E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Interesi i kompanive të huaja për të investuar në Shqipëri sot është më i madh se kurrë

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u ndal në disa investime të mëdha që po konkretizohen në fushën hidroenergjetike dhe atë të prodhimit të çimentos; si projekti i kompanisë së njohur austriake EVN për kaskadën e lumit Devoll dhe dy projekte në fushën e çimentos, nga kompania greke "Antea Cement" dhe nga kompania spanjolle " Cementos Aguila".

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

"Mbledhja e sotme ka për kryefjalë investimet. Sot ne vendosim për të hapur tenderin për projektin më të madh në veprat hidroenergjetike, si investim privat, projekt i cili përfshin të gjithë kaskadën e lumit Devoll. Kompania e njohur austriake, EVN, pas disa muajsh studimesh, ka hartuar një projekt për ndërtimin e një seri hidrocentralesh në tërë gjatësinë e këtij lumi, bazuar në tërësi mbi tunelin. Në projektet e këtyre hidrocentrale parashikohen të ndërtohen tunele të një gjatësie, të marra së bashku, rreth 50 kilometra. Projekti garanton një shfrytëzim maksimal të potencialit ujor të këtij lumi, një respektim maksimal të luginës në të cilin ai rrjedh dhe një investim që shkon rreth 1 miliardë euro. I parashikuar për t'u ndërtuar me tunele, jetëgjatësia e tij rrok shekuj, jo një por disa. Grupi i oponencës, i ngritur pranë ministrisë së Ekonomisë, ka shqyrtuar për muaj të tërë projektin e kompanisë për lumin Devoll dhe e vlerëson atë një projekt unik në llojin e tij.

Pas këtij vendimi, në përputhje me ligjin shqiptar të Partneritetit Publik Privat, hapet tenderi. Kompani të tjera të mëdha kanë të drejtën të paraqesin projektet e tyre dhe ato do të vlerësohen. Natyrisht, EVN ka bonusin prej 10 për qind, për shkak të përparësisë, sepse ka sjellë përpara projektin, i cili është vlerësuar dinjitoz. Mendoj se ky është një zhvillim shumë madhor.

Kompani të tjera të mëdha botërore, po tregojnë një interes të madh në rritje për burime të tjera ujore të vendit. Veçanërisht Vjosa është më në vëmendjen e tyre dhe shpresojmë që gjatë muajve që do të vijnë, krahas këtij tenderi të madh që hapet për koncesion, të jetë edhe kaskada e Vjosës dhe kështu me radhë.

Por, sot ne vendosim edhe për dy investime të tjera shumë të mëdha në fushën e çimentos, nga dy kompani ndër më të mëdhatë në vendet e tyre dhe në Europë në prodhimin e çimentos. Kompania greke TITAN apo Antea Cement, prej mëse 1 vit e gjysmë ka përfunduar të gjitha studimet minerale e gjeologjike në zonën e Fushë Krujës, ka përfunduar të gjitha studimet mjedisore, por edhe të ndonjë karakteri tjetër, ka bërë gati projektin dhe është e gatshme të fillojë punën. Ka zgjedhur sheshin e ndërtimit të investimit të fabrikës së tij prej rreth 250 milionë euro, një prodhim që fillimisht do të jetë mbi 2 milionë ton dhe do të vijë në rritje. Ky projekt merr sot, me vendimin e qeverisë, ndryshimin e destinacionit të zonës, e cila kalon në zonë minerale dhe nis së shpejti ndërtimin e uzinës. Natyrisht, koha e dhënies së blloqeve që jepen për çimento, për shkak të investimit të madh, do të jetë 99 vjeçare.

Krahas kësaj kompanie, një tjetër kompani tjetër e madhe spanjolle, një gjigand në Spanjë e Europë, në vazhdimësi me të, ka përfunduar projektin dhe ka bërë të gjitha studimet dhe është e gatshme të fillojë ndërtimin e një fabrike të madhe të prodhimit të çimentos. Ky projekt parashikon një investim rreth 250 milionë euro dhe një prodhim mbi 2 milionë ton, si fillim.

Një gjë është e sigurt, që ashtu siç fakton edhe kjo mbledhje, interesi i investitorëve të huaj, i kompanive të mëdha për të investuar në Shqipëri sot është më i madh se kurrë. Ne miratojmë sot dy investime të mëdha në fushën e çimentos që arrijnë rreth 500 milionë euro. Dy projekte të tjera shumë të mëdha janë në përgatitje e sipër nga kompani të mëdha italiane të çimentos.

Ne miratojmë sot kaskadën e Devollit, por ju siguroj se brenda pak muajve këtu do të vijë për miratim kaskada e Vjosës, me një seri hidrocentralesh. Ka kompani që kanë përfunduar studimin për këtë dhe i kanë dorëzuar ato në Ministrinë e Ekonomisë. Së shpejti vjen edhe Skavica. Edhe ky projekt është në përfundim të studimit të mjedisit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›