes së saj më 17 shkurt 2008 kanë përshëndetur punën e kryer deri tani. Shtetet e Bashkuara përshëndetën përpjekjet e popullit e të qeverisë së Kosovës për nxitjen e qëndrueshmërisë në rajon dhe për të bashkëpunuar pa dallime etnike e fetare për krijimin e një të ardhmeje të sigurt e të begatë. “Sekretarja e Shtetit mirëpret ardhjen e presidentit dhe të kryeministrit të Kosovës në departamentin e shtetit më 26 shkurt për të riafirmuar zotimin amerikan të miqësisë dhe mbështetjes për Kosovën”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Gordon Duguid. Ndërkohë Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner ka uruar popullin e Kosovës me rastin e 1-vjetorit të pavarësisë. Ai e ka konsideruar pavarësinë si zgjidhjen e duhur, që ka ndikuar edhe në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. “Pavarësia ka kontribuar në qetësimin e tensioneve brenda Kosovës dhe ne Ballkan”, tha pohuar Kushner duke vlerësuar edhe punën e shtetit të Kosovës gjatë një viti pavarësi, ku shprehu bindjen se në të ardhmen Serbia do të mbajë një qëndrim të ndërgjegjshëm. Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit Sejdiu. Edhe Shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile, Piter Feith, dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit në Kosovë, kanë përgëzuar udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.