Berisha: Do të plotësojmë tre kushtet
Kryeministri Berisha e cilësoi si historike miratimin e rezolutës Chountis nga ana e Parlamentit Europian dhe premtoi se qeveria shqiptare do të përmbushë të gjitha detyrimet shtesë që i kërkohen për liberalizimin e vizave. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha shprehu mirënjohjen për hapjen e rrugës për liberalizimin e vizave për shqiptarët nga ana e europarlamentarëve dhe theksoi se ky besim do të shpërblehej. Por nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se ky qëndrim nga ana e PE-së kishte ardhur pas reformave dhe përkushtimit nga ana e qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit. “Ka qenë ky seriozitet i institucioneve të vendit, i qeverisë shqiptare, reformat e thella, të cilat zhdukin çdo lloj hezitimi për t’u dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë, në hapësirën e BE-së, qytetarëve shqiptarë”, vlerësoi Kryeministri në fjalën e tij pas miratimit të rezolutës në PE vetëm me një votë kundër. Sipas Berishës, ministritë e linjës po vijojnë të punojnë me intensitet për të përmbushur edhe detyrimet shtesë të ardhura nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave.
#