E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana përshëndet pavarësinë e Kosovës

 

Tirana zyrtare përshëndet Kosovën në vitin e saj të parë si shtet i pavarur. Krerët më të lartë të shtetit morën pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada kosovare në Pallatin e Kongreseve. 
Bamir Topi: Kjo ditëlindje e parë e Kosovës na thërret të nderojmë veprën e atyre, që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë, të shprehim mirënjohje për të gjithë ata njerëz të mëdhenj dhe ato shtete mike, të cilat kuptuan, pranuan dhe vendosmërisht u rreshtuan për Kosovën e pavarur e vazhdojnë ta mbështesin atë në rrugën e saj.
Xhon Uithers: Një vit më parë Kosova ishte një zog në kafaz, që vetëm mund të këndonte, tani ai zog është i lirë, Kosova është vendi i njerëzve të lirë. Populli amerikan do t’i qëndrojë përkrah popullit të Kosovës gjatë gjithë procesit për integrim në BE dhe NATO.
Jozefina Topalli: 17 Shkurti 2008 është tashmë pjesë e memories së shqiptarëve dhe e botës mbarë, jo vetëm si dita e lindjes së Kosovës martire, por faqebardhë në përpjekjet e saj titanike për liri dhe të drejta njerëzore, për përkatësinë dhe ëndrrën e saj evropiane, por edhe si dita që shënon ditëlindjen e dytë të shenjtë për kombin tonë.
Sali Berisha: Në një vit jetë, shteti i pavarur i Kosovës është dëshmuar si shtet i qytetarëve të barabartë para ligjit, institucionet e Kosovës janë dëshmuar si institucione të përkushtuara  për lirinë dhe të drejtat e minoriteteve.
Edi Rama: Në përvjetorin e parë të kësaj mrekullie të shekullit të 21-të për shqiptarët e shqiptaret kudo që janë, u uroj nga zemra të gjithëve gëzuar festën e pavarësisë së Kosovës. Në përvjetorin e parë të pavarësisë, uroj të keni sa më shumë energji transformuese në të mirë të njerëzve e sa më shumë mirëkuptim mesveti.
Ilir Meta: I urojmë 1-vjetorin e lindjes së shtetit më të ri të Evropës. Rrugë të mbarë Kosovës, në integrimin evropian të saj, në angazhimin në institucionet ndërkombëtare.
Engjëll Bejtaj: Populli i Kosovës, klasa e saj politike janë të ndërgjegjshëm se integrimi evropian mund dhe duhet të arrihet nëpërmjet rritjes së standardeve demokratike, ndërtimit dhe forcimit të institucioneve të pavarura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›