Investimet e huaja në sistemin bankar, vlerësim dhe besueshmëri në ekonominë shqiptare
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot në mbrëmje, në ceremoninë zyrtare të bashkimit të Bankës Popullore shqiptare me Bankën franceze Societe Generale.
Të ftuar në këtë ceremoni ishin personalite të larta të vendit, si kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik në vend, si dhe autoritetet drejtuese të bankave përkatëse.
Zoti Bernard David zëvendësdrejtor i përgjithshëm për sistemin e bankave jashtë Francës, u shpreh në fjalën e tij, se Societe Generale ndihet krenare që mund të investojë në Shqipëri, duke kontribuar në këtë mënyrë në zhvillimin e vendit.
Kryeministri Berisha, duke përshëndetur, theksoi se ardhja e Societe Generale në vendin tonë përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë jetën e vendit.
Kryeministri e vlerësoi këtë ngjarje si investimin më të madh francez të viteve të fundit, i cili përbën një kredencial të çmuar për Shqipërinë.
Duke falenderuar drejtuesit e Societe General për besimin e treguar ndaj vendit tonë, Kryeministri theksoi se ky besim është një mbështetje e fuqishme për ekonominë shqiptare në tërësi.
Në përfundim, Kryeministri Berisha nënvizoi se ardhja e bankave prestigjoze në vendin tonë dëshmon se ekonomia shqiptare është një ekonomi dinamike, entuziaste, dhe e sigurtë, për hapsira të reja tregu dhe zhvillimi.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
"Ardhja e bankës franceze, Societe General përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë jetën e vendit. Një nga bankat më të fuqishme të Evropës dhe më gjerë, vendos të bashkohet me Bankën Popullore, tu bashkangjitet kështu bankave të tjera të mëdha prestigjoze që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe që kanë bërë tregun bankar të jetë në avanguardën e tregjeve të tjera të vendit.
Me këtë rast, dua të falenderoj shumë përzemërsisht drejtuesit e Societe General për besimin e madh që kanë shprehur, jo vetëm ndaj Bankës Popullore, por ndaj Shqipërisë në tërësi.
Bankat janë para së gjithash, para se të jenë banka monedhash apo letrash me vlerë, janë banka besimi. Në këtë kontekst ky besim i madh që shprehet sot është një mbështetje shumë e fuqishme për Shqipërinë dhe për ekonominë shqiptare. Por dua të theksoj se kjo përbën një ngjarje të madhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës. Ky është investimi më i madh francez në Shqipëri gjatë të gjitha viteve të fundit. Ardhja sot këtu e Societe General përbën një kredencial shumë të çmuar për Shqipërinë.Me ardhjen në Shqipëri të Societe General, kompani të mëdha franceze, të cilat dëshmojnë një interes në rritje, do të ndihen shumë më mirë, do të ndihen më të sigurta dhe do të projektojnë në Shqipëri investime shumë më të mëdha, në vitet që vijnë.
Gjithashtu dëshiroj të bëj një falenderim të veçantë për drejtuesit e Bankës Popullore dhe të gjithë aksionerët e saj . Kjo bankë u themelua pak vite më parë, e tëra mbi bazën e kapitalit shqiptar, por u menaxhua tërësisht nga staf shqiptar, i aftë, i cili me përkushtimin e madh arriti të mbijetojë dhe të zhvillohet në një treg bankr konkurrues me aktorë të mëdhenj ndërkombëtarë , të pranishëm në Shqipëri. Banka popullore me punën e stafit të saj ia doli të tërheqë në ortakëri njërën prej bankave më me emër në Evropë, Societe Generale. Drejtuesit dhe aksionerët e saj dhanë një meritë të vecantë, ndaj dhe unë dua ti përgëzoj ata.
Në një hark kohor të shkurtër ne së bashku jemi dëmitarë të dy ngjarjeve jashtëzakoniosht të mëdha të jetës së vendit.Vetëm dy javë më parë ne së bashku festuam ardhjen e San Paulo IMI në Bankën Amerikane të Shqipërisë. Sot ne festojmë ardhjen e Societe Generale, dëshmi këto, se ekonomia shqiptare është një ekonomi dinamike, entuziaste, e sigurtë në hapsira të reja tregu dhe zhvillimi.
Edhe njëherë dua ti falenderoj dhe të bëj urimet më të përzemërta Societe Generale dhe Bankës popullore."