Disa kompani të huaja paraqesin tek Kryeministri Berisha projektet për ndërtimin e HEC-eve dhe TEC-eve në Shqipëri
Kryeministri Berisha ka pritur sot në mesditë në zyrën e tij, përfaqësues të kompanive të ndryshme të huaja që veprojnë në fushën e energjetikës. Investimi në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla mbi lumenjtë e Shqipërisë ka qenë tema kryesore e këtyre takimeve.
Takimi i parë ka qenë me Presidentin e kompanisë maqedonase "Deboj- Tron". Z. Georgi Georgieski, i ka shpjeguar Kryeministrit Berisha se kompania e tij ka studiuar me kujdes terrenin e lumenjve dhe se interesi i tyre është fokusuar më shumë mbi lumin Mat dhe Vjosë. Kryeministri e ka mirëpritur këtë iniciativë dhe, pasi e ka njohur me ligjin për koncensionet, e ka nxitur z. Georgieski për përshpejtimin e punës, pasi interesi i kompanive të huaja për energjinë në Shqipëri është rritur ndjeshëm.
Pikërisht për këtë qëllim, Kryeministri Berisha ka pritur po sot në zyrën e tij përfaqësues të kompanisë greke ITA, që ka hapur dhe filialin e saj në Shqipëri "Linkchart Albania" Sh.a. Presidenti i kësaj kompanie, z. Anthony E. Gerassimou, i ka parashtruar Kryeministrit Berisha tre projekte të rëndësishme në fushën e energjisë. Projekti i parë, ku partner do të jetë dhe kompania kineze "Boading Tianwei Group", ka të bëjë me ndërtimin e një TEC-i me qymyr në Cerrik, me kapacitet prej 600 megavatë. Projekti i dytë është ndërtimi i një TEC-i me lëndë djegëse, biodiezel, ndërsa projekti i tretë ka të bëjë me ndërtimin e serave për produkte që do të prodhojnë energji.
Kryeministri Berisha i ka përgëzuar kompanitë që kanë zgjedhur Shqipërinë për këtë investim prej 700 milonë euro, duke theksuar edhe njëherë se pozicioni i vendit tonë i bën këto investime në fushën e ernergjisë më efektive, jo vetëm për tregun shqiptar por edhe atë rajonal.