E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët me rezolutë kundër Kosovës, “pavarësia e pavlefshme”

 

Kuvendi ilegal i komunave të banuara me serbë, miratoi dje një deklaratë në formë rezolute, e cila shpalli “të pavlefshme” pavarësinë e Kosovës. Takimi i serbëve në fshatin Zveçan në veri të Kosovës u bë me qëllim në ditën e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, që ishte parashikuar të festohej në mënyrën më të gëzueshme dhe të qetë për të gjithë qytetarët e saj. Kuvendi i serbëve, siç ishte parashikuar, zgjati deri në orët e pasdites dhe në të u miratuan dy dokumente. Në të parin thuhet se pavarësia e Kosovës është një akt ilegal dhe i pavlefshëm si dhe të gjitha dokumentet e tjera që burojnë pas saj brenda territorit të Kosovës. Dhe në dokumentin e dytë jepet zotimi se Kosova do të kthehet brenda territorit serb dhe nuk do të lejohet cenimi i integritetit territorial të Serbisë. Në kuvend ishin të pranishëm edhe 80 deputetë të Kuvendit të Serbisë e ministra të Qeverisë serbe, ardhjen e të cilëve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Kryetari i Kuvendit të komunave serbe, Radovan Niçiç, ka lexuar deklaratën, në të cilën, përveç të tjerash, garantohet, siç thuhet, sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit serb. Deklarata vë në pah se mbështet Rezolutën 1244, sipas së cilës Kosova mbetet pjesë e Serbisë. “Miratojmë deklaratën e konfirmimit të statusit kushtetues të Kosovës në Serbi dhe hedhjes poshtë të të gjitha akteve të njëanshme dhe separatiste të institucioneve të përkohshme në Prishtinë mbi pavarësinë e krahinës”, tha Niçiç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›