“Shqipëria të konsultohet me BE para aplikimit”
Nga i dërguari ynë në Slloveni
Shqipëria duhet të konsultohet me të gjitha vendet e BE-së përpara se të vendosë të aplikojë për marrjen e statusit kandidat. Deklarata vjen nga presidenti i njërit prej vendeve anëtare të BE-së, Danilo Turk i Sllovenisë.Në një intervistë vetëm pak ditë përpara se të vizitonte Tiranën, kreu i shtetit slloven flet për marrëdhëniet mes dy vendeve, rrugët e bashkëpunimit dhe situatën në rajon. Danilo Turk është i treti president i Sllovenisë, që pasi Lubjana shpalli pavarësinë nga ish-Federata Jugosllave. Në qershor të vitit 2007 ai shpalli kandidaturën për president, duke qenë i pavarur. Në raundin e parë të zgjedhjeve nga populli, në 21 tetor 2007, Turk u rendit i dyti me 4% më pak se kandidati i djathtë Lojze Peterle. Ndërkohë në raundin e dytë ai mori 68.2% të votave të sllovenëve, duke u bërë kështu presidenti i vendit anëtar të BE-së.
Zoti President, ju jeni në prag të një vizite në Tiranë. Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Sllovenisë?
Në përgjithësi, unë mendoj se këto marrëdhënie janë të shkëlqyera. Ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira politike. Ky është një moment i rëndësishëm për të dy vendet. Unë po përgatitem për vizitën time në Tiranë. Kjo do të jetë vizita ime e parë në këtë nivel. Ne më parë nuk kemi pasur vizita të shpeshta. Prandaj ky do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi problemet kritike në rajon dhe çështjet ekonomike. Unë do të shoqërohem nga një numër i madh biznesmenësh nga Sllovenia, që do të jenë të interesuar për të zhvilluar kontakte me partnerët e tyre ekonomikë. Bashkëpunimi ekonomik po ecën me ritme shumë të mira. Ka një interes të madh për të kryer investime në Shqipëri. Biznesi ynë është i interesuar të investojë në fusha të ndryshme, si në fushën e energjisë, ndërtimit dhe zhvillimit të tregtisë. Qëllimi i vizitës sime do të jetë eksplorimi i këtyre mundësive, si dhe fuqizimi i këtyre marrëdhënieve. Sllovenia është një nga vendet që e vlerëson rolin e shkëlqyer të Shqipërisë në stabilitetin e rajonit. Kjo është një gjë që duhet theksuar. Shqipëria ka luajtur shpesh rolin qetësues në disa situata të vështira, veçanërisht në Kosovë, por edhe gjatë periudhës së tensioneve në Maqedoni.
Shqipëria do të mbajë zgjedhje parlamentare në 28 qershor të këtij viti. Sa të rëndësishme mendoni se do të jenë këto zgjedhje për të ardhmen e vendit?
Ne në Slloveni i vlerësojmë zhvillimet demokratike që janë kryer në Shqipëri në dy dekadat e fundit. Ne duhet të kuptojmë që Shqipëria është një nga ato vende që ka përshkruar një rrugë të gjatë të kalimit nga regjimi shtypës, që ekzistonte në të kaluarën tek një sistem, ku mbizotëron demokracia, ku zhvillohen rregullisht zgjedhje. Mendimi im personal është se ky proces ka qenë shumë i suksesshëm. Megjithëse mund të ketë pasur kritika për zgjidhje të veçanta, ashtu siç mund të ndodhë që mund të ketë kritika dhe për zgjedhjet e ardhshme. Ne e kuptojmë këtë, por kjo është një pjesë e natyrshme e demokracisë, dhe Shqipëria ia ka dalë mbanë në këtë drejtim.
Keni një koment për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit?
Ballkani vazhdon të mbetet një rajon i komplikuar. Shumë nga problemet kërkojnë vëmendje ndërkombëtare. Një nga këto situata është Kosova, të cilën Sllovenia e ka njohur si një shtet të pavarur. Prania ndërkombëtare vazhdon të mbetet një moment kritik, por ne duhet ta kuptojmë që qëllimi primar i pranisë së ndërkombëtarëve atje është fuqizimi i institucioneve demokratike dhe vendosja e shtetit ligjor, në mënyrë që shteti ligjor dhe këto institucione të jenë solide. Mendoj se për këtë qëllim, misioni EULEX është një element i rëndësishëm i asistencës ndërkombëtare në Kosovë. Ai është vendosur tashmë atje dhe ne duhet të sigurohemi që ky mision të jetë i suksesshëm. Gjithashtu, nuk duhet të nënvlerësojmë rëndësinë e këtij misioni, dhe megjithëse nuk dëgjojmë aq shumë për këtë mision në ditët e sotme, ne nuk duhet të mendojmë se është më pak i rëndësishëm, apo që rëndësia e tij është zvogëluar.
Një çështje tjetër që duhet të vëzhgojmë është situata në Bosnje dhe Hercegovinë, ku tre partitë kryesore kanë rënë dakord për reformën kushtetuese, ku ndërkohë vendi operon me një kushtetutë që është pjesë e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në 1995. Një reformë e tillë duhet të kryhet nga forcat politike në vend, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk mund të drejtojë një proces të tillë, por vetëm mund të ndihmojë. Gjithçka varet nga vullneti politik i palëve. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë palët të mblidhen. Shpesh dëgjon zëra në Bosnje e Hercegovinë që sugjerojnë se integriteti territorial nuk është i garantuar, por unë dua të them se ky mendim duhet të kundërshtohet fuqishëm.
Megjithatë, çështjet e rajonit duhet të trajtohen në një mënyrë më të gjerë. Unë mendoj se vendet e rajonit kërkojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ne jemi plotësisht në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Parlamenti slloven votoi me unanimitet protokollin e Shqipërisë disa ditë më parë. Kjo votë nuk është vënë kurrë në dyshim asnjëherë, sepse qartësia e mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë ka qenë e plotë. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë, që do të ndikojë edhe në stabilitetin në rajon. Shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhë edhe për Kroacinë, por më parë janë disa procedura që duhet të kryhen, që Sllovenia të përfundojë procesin e ratifikimit. Por, pjesa kryesore është kryer. Ne mbështesim anëtarësimin e të gjithë vendeve në Bashkimin Evropian, por çdo vend ka një situatë të ndryshme dhe kritere të ndryshme për të plotësuar. Ne jo vetëm që jemi të gatshëm të nxisim vendimet e BE-së, por edhe jemi të gatshëm të ofrojmë këshillim individual për çdo vend nëse është e nevojshme.
Parlamenti shqiptar ka miratuar në dhjetor të vitit të kaluar një ligj për Lustracionin, që i referohet regjimit të kaluar. A keni informacion mbi këtë ligj?
Nuk kam informacion për atë ligj. Ai është ligji shqiptar për Lustracionin.
Ky ligj është kritikuar nga ndërkombëtarët, Këshilli i Europës, Parlamenti Evropian, Departamenti amerikan i Shtetit? A ka Sllovenia një ligj të tillë?
Jo, jo. Dua të them dy gjëra. E para, në Slloveni u diskutua për çështjen e Lustracionit. Në Slloveni pati një iniciativë për hartimin e një ligji për Lustracionin, por ideja e një ligji të tillë u kundërshtua, por ne nuk kemi këtë lloj ligji. Ne kemi një lloj tjetër ligji që përpiqet të ndreqë apo të shërojë padrejtësitë e së kaluarës. Sllovenia zbaton një ligj të 1997-ës që mundëson rigjykimin e çështjeve apo teknika të tjera që mund të ndreqin gabimet e së shkuarës. Por, ne nuk kemi vendosur të zbatojmë një ligj Lustracioni, pasi njerëz të caktuar mund të mos jenë në gjendje të kryejnë punë të ndryshme, dhe kjo nuk është mënyra e duhur për të vepruar. Ky është mendimi im personal, që është i njëjtë si 10 vjet më parë. E dyta, Evropa ka fituar një eksperiencë të mirë në këtë çështje dhe do të ishte mirë që Shqipëria të dëgjojë mendimin e tyre dhe të kryejë konsultime. Këshilli i Evropës është kthyer në një institucion të mirë të zbatimit të të drejtave të njeriut.
Shqipëria ka bërë të ditur se do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Nëse Tirana zyrtare do ta hedhë këtë hap, a do ta mbështesë Sllovenia një nismë të tillë?
Vendimi më i rëndësishëm për t’u marrë mbetet për palën shqiptare. Pasi një vend duhet të llogarisë me shumë kujdes momentin e aplikimit. Sigurisht, që kur Shqipëria do të vendosë të aplikojë, Sllovenia do ta mbështesë Shqipërinë dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë. Siç e kemi parë dhe në rastin e Maqedonisë dhe Malit të Zi, zgjedhja e momentit të duhur për të aplikuar nuk është një çështje aq e thjeshtë, pasi një vend i ardhshëm kandidat duhet të konsultohet me të gjitha vendet anëtare për të përcaktuar momentin e duhur. Unë do të sugjeroja që ju të kryenit këto konsultime. Por, ky është një vendim i qeverisë shqiptare dhe kur ky vendim të merret ne do t’ju mbështesim.
Presidenti slloven sot në Tiranë
Presidenti Danilo Turk do të vizitojë sot Shqipërinë me ftesë të homologut të tij, Bamir Topi. Turk do të mbërrijë në vendin tonë sot rreth orës 16:30 dhe në orën 17:00 do të zhvillohet ceremonia e pritjes në Pallatin e Brigadave. Në orën 17:10-17:25 është parashikuar takimi kokë më kokë mes dy presidentëve, i cili do të pasohet nga një takim prej 30 minutash mes dy delegacioneve. Në përfundim dy krerët e shteteve do të dalin para mediave në një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë ditës së dytë të vizitës në Tiranë, Presidenti Turk do të vendosë një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” dhe më pas do të takojë Kryeministrin Berisha, Kryetaren e Parlamentit, Topalli dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Rreth orës 13:00 ai do të vizitojë muzeun arkeologjik në Durrës dhe më pas do të marrë pjesë në forumin e biznesit mes dy vendeve.