E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fitorja e zgjedhjeve, nga gjithëpërfshirja e së majtës”

 

Aristir Lumezi

Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Malaj, në një intervistë për gazetën “Panorama” shprehet se në funksion të fitores së zgjedhjeve të përgjithshme të 2009 kërkohet gjithëpërfshirje e të gjithë aktorëve dhe faktorëve të majtë. Malaj shpreson se pas miratimit të Kodit Zgjedhor situatat politike brenda të majtës do të sqarohen duke i hapur rrugë një klime të re brenda saj. Sipas tij, “ndoshta breshëri politik do të jetë më i shpeshtë dhe i madh deri në miratimin e Kodit Elektoral, pas këtij momenti edhe në fenomenet natyrore ndodh që koha hapet dhe ka më shumë diell”. Duke komentuar përmbajtjen e sloganit të kryetarit socialist, “aleancë përtej të majtës dhe të djathtës”, Malaj e sheh si “një mesazh jo për të fshirë çdo dallim në politikat e qeverive të spektrave të ndryshme politike, por edhe për të theksuar fenomenin dhe sfidat jo thjesht ideologjike me të cilat ballafaqohen sot shumë parti politike në Evropë dhe kudo”.
Anëtari i kryesisë socialiste, jep mendimin e tij edhe për debatin më të fundit mes LSI-së dhe Bashkisë së Tiranës, për mungesën e transparencës në projektet urbanistike të kësaj të fundit. Malaj shprehet se, “nuk paragjykon asnjë kërkesë për më shumë transparencë, qoftë edhe nga një individ i vetëm dhe ndaj kujtdo të zgjedhuri apo të emëruari në strukturat e shtetit”. Por ai “nuk mirëkupton dot epideminë e deklaratave akuzuese, aq më tepër kur është fillim i një ballafaqimi publik dhe jo rezultat i një procesi transparent”. Duke analizuar veprimtarinë e qeverisë por dhe krizën e madhe ekonomike, Malaj e cilëson kryeministrin Berisha të dështuar nisur dhe nga fakti i fundit, atë të realizimit të një spoti televiziv me paratë e taksapaguesve. Sipas tij, vetëm partitë politike mund të bëjnë spote televizive, ndërsa qeveritë testohen nga opinioni dhe institucionet e pavarura. Ai pohon se një veprim i tillë është moralisht i turpshëm dhe financiarisht i dënueshëm.
Është mbyllur sesioni veror i Kuvendit pa përfunduar dy nga reformat më të rëndësishme, për të cilat Partia Socialiste dha konsensus të plotë në prag të samitit të NATO-s në Bukuresht. Mendoni se ky konsensus kërkonte një menaxhim më të mirë sa i takon aksionit parlamentar të socialistëve në Kuvend?
Nëse ka një investim afatgjatë të së majtës në tërësi dhe të Partisë Socialiste në veçanti, është pikërisht kultura e re e të bërit opozitë. Shqipëria e mori ftesën në NATO edhe për shkak të konsensusit kombëtar që dha opozita e vendit për reformat e kushtëzuara. Vendi do të eci shpejt në procesin e gjatë dhe jo të lehtë të anëtarësimit në BE, nëse opozita do të angazhohet në sfidat e tij, si duke i dhënë prioritet konsensuseve dhe kompromiseve për prioritetet kombëtare, ashtu edhe për efikasitetin e ballafaqimit politik dhe kryesisht parlamentar ndaj keqqeverisjes.
Pak javë më parë, një provë tjetër elektorale, Kashari, përfundoi me rezultat negativ për PS-në, ndërkohë vërtetoi analizat se ndarja e votave mes të majtëve i çon lehtësisht fitoren të djathtës. Mendoni se kërkohet një ndryshim strategjie në bashkëpunimin mes të majtëve për t’i paraprirë një dështimi eventual të 2009?
Pyetja juaj bëhet pas konventës së demokrateve. Ajo është një leksion i mirë për çdo lider dhe forcë politike. Konkurrimi brenda forcave politike dhe midis forcave të të njëjtit spektër duhet të ketë si objektiv kryesor kërkesat e elektoratit. Çdokush duhet të sakrifikojë diçka personale në detyrim të një fitoreje jo vetëm personale. Ne duhet të synojmë arritjen e unifikimit të objektivave politike të partive të opozitës, që vjen si detyrim dhe përgjegjësi ndaj sfidave të vendit. Kjo filozofi lehtëson dhe rrit çdo mundësi bashkëpunimi, e cila është parakusht për një fitore efikase.
Nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në qendër të strategjisë elektorale dëgjohet vazhdimisht “aleanca përtej të majtës dhe të djathtës”, teza këto të dështuara nga Veltroni në zgjedhjet e fundit në Itali. Mendoni se kërkohet një adresim më i saktë ndaj elektoratit në funksion të fitores së zgjedhjeve të 2009?
Shpresoj shumë që ky mesazh të lexohet në funksion të ambientit politik, historikisht të mbingarkuar. Kjo kulturë e trashëguar politike i ka sjellë jo pak pasoja edhe vetë votuesve shqiptarë.
Përtej të majtës dhe të djathtës, fokuson më shumë të rinjtë dhe të pavendosurit që kanë një peshë jo të vogël në votën përcaktuese. Është një mesazh jo për të fshirë çdo dallim në politikat e qeverive të spektrave të ndryshme politike, por edhe për të theksuar fenomenin dhe sfidat jo thjesht ideologjike, me të cilat ballafaqohen sot shumë parti politike në Evropë dhe kudo. Dallime politike midis të majtës dhe të djathtës ka, por një gjë është vërtetuar, se qeveri të ndryshme nuk mund të ndërtojnë programe strikte ideologjike jashtë një realiteti ekonomik që kushtëzohet dhe nga faza e ciklit ekonomik gjatë të cilit merr mandatin qeverisës. Hapja e ekonomive dhe rritja e integrimit ekonomik e ka rritur efektin e faktorëve të jashtëm, një pjesë e sovranitetit të qeverisjes së vendit, duke filluar nga politikat monetare, i dorëzohet strukturave evropiane, dallimet klasike ideologjike janë të pamjaftueshme për të siguruar suksesin, në shumë raste ato tentojnë të krijojnë pengesa. Më duhet të theksoj se këto evoluime gjatë shekullit të XX nuk kanë ndodhur vetëm me partitë e majta. Sistemi i sigurimeve shoqërore, kapitalizmi i “dhembshur”, paketat miliardë dollarësh për të varfrit e krizës së urisë, ndërhyrjet qeveritare për të ndalur falimentimin e sistemit bankar, paketat kejnsianiste për të gjallëruar ekonomitë në krizë edhe në vendet e G-8, janë jo pak larg kapitalizmit klasik. Duart e dukshme dhe të zgjatura të ndërhyrjeve qeveritare edhe gjatë vitit 2008 duket se kanë mbetur të pakënaqura nga mrekullia e mbinatyrshme e duarve të padukshme të Adam Smithit. Sfidat ekonomike sociale dhe qëndrueshmëria politike në kushtet e rritjes së pabarazisë, mbizotërojnë sot axhendat e debateve jo vetëm politike. Debati për natyrën e taksave, harmonizimi i barrës fiskale midis të ardhurave nga puna, kapitali dhe konsumi, debatet kush i paguan taksat dhe kush përfiton nga shpenzimet buxhetore, debati kush përfiton nga ulja e taksave, janë jo të lehta dhe jo jashtë mode edhe midis partive politike në vendet më moderne të botës. Jo rastësisht Obama theksoi se ulja e taksave nga ana e tij do të prekte 95% të familjeve amerikane, ndërsa taksa e sheshtë e të djathtës shqiptare, preku dhe minimumin jetik të 85% të shqiptarëve. Debati për politikat dhe skemat e sigurimeve shoqërore, debati për barrën e rëndë të shpenzimeve të sigurimeve buxhetore që cenon qëndrueshmërinë fiskale, sidomos të vendeve në plakje, jo vetëm të Evropës, por edhe shqetësimi për rritjen e të pasiguruarve ku edhe në Amerikë janë rreth 46 milionë vetë, është jo i lehtë për forcat politike të çdo vendi. Debatet për politikat më të mira fiskale kundër varfërisë që vënë theksin tek miredukimi, përmirësimi i shëndetit, cilësia e ambientit, cilësia e infrastrukturës, ndiqen sot me interes të veçantë dhe për to ballafaqohen midis tyre politikanë dhe ekspertë të forcave të ndryshme politike kudo në botë. Në këtë kontekst, ka garë sepse ka dallime cilësore midis programeve ekonomike të partive politike. Në garën elektorale, ballafaqohen qartësia e programit, cilësia e ekipeve dhe përkushtimi ndaj suksesit, të cilat mbeten të vlerësohen nga votuesi. Për fat të mirë demokracia ka krijuar kohën e nevojshme, mandate 4-vjeçare, që partitë politike të realizojnë programet politike gjatë qeverisjes së vendit. Demokracia ka krijuar edhe kufizime për nivelet e ndryshme të pushteteve. Ritestimi bëhet çdo katër vjet, e cila nuk është një periudhë e shkurtër për të përmbushur premtimet dhe një kohë e mjaftueshme për të qartësuar dhe larguar të dështuarit.
Në fillim të mandatit opozitar, PS-ja premtoi opozitë me alternativa, larg shfaqjeve “alla Berisha”, ndërsa sot pas tre vjetësh, kemi parë pak nisma ligjore, më shumë amendime brenda drafteve ligjore të paraqitura dhe kalimin nga një qëndrim agresiv me bilbila deri në një qetësim të plotë në Kuvend. Çfarë mund të ishte bërë më mirë nga ana e PS-së në Kuvend?
Po ta shikoni në dinamikë siç edhe ju e theksoni, opozita ka ardhur duke u bërë më efektive jo thjesht në ballafaqime fizike.
Disa nga reformat e rëndësishme në vend janë mbështetur, por edhe janë iniciuar dhe formuluar nga ekspertët e PS dhe opozitës.
Opozita sot duhet të ishte detyrimisht njëqind për qind ndryshe nga opozita e djeshme, që vetëm shpifte dhe digjte deri edhe institucionet e shtetit edhe pas viteve 2000.
Shqetësimi i drejtë jo thjesht i militantëve të Partisë Socialiste është, a do të marrë vlerësimin elektoral kjo mënyrë e të bërit opozitë?
Partia Socialiste nuk e pret ardhjen në pushtet vetëm dhe kryesisht nga dështimet e qeverisë “Berisha”, të cilat janë të dukshme dhe me pasoja katastrofike në momentet e saj më tipike.
Në politikë, dështimi i paraardhësit rrit premisat për fitore. Votuesit priren të votojnë më shumë me votë penalizuese, ndërsa pjesa tjetër që të bën realisht fitues është kredibiliteti dhe besueshmëria që sjell votën që ushqehet nga optimizmi për opozitën. Kjo votë, vota optimiste, duhet të jetë në rritje sepse ajo është edhe mbështetja më e mirë edhe për periudhën qeverisëse. Këtë pjesë, Partia Socialiste synon ta fitojë me përgjegjësinë dhe seriozitetin për sfidat e vendit, të materializuara në një fushatë elektorale dhe program qeverisës modern dhe efikas, që rrit shpresat dhe optimizmin tek miliona votues.
Kohë më parë kishim një përpjekje dhe të përshpejtuar për të startuar krijimin e një federate të majtë fillimisht PS-PSD, duke lënë të hapur shtegun për zgjerimin e saj. Sot një ide e tillë duket e harruar. Cili është mendimi juaj?
Këto janë procese që kanë luhatjet e tyre të natyrshme dhe që duhen mirëkuptuar. Por në asnjë rast, politika nuk mund të jetë  në thelb pazar, siç konstatohet edhe kohët e fundit. Qëndrimi publik i disa liderëve politikë të disa partive edhe parlamentare, se akoma nuk kam vendosur me cilin do të bëj koalicion dhe po pres kush do të më ofrojë më shumë, e deformon misionin e tyre shoqëror dhe rithekson karakterin tregtar.
Pas miratimit të Kodit, hapësirat do të jenë më të qarta dhe afatet do të jenë më konkrete. Larmia e formave të bashkëpunimit, e bën më të lehtë atë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Jemi vetëm një vit para zgjedhjeve të përgjithshme. Mendoni se PS duhet të bëjë një rigjenerim figurash, krijimin e KOP-i socialist për rifreskimin e imazhit të saj, apo rritja e përqindjes së grave e plotëson një kusht të tillë?
Nuk përjashtohet mundësia, pse jo edhe domosdoshmëria, për të startuar një fushatë elektorale sa më moderne dhe me më shumë mundësi kontributi të të gjithë personaliteteve të Partisë Socialiste e të së majtës. Harmonizimi i brezave dhe kontributeve i bën më të suksesshme partitë politike dhe qeveritë. Ky harmonizim i lehtëson edhe sfidat e suksesit të politikanëve të rinj të çdo force politike.  
Cili duhet të jetë qëndrimi i PS-së ndaj aleatëve të saj, LSI, PSD, PDS, PAD, por dhe figurave historike të saj, si Fatos Nano për të ndërtuar bllokun opozitar gjatë vitit të fundit para zgjedhjeve të përgjithshme?
Shpresoj të jetë gjithëpërfshirës, mundësi të plota për t’u angazhuar së bashku në sfidën jo thjesht të fitores për të përmirësuar rrënjësisht cilësinë e qeverisjes së vendit. Ndoshta breshëri politik do të jetë më i shpeshtë dhe i madh deri në miratimin e Kodit Elektoral, pas këtij momenti edhe në fenomenet natyrore ndodh që koha hapet dhe ka më shumë diell.
Kryeministri Berisha në mënyrë të përsëritur është shprehur se, rritja ekonomike e vendit gjatë këtij viti mund të jetë dyshifrore. Sa bazë ka një deklaratë e tij, kur investimet janë në nivelin më të ulët dhe importet mundin eksportet disa herë?
Më vjen keq për njohuritë ekonomike të cunguara dhe të deformuara të kryeministrit, fatkeqësia qëndron që ato bashkëshoqërohen me cilësinë më tipike të tij që është demagogjia. Prandaj kredibiliteti i tij personal dhe i qeverisë së tij fatkeqësisht  është në nivelin kritik. Shikoni buxhetin suplementar të vitit 2007, shikoni buxhetin afatmesëm të miratuar në qeveri për vitet 2009-2011, vetë kryeministri ka miratuar këtë dokument ku nuk ka asnjë rritje ekonomike reale dyshifrore deri në vitin 2012.
Vetëm një kryeministër i dështuar dhe me kredibilitet publik të cenuar mund të paguajë para buxhetore për të bërë spote televizive siç po ndodh turpshëm këto ditë. Spote përdorin partitë politike, qeveritë testohen nga opinioni dhe nga institucione të pavarura. Përdorimi i parave publike për spote personale të kryeministrit dhe ministrave, është një fenomen moralisht i turpshëm dhe financiarisht i dënueshëm.
Ish-ministri socialist i Financave, si e gjykon mungesën e indeksimit të pagave, pensioneve në këto tre vjet dhe rritjen e pagave dhe pensionet në shifrat e deklaruara nga qeveria në buxhetin suplementar. Kemi të bëjmë me një lojë shifrash?
Në këto vite të vështira me inflacion të lartë, shumë qeveri kanë pranuar se janë goditur rëndë shtresat më të varfra të shoqërisë. Në kushtet kur këto shtresa në Shqipëri harxhojnë mbi 50% të buxhetit të tyre familjar për ushqimet ditore, pra për ato artikuj që janë goditur më rëndë nga inflacioni i lartë, është jo vetëm paaftësi, por edhe cinizëm të deklarosh për rritje reale në nivele të larta të të ardhurave në trajtë pagash për punonjësit e sektorit publik dhe aq më pak për pensionistët. Fuqia blerëse reale e shqiptarëve është goditur rëndë nga inflacioni i lartë dhe nga tatimi i të ardhurave minimale. Çdo argumentim tjetër është demagogji elektorale, ndërsa mungesa e politikave konkrete është paaftësi e theksuar qeverisëse.
Ditët e fundit kemi një debat edhe publik të nisur nga LSI, e cila akuzon kryetarin e bashkisë Rama se në konsensus me kryeministrin Berisha po kthen zonën e gjelbër dhe sportive pranë liqenit Artificial në komplekse shumëkatëshe ndërtimi. Mendoni se kërkohet të rritet transparenca për çështje, të cilat prekin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve?
Nuk paragjykoj asnjë kërkesë për më shumë transparencë, qoftë edhe nga një individ i vetëm dhe ndaj kujtdo të zgjedhuri apo të emëruari në strukturat e shtetit. Nuk e mirëkuptoj dot epideminë e deklaratave akuzuese, aq më tepër kur është fillim i një ballafaqimi publik dhe jo rezultat i një procesi transparent.
Rritja e transparencës, dhënia e sqarimit publik ndaj çdo  qytetari, janë të detyrueshme për çdo të mandatuar publik. Do të ishte më efikase që fillimisht të kërkohet dhe influencohet rritja e transparencës së procesit, të sensibilizohet opinioni kur kjo transparencë e kërkuar nuk jepet, mohohet apo vonohet, se sa të akuzohet çdo ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›