E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Privatët jashtë kontrollit, spitalet lënë për të dëshiruar”

 

ZIRINA LLAMBRO

Një mal me probleme që kërkojnë zgjidhje. Shumë mangësi të mbartura. Veç tyre edhe një sërë hallesh të reja me të cilat shëndetësia përballet sot. Përtej analizave 7-mujore të ditëve të fundit, të cilat paraqesin sukseset e arritura nga krerët e dikastereve, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka zgjedhur një tjetër taktikë. Kjo ndoshta edhe për faktin se nuk i ka mbushur ende disa muaj në detyrën e re. Dje gjatë prezantimit të analizës së punës për gjysmën e parë të vitit, Godo nuk ka anashkaluar asnjë nga problematikat e mprehta nën të cilat shëndetësia përpëlitet sot. “Jemi të ndërgjegjshëm se cilësia e  shërbimeve të ofruara, si dhe performanca e spitaleve lënë mjaft për të dëshiruar. Buxheti për shëndetësinë është i pamjaftueshëm por këtij fakti i shtohen edhe mjaft mangësi në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore”, tha Godo. Nga sa bëri me dije ministrja  ndonëse cilësohet si një sistem komplementar me publikun, privati  nuk është aspak nën kontroll. “Duhen përcaktuar qartë standardet për akreditimin e strukturave private, marrëdhëniet dhe mundësitë e konvencioneve midis tyre dhe sektorit publik, që do mund të ofronin shërbimet e munguara. Kemi organizuar grupe pune”, theksoi Godo.  
Menaxhimi
Sipas ministres, një menaxhim i ngathët e i papërgjegjshëm çoi në  mungesën e thellë në medikamente, reagente, materiale konsumi. Kjo për arsye të mosidentifikimit si duhet të nevojave e  kërkesave, herë–herë dhe pa një analizë reale të gjendjes aktuale të tyre, duke krijuar edhe stoqe e vonesa të pajustifikuara në prokurim, me kosto shëndetësore e financiare për qytetarët. “ Për këtë me përparësi të veçantë, kemi përfunduar prokurimin për pjesën më të madhe të medikamenteve, po lidhen kontratat dhe së shpejti fillon lëvrimi i tyre. Ne do të përmirësojmë menaxhimin nëpërmjet rinovimit të stafeve drejtuese, përfshirjes në to të kuadrove me integritetin profesional e menaxherial të duhur dhe njëkohësisht nëpërmjet përgatitjes së kapaciteteve menaxhuese të reja”, vijoi Godo. Ministrja e ka cilësuar me plot gojën, të dështuar strategjinë e luftës kundër duhanit. Për të, korrupsioni   në shëndetësi mbetet një fenomen për të cilin të gjithë janë të vetëdijshëm se ekziston, në nivele e forma të ndryshme. “Një politikë më e mirë e pagave, përdorimi më me efektivitet i të ardhurave dytësore, ndryshimi i mekanizmit të financimit të shërbimeve shëndetësore, do të jenë bazat e luftës kundër korrupsionit”, shtoi Godo. Veç tyre, ndërhyrjet reformuese në sektorin farmaceutik, e sidomos një auditim i rreptë dhe i vazhdueshëm i të gjitha proceseve tenderuese e prokuruese, si dhe të marrëdhënieve midis sektorit publik e atij privat, janë hallka të tjera që do të shërbejnë në minimizimin e këtij fenomeni. Nuk është lënë pa u përmendur edhe mungesa e një sistemi të mirëfilltë i informacionit shëndetësor. Për pasojë janë vërejtur  mangësi në mbledhjen, përpunimin e të dhënave dhe vënien e tyre në shërbim të dhënësve të shërbimeve. “Aktualisht po punohet me OBSH-në për përgatitjen e Strategjisë së Informacionit Shëndetësor. Do të riorganizojmë sektorin e statistikës për një efeciencë më të lartë”, u shpreh Godo.

Problemet

• Korrupsioni është prezent
• Mungon kontrolli për tenderat
• Sektori privat jashtë kontrollit
• Dështoi strategjia e duhanit
• Buxheti i pamjaftueshëm
• Cilësia në spitale e dobët
• Mungon informatizimi i sistemit
• Marrëdhënie jo të mira mes profesorëve, ministrisë dhe fakultetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›