E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Nëse PS do aleancë, ta nisë me korrektimin kombëtar

Zgjidhja e vetme për të mos rrjedhur asnjë votë në zgjedhjet e ardhshme, është korrektimi kombëtar. Lëvizja Socialiste për Integrim, i është përgjigjur dje ftesës së radhës së bërë nga Partia Socialiste për një bashkim të ri të opozitës. 

Aristir Lumezi

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje në një konferencë për shtyp se, PS dështoi me reformën zgjedhore dhe sistemi spanjoll u bë nën dirigjimin e kryeministrit Berisha. “Ndaj thirrjet hipokrite për bashkim të opozitës janë alibi për të mbuluar dështimin e reformës zgjedhore dhe faktin që modeli spanjoll u përzgjodh nën dirigjimin e Berishës. Ndaj për të mos çuar dëm, as dhe një votë opozitare kundër regjimit kriminal të Berishës, lidershipi i PS ka vetëm një rrugëdalje, atë të korrektimit kombëtar të votës së shqiptarëve”, theksoi dje Vasili. Sipas zyrtarit të lartë të LSI-së, lidershipi i socialistëve është shprehur kohë më parë se ia dhuroi ndryshimet kushtetuese Berishës në këmbim të sistemit spanjoll, ndërsa tani sipas tij, del e qartë se dhe sistemi spanjoll ishte një dhuratë tjetër e lidershipit të PS për Berishën. “Për këto arsye madhore LSI nuk mund të bëhet pjesë e deformimit të zgjedhjeve dhe e bisht-koalicioneve që ndërtohen mbi presje dhjetore dhe jo mbi bazë parimesh të shëndetshme politike dhe demokratike. Përfundimisht, nëse vërtet PS kërkon bashkimin e opozitës duhet ta nisë atë nga rishikimi i dhunimit të Kushtetutës dhe prishjes flagrante nga ana e PS të marrëveshjes së bashkëpunimit për reformën zgjedhore me partitë e opozitës”, shtoi më tej sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Vasili vijoi se, ishte pikërisht PS-ja e cila nëpërmjet hedhjes së tezës së sistemit spanjoll kërkonte eliminimin e partive të vogla dhe zhdukjen e fenomenit të Dushkut. Ndërkohë që sipas tij, me daljen në skenë të koalicioneve të përbëra riciklohen partitë e vogla për të cilat PS-ja më parë kishte kërkuar asgjësimin e tyre. “Natyrisht, që kjo pyetje e madhe se pse këta po rinovojnë një sistem, i cili promovon këto dy problematika, që ishin konsideruar si prioritare për t’u asgjësuar nga Partia Socialiste, është një pyetje, që duhet t’ia bëjmë vetë PS, e cila duhet që të ndajë çështjen ndërmjet kapjes së saj politike nga Berisha dhe lajthitjes politike. Por, në të dyja rastet besoj që ajo do të ndodhet keq”, iu përgjigj Vasili interesimit të mediave lidhur me këmbënguljen për mbështetjen e skemës së koalicioneve të përbëra. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, PS-ja s’ka më të drejtë morale dhe politike për të përmendur fjalën bashkim të opozitës pasi që nga zgjedhjet lokale ka punuar vetëm për prishjen e marrëveshjes së bashkëpunimit të opozitës.

PS: Meta, kundër nesh me vepra
Partia Socialiste ka reaguar dje ndaj deklaratave të LSI-së, duke e quajtur kreun e kësaj partie, Ilir Metën, si patericë të kryeministrit Berisha. “Gjynah që miku ynë Ilir Meta është kundër Berishës me fjalë dhe kundër Partisë Socialiste me veprime. Duke vepruar kështu, kundër bashkimit dhe interesave të qytetarëve të Shqipërisë, që duhet të shpëtojnë nga kthetrat e kësaj qeverie të korruptuar, gënjeshtare e të paaftë, Iliri po bëhet paterica e Sali Berishës. Ne i bëjmë thirrje të ngrihet mbi interesin e vogël personal, e të dalë nga bataku i politikës së vjetër të mllefit, për të mirën e vendit dhe të njerëzve”, theksoi dje Edlira Haxhiymeri, sekretare për shoqërinë civile dhe shanset e barabarta në PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›