E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomati egjiptian: Saranda mund të konkurrojë Korfuzin

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

 Kështu është shprehur nga qyteti jugor, ku ndodhej për një vizitë private, ambasadori i Egjiptit në vendin tonë, dr. Reffat Ansary. Me origjinë gjysmë shqiptare, nga Frashërllinjtë e Përmetit, ai thotë se pas përfundimit të mandatit do të kthehet në Egjipt, për të shërbyer atje si ambasador i Shqipërisë.
Në Sarandë ndodheni si pushues i thjeshtë apo si ambasador? 
Jo, në fakt unë jam këtu në vizitë private për të kaluar pushimet e mia të fundit në Sarandë, qytet me të cilin jam dashuruar, sepse kam marrë transferimin tim për t'u larguar nga Shqipëria pas një qëndrimi prej 4 vjetësh si ambasador. Këto janë pushimet e mia të fundit për t'i thënë mirupafshim Sarandës.
Cili është gjykimi juaj, i zhveshur nga kostumi i diplomatit për qytetin tonë turistik?
Në fakt si turist unë kam shumë kërkesa për Bashkinë e Sarandës, veçanërisht për plazhet. Përpiqem që ta shikoj Sarandën me syrin e një njeriu të dashuruar prej saj. Është hera e tretë që unë ndodhem këtu. Kam vizituar sitin arkeologjik të Butrintit, por plazhet kanë nevojë për shumë punë. Po ashtu edhe disa prej rrugëve që të çojnë tek këto plazhe. Keni ujë shumë të pastër në det, por ama keni edhe plazhe që kanë nevojë për t'u përmirësuar dhe të bëhen tërheqës për pushuesit. Saranda mund të bëhet një vend i shkëlqyer turistik, madje mund të konkurrojë edhe Korfuzin. Nga ana tjetër, nëse qyteti lihet pas dore ai mund të braktiset si destinacion turistik dhe pak njerëz kanë për të ardhur. Kjo varet nga puna e bashkisë, si do të veprojnë në lidhje me projektet turistike, në lidhje me plazhet e të tjera si këto.
A do të ishte me interes një marrëdhënie mes qytetit turistik të Sarandës dhe një prej qyteteve turistikë të Egjiptit?
Dua t'ju them se qyteti më i afërt për të bërë një lidhje binjakëzimi me Sarandën është Aleksandria. Aleksandria ka shumë gjëra për të ofruar, ndërsa Sarandë një pjesë të tyre. Të dy qytetet kanë plazhe, restorante, fshatra turistikë dhe vende arkeologjike me objekte që i përkasin epokës romake. Binjakëzimi i Sarandës dhe i Aleksandrisë do të ishte një kombinim perfekt. Sektori privat i turizmit në Egjipt do të ishte shumë i interesuar për të investuar këtu sepse ju keni plazhe të mira dhe vijë bregdetare të mirëmbajtur nga Durrësi në Sarandë, por infrastruktura dhe ndërtimi duhet të përmirësohen që të vijnë investitorët. Mos prisni që të vijnë investitorët me këtë nivel infrastrukture. Kur erdha në Sarandë për herë të parë ishte viti 2006 dhe padyshim që shumë punë është bërë në këtë periudhë 2-vjeçare. Por mbetet akoma shumë punë për të bërë, që Saranda të bëhet një vend tërheqës turistik për sektorin privat, për bizneset, për kompanitë që ato të vijnë dhe të investojnë para për rritjen e cilësisë së ofruar nga Saranda si një vend atraktiv turistik.
Nëse do të vinit përsëri në vendin tonë a do ta zgjidhnit Sarandën për të pushuar?
Padyshim që kur të kthehem prapë në Shqipëri do të zgjedh dy vende për të pushuar si qytetar i thjeshtë: Sarandën dhe Vlorën. Unë i premtova kryeministrit dhe qeverisë shqiptare se unë do të jem ambasadori shqiptar në Egjipt, sepse gjysma ime është Shqipëria dhe gjysma tjetër egjiptiane. Në një kryetitull gazete ishte shkruar shumë drejt para ca kohe, që ambasadori egjiptian është një ambasador që përfaqëson vendin e babait në vendin e nënës së tij. Dhe kjo është shumë e vërtetë. Tani ka për të ndodhur e kundërta.
Cili do të ishte mesazhi juaj zoti ambasador për qytetarët sarandjotë dhe natyrisht edhe për ata shqiptarë, në tërësi?
Ju po punoni mirë, por keni arritur të bëni më pak se gjysmën e asaj që duhet të bëni. Më lejoni t'ju them një gjë të fundit: Në Egjipt punohet jashtëzakonisht shumë në turizëm. Aty nuk tolerohet asnjë gabim në këtë sektor dhe prandaj arritëm të kemi 12 milionë turistë në vitin 2007.

Origjina shqiptare e ambasadorit

"Unë jam me origjinë nga familja Frashëri. Gjyshja ime nga ana e nënës, Adila Kapllan Frashëri është kushërira e drejtpërdrejtë e Naimit, Samiut dhe Abdyl Frashërit. Unë erdha në Shqipëri në vitin 2004 dhe menjëherë fillova të bëja kërkime për rrënjët e familjes sime. Gjeta kushëririn e drejtpërdrejtë të nënës sime, profesor Xhemil Frashëri, i cili është një historian në pension, dikur lektor në Universitetin e Tiranës. Babai i tij është vëllai i gjyshes sime nga nëna. Ai kishte bërë një punë të mrekullueshme, duke hartuar pemën gjenealogjike të familjes sonë dhe arriti deri tek Adila Kapllan Frashëri. Këtu erdhi radha ime për të dhënë një kontribut për plotësimin e kësaj dege të munguar të familjes. Pas kësaj fillova të njoh, të takoj dhe të vizitoj të gjithë pjesëtarët e familjes sime nga nëna. Në fakt të gjithë më thanë se ngjaj si pasardhës i Frashërllinjve, ngjaj si shqiptar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›