Kryeministri Berisha pret një delegacion të parlamentit të Kuvajtit
Kryeministri Berisha priti sot në një takim një delegacion të parlamentit të Kuvajtit, që po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kuvendit të Shqipërisë. Delegacioni i parlamentarëve kryesohet nga Dr. Nasser Al-Sane, Zv.Kryetar i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe në përbërje të tij janë përfaqësues nga komisione të ndryshme parlamentare të Kuvajtit.
Kryeministri Berisha dhe parlamentarët kuvajtjanë vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe ndanë të njëjtin mendim se ato janë gjithnjë në rritje, veçanërisht në fushën ekonomike. Parlamentarët kuvajtjanë falënderuan Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke u shprehur se kjo vizitë e tyre pritet me shumë interes nga parlamenti dhe qeveria e Kuvajtit.
Në takim u diskutua për mundësinë e hapjes së ambasadave respektive në Kuvajt dhe në Shqipëri, për të cilën të dy palët shprehën vullnetin e plotë që kjo çështje të shikohet me përparësi.
Kryeministri Berisha e vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit në fusha si transporti, ekonomia, lehtësimi i lëvizjes së lirë, etj.. Nga ana e tij, Dr. Nasser Al-Sane shprehu mbështjen e tij për hapjen e një linje ajrore mes dy vendeve. Gjithashtu, të dy palët ndanë të njëjtin mendim për lehtësimin e sistemit të vizave mes dy vendeve, veçanërisht për kategorinë e biznesit.
Kryeministri Berisha shprehu gadishmërinë e qeverisë shqiptare për të plotësuar të gjitha marrëveshjet dypalëshe që lehtësojnë bashkëpunimin ekonomik dhe nxisin investimet. Kryeministri ftoi investitorët kuvajtjanë që të rrisin praninë e tyre e tyre në Shqipëri në sektorë të ndryshëm si turizmi, infrastruktura, telekomunikacioni, etj.. Ai vuri në dukje se qeveria po bën çdo përpjekje për krijimin e një klime lehtësuese dhe mbështetëse për investitorët vendas e të huaj.
Kryeministri Berisha i përcolli ftesën Kryeministrit e Kuvajtit, Sheik Nasser al-Mohammed al-Ahmed al-Sabah, si dhe Lartësisë së tij Emir Sabah IV Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, për të vizituar Shqipërinë.