Shkojnë në Itali të fshehur në traget, kapen dy të rinj kavajas
Kufiri
Policia e Udines: Kapja e 152 klandestinëve shqiptarëve, suksesi ynë i 2009-s
Dy të rinj nga Kavaja kalojnë kufirin shqiptar të fshehur në traget dhe kapen nga autoritetet policore bareze në Itali. Të dëshpëruar nga pamundësia për të siguruar një vizë udhëtimi dhe nga liberalizimi aq i dëshiruar e i parealizuar ende për ne shqiptarët, si shumë të tjerë, 15-vjeçari M. K. dhe 19-vjeçari G. H., të dy nga qyteti i Kavajës, kanë vendosur të ikin në mënyrë ilegale përmes Portit Detar të Durrësit. Ata nuk kanë tentuar të sigurojnë viza a dokumente false, por kanë zgjedhur një tjetër rrugë, atë që rëndom përdorej në vitet ’90 dhe deri nga viti 2006, fshehjen në tragete, duke shfrytëzuar veçanërisht periudhën e fluksit të daljes së emigrantëve dhe dhënien e ndonjë ryshfeti të mirë. Policia nuk bëri të ditur nëse po hetohet nga ana e saj për të zbardhur mënyrën se si dy të rinjtë arritën të kapërcejnë postblloqet e forcave të sigurisë portuale të Komisariatit të Policisë së Portit në Terminalin e Trageteve dhe ato të Policisë Kufitare, por deklaroi se me t’u kthyer në Portin e Durrësit dy djemtë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror. Nëse je gazetar dhe nuk e ke dokumentin që dëshmon profesionin tënd është e vështirë t’i kalosh këto postblloqe për të mbërritur deri në shesh. Djemtë nga Kavaja kanë mundur të imbarkohen, nuk dihet ende në çfarë rrethanash dhe kush i ka ndihmuar në këtë ikje, rreth orës 15.00 të ditës së diel në tragetin “Athens” të linjës Durrës-Bari, pa pasur asnjë dokumentacion udhëtimi. E ndërsa nga Porti i Durrësit janë larguar pa ferrë në këmbë, policia kufitare e Barit ka qenë më vigjilente dhe i ka kapur dy shqiptarët e i ka kthyer në vendin e nisjes me tragetin e radhës. Ndërkaq, Policia e Udines në Itali, gjatë një komunikimi publik mbi rezultatet e punës njëvjeçare të saj, ka sjellë në vëmendjen e opinionit historinë e studentëve shqiptarë që u bllokuan në traget në aventurën e tyre për të vizituar vendet e Europës Perëndimore përmes një vize Shengen hungareze. Ky operacion i kapjes dhe kthimit në vendin e origjinës të 152 studentëve shqiptarë është paraqitur si një nga rezultatet më të suksesshme të punës së policisë së kufirit detar udinez përgjatë vitit të kaluar.
#