E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët: Pas një viti Kosova e meritoi pavarësinë

 

tirane

Ndërkombëtarët e kanë vlerësuar si të suksesshëm “testin” njëvjeçar të pavarësisë së Kosovës. Kosova funksionoi si shtet, me gjithë problemet ekonomike dhe strukturore. Raportet e ndërkombëtarëve flasin për Kosovën dhe kritikat e funksionimit të saj në të njëjtën gjuhë dhe me të njëjtën terminologji si shtetet që kanë demokraci shumëvjeçare. Nuk ka ndodhur asnjë nga tmerret e parashikuara në Kosovë, pavarësia nuk ka provokuar luftëra në rajon, çdo gjë vazhdon me ritmin e zakonshëm e të qetë. Kosova festoi dje njëvjetorin e pavarësisë. Me flamuj e këngë në të gjitha qytetet e saj që në orët e mëngjesit të djeshëm deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, qytetarët kanë qëndruar në mes të të ftohtit në sheshe. Mbrëmja u finalizua me fishekzjarrë të hedhur para mesnate në Prishtinë dhe në qytete të tjera. 150 mijë euro janë shpenzuar për të përkujtuar në mënyrën më të mirë njëvjetorin e shkëputjes nga tutela e Serbisë. Rrugët në Prishtinë u mbyllën duke eliminuar trafikun dhe qindra mijëra qytetarë festonin shesheve. Restorantet dhe birraritë ofronin birrë dhe shampanjë falas. Tregtarë vendas kishin ‘pushtuar’ një pjesë të sheshit kryesor të Prishtinës “Nënë Tereza”, ku shisnin flamuj të Kosovës. Në listën e më të shiturve ishin edhe flamujt e Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara. Për të festuar njëvjetorin e pavarësisë në Kosovë kishte mbërritur edhe nipi i ikonës shqiptar të flamurit, Ismail Qemali. Ai vlerësoi se një vit më parë u realizua ëndrra e gjyshit të tij për një Kosovë sovrane. Qindra shqiptarë nga vendet e rajonit dhe nga Evropa kishin mbërritur në Prishtinë për të kujtuar ngjarjen e madhe. Aktivitetet diplomatike u hapën me një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku mbajtën fjalën Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Sejdiu akuzoi Serbinë për politikën e vjetër që po kthen në rajon. “17 Shkurti mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë, e cila brenda mban shumë dhimbje njerëzore dhe shkatërrime, por edhe akte dhe vepra të mëdha sublime dhe të paharrueshme. Aty gjenden edhe mijëra viktima që nuk janë të gjetura që nga qershori i vitit 1999”, tha Presidenti Sejdiu duke shtuar se, “Kosova kërkon marrëdhënie të mira me fqinjët. Serbia jo se nuk e pranon realitetin, por e lufton realitetin dhe synon të ndërhyjë në pjesë të caktuara të territorit tonë. Mendësia e urrejtjes nuk është zgjidhja e duhur”, u shpreh Sejdiu. Mediat e huaja e kanë vlerësuar njëvjetorin e Kosovës. Gazeta londineze “Financial Times” shkruan se Kosova feston përvjetorin e parë të pavarësisë dhe konstaton se nuk u realizuan frikat më të këqija që e shoqëruan shpalljen e shtetit të ri. Pavarësisht tensioneve që mbajnë të ndarë shqiptarët nga serbët, gjatë vitit të shkuar nuk ka pasur ndonjë shenjë serioze dhune apo valë refugjatësh, pohon FT. Megjithatë, siç pohojnë edhe liderët e Kosovës, vendi mbetet ende larg nga krijimi i një të ardhmeje të sigurt.

Opozita kritikon njëvjetorin e ‘Thaçit’

Opozita kosovare nuk ka munguar me kritika edhe përvjetorin e parë të pavarësisë, duke hedhur shumë dyshime mbi suksesin e qeverisë Thaçi gjatë një viti dhe numrin e njohjeve të arritura. “Ka shumë punë për të bërë që Kosova të jetë ajo që ka dashur ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën”, është shprehur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë homazheve që ka bërë para varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova. “17 shkurti është ditëlindja jonë e përbashkët, e së bashku duhet parë se ku jemi në ndërtimin e shtetit të Kosovës”, tha Haradinaj duke shtuar se, “ne duhet ta bëjmë shtetin tonë të qëndrueshëm, atdhe të mirëfilltë për të gjithë qytetarët e Kosovës, stabiliteti i të cilit do të hapë rrugën për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›