Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Pergjithshem të Bashkimit Postar Botëror, zotin Eduard Dayan
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Pergjithshem të Bashkimit Postar Botëror, zotin Eduard Dayan.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Eduard Dayan me përpjekjet e qeverisë shqiptare për realizimin me sukses të një sërë reformash në fusha të ndryshme.
Duke vlerësuar rëndësinë e shërbimit postar, Kryeministri u shpreh se po bëhen të gjitha përpjekjet për modernizimin e vazhdueshëm të tij. Gjithashtu Kryeministri Berisha e njohu zotin Dayan me ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Posta Shqiptare gjatë dy viteve të fundit, duke theksuar se këto ndryshime i rikthyen postës shqiptare, imazhin pozitiv dhe besimin e qytetarëve. Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri u shpreh se qeveria është e gatshme të ndihmojë dhe mbështesë Postën Shqiptare në projektet për modernizimin dhe zhvillimin e shërbimeve në të gjithë vendin, duke lehtësuar kështu jetën e qytetarëve.
Duke falenderuar Kryeministrin Berisha për mikëpritjen, zoti Dayan shprehu vullnetin e tij dhe të institucionit që ai përfaqëson për të bashkëpunuar me postat shqiptare, në ndihmë të zhvillimit të këtij sektori. Zoti Dayan u shpreh i gatshëm për të ofruar ndihmë në drejtim të reformës rregullatore e ligjore të këtij sektori, duke vlerësuar se kjo do të shërbejë në kuadrin e zhvillimit të shoqërisë së informacionit.