E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji i ri: Prokurorët të arrestohen pa autorizim

“Neni nr.36 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, shfuqizohet”. 

Kjo frazë e vetme e vendosur në nenin nr.17 të projektligjit të ri “Për Prokurorinë”, u heq imunitetin të gjithë prokurorëve të vendit. Në kohën kur debati për projektligjin e ri të Prokurorisë është kthyer në temë të ditës, gazeta “Panorama” ka arritur të sigurojë një kopje të projektdraftit. Nëse ai miratohet, atëherë prokurorët shqiptarë mund të arrestohen, ndalohen, kontrollohen dhe përgjohen nga policia si organ ekzekutiv, pa asnjë pengesë paraprake. Deri më tani, prokurorët kanë gëzuar një imunitet simbolik në bazë të ligjit “Për Prokurorinë”, neni 36 i të cilit parashikonte se prokurorët nuk mund të ndalohen apo të arrestohen pa pëlqimin e prokurorit të Përgjithshëm me përjashtim të rasteve kur kapen në flagrancë, duke kryer një vepër penale. Sipas ligjit aktual, edhe në rast të ndalimit në flagrancë të prokurorëve, policia është e detyruar që brenda 24 orëve të kërkojë pëlqimin e kryeprokurorit. Nëse ky i fundit nuk e miraton ndalimin e vartësit të vet, policia është e detyruar të lirojë prokurorin e arrestuar. Ky është imuniteti që gëzojnë prokurorët e Republikës së Shqipërisë, një masë mbrojtëse e cila kufizohet vetëm në vendimmarrjen e prokurorit të Përgjithshëm, i cili në rast se policia i paraqet prova për kryerjen e një krimi nga prokurori, mund të lejojë arrestimin e tij. Projektligji i ri “Për Prokurorinë”, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë e heq këtë imunitet të prokurorëve.
Këshilli i Prokurorisë
Risia tjetër e projektligjit “Për Prokurorinë”, të përgatitur së fundi nga Ministria e Drejtësisë, është në përbërjen e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme. Në draft-projektin e Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se ky institucion duhet të përfaqësohet në Këshillin e Prokurorisë me dy anëtarë, që kanë të drejtën e votës në vendimmarrje. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, në draftin e saj, parashikon heqjen e të drejtës së votës për përfaqësuesin e Presidentit si anëtar i Këshillit, duke theksuar se “ai mund të marrë pjesë në mbledhje”. Këshilli i Prokurorisë është organizmi vendimmarrës për emërimet, ngritjen në detyrë dhe ndëshkimet ndaj prokurorëve.
Shkarkimi i kryeprokurorit
Projektligji i ri bën përcaktime edhe për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm. Në rast se Prokuroria e Shkallës së Parë pranë një rrethi gjyqësor hap çështje penale ndaj kryeprokurorit të vendit, ai largohet nga detyra menjëherë pas komunikimit të akuzës dhe marrjes në cilësinë e të pandehurit. Në rast se ndodh kjo, projektligji “Për Prokurorinë”, parashikon se brenda 24 orëve nga largimi i kryeprokurorit, Presidenti duhet t’i propozojë parlamentit kandidaturën zëvendësuese. Një tjetër përcaktim i projektligjit të ri, i cili ka të bëjë me statusin e prokurorit të thjeshtë, është pezullimi apo shkarkimi i tij. Draftprojekti i Ministrisë së Drejtësisë, parashikon se prokurori largohet nga detyra e tij menjëherë pasi Prokuroria e Rrethit të ketë marrë një kallëzim penal ndaj tij dhe ta regjistrojë denoncimin si procedim penal, pra ende pa bërë hetime paraprake për të verifikuar vërtetësinë e akuzave ndaj prokurorit.
Pagat e Prokurorisë
Një tjetër ndryshim që sjell draftprojekti “për Prokurorinë” është ai që lidhet me pagat. Ministria e Drejtësisë ka propozuar uljen e pagës së prokurorit të Përgjithshëm, duke e barazuar atë me rrogën mujore të një anëtari të Gjykatës së Lartë. Deri më tani, hierarkia e pagave është bazuar mbi një koncept të barazisë mes funksioneve ekuivalente. Për shembull, drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë merr një pagë mujore të barabartë me atë të kryetarit të Gjykatës së Faktit të atij rrethi, drejtuesi i Prokurorisë së Apelit merr një pagë të barabartë me kryetarin e Gjykatës së Apelit, ndërsa ndryshe nga sa ishte deri më tani, prokurori i Përgjithshëm është propozuar të mos ketë më pagë të barabartë me kryetarin e Gjykatës së Lartë si funksion korrespondues. Sipas projektligjit të propozuar prej Ministrisë së Drejtësisë, prokurori i Përgjithshëm i vendit duhet të ketë një pagë ekuivalente me atë të një anëtari të thjeshtë të Gjykatës së Lartë.                                    tr.so

Të rejat e projektligjit

Hiqet imuniteti i prokurorëve Ministria e Drejtësisë ka dy anëtarë me të drejtë vote në Këshillin e Prokurorisë Hiqet e drejta e votës për përfaqësuesin e Presidencës në Këshillin e Prokurorisë Ulet paga e Prokurorit të Përgjithshëm Kryeprokurori shkarkohet me njoftimin e akuzës Prokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit pezullohen me fillimin e procedimit penal Prokurorët shkarkohen pas regjistrimit të procedimit penal Transferimi i Prokurorëve në detyrë bëhet vetëm me marrjen e pëlqimit prej tyre

Ina Rama, në Asamblenë e ShoqatësNdërkombëtare të Prokurorëve

TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve. Aktiviteti u zhvillua nga data 27-31 gusht në Singapor. Zëdhënësja e kryeprokurores Ina Rama, tha dje se tema qendrore e takimit ishte kooperimi ndërkombëtar për luftimin  e krimit në fusha, ku përdoret teknologjia informatike, interneti dhe kompjuteri. “Fjala është për terrorizmin, manipulimin e të dhënave dhe të llogarive bankare, vjedhjet me mashtrim të klientëve, që bëjnë blerje përmes internetit apo përdorimi i internetit prej pedofilëve dhe konsumuesve të pornografisë me fëmijë”, thanë burimet zyrtare nga Zyra e kryeprokurores Ina Rama. Sipas tyre, pavarësia dhe paanshmëria e prokurorëve në ushtrimin e detyrës ishte një tjetër temë e rendit të ditës, në takimin ndërkombëtar të Singaporit. Gjatë punimeve të asamblesë ndërkombëtare të prokurorëve, Ina Rama pati takime të veçanta me prokurorë të rajonit si dhe me prokurorë të vendeve, ku ka emigracion të madh nga Shqipëria. Këto takime janë fokusuar në forcimin e bashkëpunimit dhe këmbimit të informacioneve me interes reciprok. Kryeprokurorja Ina Rama pati një takim të posaçëm pune me përfaqësuesit e EUROJUST-it. Gjatë këtij takimi, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit të Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë me ato të vendeve të BE-së.

EURALIUS: S’jemi dakord me disa pika të projektit

TIRANE – Organizmat ndërkombëtare që asistojnë sistemin shqiptar të drejtësisë duket se nuk janë plotësisht dakord me projektligjin e ri për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë. Roland Miklau, shefi i misionit evropian EURALIUS, që ndihmon drejtësinë shqiptare dhe veçanërisht reformën në këtë sistem, është shprehur dy ditë më parë se drafti përmban disa pika të vendosura në projektligjin e Prokurorisë me të cilat misioni nuk është dakord. Ai nuk i bëri publike pikat e projektligjit me të cilat evropianët nuk janë dakord, ndërsa tha se më parë projektligji po diskutohej me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por së fundi diskutimet u ndërprenë dhe në projektligj janë bërë propozime me të cilat EURALIUS nuk është plotësisht dakord. Miklau vlerësoi pika të tjera të projektligjit që sipas tij, kanë frymë evropiane. Duket se qëndrime të tilla janë mbajtur edhe më parë nga përfaqësuesit e EURALIUS, që kanë marrë pjesë në diskutimet e zhvilluara gjatë hartimit të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë. Reforma në drejtësi konsiderohet si një nga fushat strategjike në drejtim të integrimit të vendit në BE, ndaj edhe procesi i hartimit të projektligjit “Për Prokurorinë” duket se ka tërhequr vëmendjen dhe interesin e ekspertëve të misionit evropian që asiston drejtësinë shqiptare. Pikat me të cilat evropianët duket se nuk janë dakord kanë të bëjnë me kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, kriteret e zgjedhjes së tij, si dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera në ligjin aktual.                    t.s

“Drafti ndryshon statusin kushtetues të prokurorëve”

Projektligji “Për Prokurorinë” i hartuar nga Ministria e Drejtësisë duket se është dërguar në Qeveri.

 Pas hartimit dhe diskutimit të projektdraftit dikasteri i drejtësisë mësohet se e ka nisur projektligjin për në Këshillin e Ministrave. Pas debatit publik që shkaktoi ky projektligj, i cili ende nuk është bërë publik në përmbajtjen e plotë të tij, gazeta kontaktoi dje me prokurorin Shkëlqim Hajdari, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, njëkohësisht Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit në Tiranë. Ai ka vënë në dukje disa pika të përfolura të projektligjit, të cilat janë të kritikueshme ashtu sikurse nuk nguron të bëjë vlerësime për disa nene të tjera të projektligjit, që sipas tij shënojnë përparim. “Përflitet se Ministria e Drejtësisë ka hartuar një projektligj për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë dhe e ka dërguar atë në Qeveri. Them përflitet sepse ne si Shoqatë e Prokurorëve nuk jemi pranuar të ishim pjesë e diskutimit dhe nuk e disponojmë një projektligj të tillë. Me sa di unë, edhe misionet ndërkombëtare të asistencës, OPDAT, EURALIUS dhe OSBE nuk janë njoftuar për këtë projekt, e konstatuar kjo në tryezat që ne si shoqatë kemi organizuar me këto organizma”, tha prokurori Hajdari. “Dua të theksoj se disa ndryshime në projektdraft, me aq sa kemi mësuar, përbëjnë cenim të rëndë të boshtit ku Kushtetuta e ka vendosur institucionin e Prokurorisë”, vijoi më tej sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë. Ai tha se, vetëm shfuqizimi i nenit për imunitetin e prokurorëve krijon një situatë problematike pasi çdo prokuror i Republikës mund të arrestohet, kontrollohet, përgjohet dhe ndalohet nga oficerët e Policisë Gjyqësore pa marrë pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në kontrast me projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë, janë ligjet e tjera të shtetit, sipas të cilave, Policia Gjyqësore është struktura që bën hetimet ndërsa prokurori është ai që i drejton dhe kontrollon ato. “Shfrytëzoj rastin t’u kujtoj politikanëve se u kanë premtuar shqiptarëve kufizimin e imunitetit të tyre”, shtoi prokurori Hajdari, duke kujtuar se, “nëse hiqet imuniteti i prokurorëve, atëherë politikanët shqiptarë do të jenë edhe politikanë, edhe policë edhe prokurorë dhe gjyqtarë”. Sekretari i Shoqatës së Prokurorëve e konsideroi pozitiv parashikimin në projektligj për rritjen e kompetencave të Këshillit të Prokurorisë. “Projektligji shënon përparim edhe në parashikimin për krijimin e një regjistri për vlerësimin e prokurorëve në tërësinë e elementëve të ushtrimit të detyrës”, nënvizoi prokurori Shkëlqim Hajdari duke renditur si pozitive edhe pikën e projektligjit, që parashikon marrjen e pëlqimit nga prokurorët në rast të transferimit të tyre në detyrë nga një rreth, apo qark në një tjetër. “Megjithatë, heqja e imunitetit të prokurorëve me shfuqizimin e nenit 36 të ligjit aktual dhe veçanërisht parashikimi për pezullimin e menjëhershëm të tyre nga detyra në rast të regjistrimit të procedimit penal kundër tyre, përbën zhvendosje totale në statusin kushtetues të prokurorit”, sqaroi kryeprokurori i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari. Ai tha se, në momentin që do të njihet me variantin e projektligjit në tërësinë e tij dhe në rrugë zyrtare, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve do të ketë një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Alibeaj: Prokurorët të jenë pa imunitet

TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, mohoi dy ditë më parë të kishte një tendencë për të vendosur Prokurorinë nën ekzekutiv, pasi sipas tij, kjo është sanksionuar në Kushtetutë ku thuhet se organi i akuzës është i pavarur, hierarkik dhe i centralizuar. Sipas tij, me ligjin e ri “Për Prokurorinë”, në të cilin do të ndërhyhet në 10 çështje, pritet të sqarohet hierarkia brenda Prokurorisë, në të tre nivelet, prokurori të rretheve gjyqësore, prokurori apelesh dhe kabineti i Prokurorit të Përgjithshëm. Ai pohoi se, ligji i ri do të saktësojë të drejtat dhe tagrat që ka secili nivel i Prokurorisë. Më tej Alibeaj shtoi se, me ligjin e ri që po përgatitej do rregullohej sistemi i karrierës në organin e akuzës. Në lidhje me postin e Kryeprokurorit, ministri i Drejtësisë vijoi se, do të ketë një riformulim të kompetencave, si dhe do të ndërhyhet në mandatin e tij, i cili tashmë është i pakufizuar. Do të ndërhyhet edhe në kriteret e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas Alibeajt, prokurorëve do t’iu hiqet imuniteti.                       f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›