E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Shqiptarët, shumë shpejt pa viza në Europë

Komisioneri

“Shqiptarët shumë shpejt do të udhëtojnë në zonën ‘Schengen’ pa viza”. Nga Stambolli, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, ka deklaruar se nuk do të ketë pengesa të mëtejshme për çështjen e vizave. Komisioneri Fule është takuar dje me Presidentin Bamir Topi dhe zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, në samitin e SEECP-t. Në këtë samit marrin pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore. “Shqipërisë do t’i hiqen vizat shumë shpejt”, është shprehur komisioneri Fule. Ndërkaq, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka përshëndetur miratimin e rezolutës nga Komuniteti Europian për integrimin e Shqipërisë. Meta tha se rezoluta konfirmon miratimin e BE-së për Shqipërinë. “Rezoluta është një hap pozitiv drejt liberalizimit të vizave”, theksoi Meta. Presidenti Bamir Topi është takuar dje në mesditë me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, me të cilin ka folur për integrimin e Shqipërisë. “Anëtarësimi në NATO i kontribuoi dhe natyrshëm shpejtoi hapat e integrimit të tij europian. Ka pak më shumë se një vit që Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ka hyrë në fuqi dhe vendimi për statusin e vendit kandidat mbetet pritshmëri shumë e afërt e paraprirë nga një vendim po aq historik: liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian”, tha Presidenti Topi. Në fjalën e tij, Presidenti Topi tha se “ne mbështesim përpjekjet e përbashkëta që do të lehtësonin lëvizjen e lirë të qytetarë tanë, që do të krijonin për ta një hapësirë ekonomike rajonale pa barriera penguese për shkëmbimet tregtare e sidomos të elitave intelektuale e kulturore, që do të ndihmonin njohjen e ndërsjellët të tyre për të lënë mbrapa paragjykimet që i kanë shoqëruar ata gjatë historisë së vendeve tona”. Gjatë qëndrimit në Stamboll, Presidenti Topi është takuar me homologun e tij turk, Abdullah Gyl. Presidenti Topi mori pjesë në Stamboll në takimin e tetë të Samitit të Kryetarëve të Shteteve të Europës Juglindore mbi korridoret kulturore “Muzika si metaforë e dialogut kulturor”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›