E Diel, 1 Nëntor 2026

I mituri nga qelia: Kërkoj lirinë që të ndjek shkollën

Shkolla është e vetmja zgjidhje për të miturin e burgosur Prosper Peçi, i cili kërkon të shkëputet nga bota e krimit, në të cilën është përfshirë tre vjet më parë. 

Fatos Mahmutaj

 Tashmë ndodhet në qelitë e seksionit të të miturve në burgun e Vaqarit dhe kërkon vetëm një ditë leje, në mënyrë që të bëjë regjistrimin në gjimnaz. Pastaj do të rikthehet vetë në qeli dhe të përfundojë ato pak javë që i kanë mbetur nga shlyerja e dënimit të dhënë nga togat e zeza. Por këtu punët kanë ngecur. Prej një muaji atij nuk i është dhënë asnjë përgjigje për lejen, ndërkohë që koha për të bërë regjistrimin në një gjimnaz pranë vendbanimit në Vlorë, po shkon drejt fundit dhe për pasojë mund të humbasë shkollën. Vetë i mituri, pohon se jeta brenda qelisë e ka tjetërsuar dhe i është mbushur mendja se zgjidhja e vetme për të është të arsimohet që të ketë mundësinë në të ardhmen për t'u punësuar dhe për të krijuar një jetë të ndryshme nga ajo prej "gangsteri" fundi i të cilës ishte burgu. I braktisur nga fati, dhe i rritur jetim nën përkujdesjet e gjyshes së sëmurë, 17-vjeçari vlonjat do të gjendej pa e kuptuar në botën e krimit, i shtyrë edhe nga shokët më të rritur. Sapo kishte kaluar të 14-at, Peçi ka përfunduar në qeli për herë të parë. Bashkë me një fqinj të tij, një vit më të rritur kanë vjedhur një sasi kablloje elektrike në kampin ushtarak italian në qytetin e Vlorës. Kapja në flagrancë prej rojës së kompleksit i dërgoi të dy të miturit në polici, ndërsa prokurori duke vlerësuar moshën e mitur të të arrestuarave vendosi t'i hetonte në gjendje të lirë. Më pas gjykata e dënoi me tre muaj burg, dënim të cilin ia pezulloi duke e vënë në kohë prove për dy vjet. Por gjërat nuk do të ecnin mirë për të miturin. Duke u endur mes Fierit, qytetit ku banon i ati dhe Vlorës prej nga kishin origjinën prindërit, Peçi ngatërrohet në një zënkë adoleshentësh në fund të janarit të vitit të kaluar. Grindja precipiton në dhunë dhe ky qëllon një bashkëmoshatar të vetin me thikë, poshtë sqetullës së majtë, i cili fatmirësisht shpëton nga vdekja, pasi tehu kishte kaluar vetëm pak milimetër pranë zemrës. Autori i plagosjes së rëndë, i cili bënte jetë endacaku nëpër Vlorë, shpallet në kërkim dhe 12 ditë më vonë arrestohet nga policia dhe dërgohet në qeli. Në këtë proces të dytë, gjykata argumentoi se përballë të miturit duhet të vlerësoheshin disa rrethana rënduese. Pas gjykimit të çështjes merr tre vjet burg, por përfiton ulje të një të tretës së dënimit si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar në këtë çështje. Pas dënimit dërgohet në qelitë e seksionit të të miturve në burgun e Vaqarit, ku ndodhet aktualisht. Prej andej iu drejtua gjykatës për të përfituar tre muaj ulje të dënimit për sjellje të mirë në qeli, por nuk ka mundur pasi gjykata ia ka rrëzuar kërkesën. Tashmë i ka mbetur vetëm të shlyejë dënimin deri më datë 17 tetor, ndërsa kërkon vetëm të regjistrohet në shkollë.

Dënimi I
I mituri Prosper Peçi është gjetur fajtor për "tentativë vjedhjeje në bashkëpunim" dhe është dënuar me tre muaj burg nga Gjykata e Vlorës në shkurt të vitit 2006. Si pasojë e pranimit të fajësisë dhe pendimit të thellë nga ana e tij, gjykata i pranoi kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në proces, si pasojë e së cilës ai përfitoi ulje të një të tretës së dënimit. Gjithashtu, duke vlerësuar faktin se i pandehuri është i mitur gjykata ia ka pezulluar dënimin.

Dënimi II
Më 23 prill të vitit të kaluar Gjykata e Vlorës, pasi e gjeti fajtor për plagosjen e rëndë të një 16-vjeçari, e dënoi Peçin me tre vjet burgim. Shkak për aplikimin gjykimit të shkurtuar në këtë proces është sërish pranimi i fajësisë dhe pendimi i thellë i shprehur nga i mituri, çka ka bërë që ai të përfitojë ulje të një të tretës së dënimit. Duke llogaritur edhe para-burgimin atij i mbetet të vuajë vetëm 20 muaj burg nga, 36 që i akorduan togat e zeza.

Shkolla
Prosper Peçi, 17-vjeçari që ndodhet në burgun e Vaqarit pohon se nisja e një shkolle do ta shkëpuste atë nga bota e krimit dhe jeta prej endacaku, që kishte bërë për disa vite para se të futej në burg. Tashmë, ai kërkon që burgjet t'i japin mundësinë e një dite leje, që të paraqitet në sekretarinë e ndonjë gjimnazi për t'u regjistruar. Ai pohon se më pas do të përfundojë dënimin, dhe do nisë shkollën, të cilën e sheh si të vetmen mundësi për rehabilitimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›