E Diel, 1 Nëntor 2026

Disa nga furrat shtrenjtojnë me 10 lekë çmimin. Koço Broka: E ndikuar nga paniku mediatik Çmimi i bukës, hetim prodhuesve Autoriteti i Konkurrencës: Rritja e çmimit nuk është e motivuar

Në shumë prej furrave të bukës në Tiranë çmimi është rritur me 10 lekë. Ekspertët flasin për një shtesë artificiale dhe abuzive, pasi tregu i brendshëm nuk ka pësuar luhatje.

çmimi i miellit dhe i grurit ka qenë i njëjtë gjatë gjithë javës së kaluar. Kjo, edhe pas shtrenjtimit të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare nga Embargo e Rusisë për eksportin e grurit. Pronarët e furrave tregojnë se bëhet fjalë vetëm për bukën 750 gramëshe dhe jo për llojet e tjera. Sipas tyre, në treg çmimi i miellit është 25% më i shtrenjtë, çka bën që edhe kostoja për prodhimin e bukës të rritet me 10 lekë. Por këtë vendim nuk e kanë marrë të gjitha furrat. Të kundërtën pretendon autoriteti i konkurrencës. Nga sa pohojnë përfaqësuesit e këtij institucioni, çmimi i grurit në vend ka qenë i njëjtë gjatë gjithë javës së shkuar dhe vetëm dje ka pasur një luhatje minimale. Autoriteti i konkurrencës po monitoron ecurinë e çmimit të grurit si në tregjet ndërkombëtare, ashtu dhe atë vendëse. Në rast se vihen re rritje abuzive, ky institucion në bashkëpunim me Tatimet, doganat dhe Ministrinë e Bujqësisë do të ndërhyjë. Por gjithsesi nga sa bëjnë me dije përfaqësuesit, aktualisht shtesa prej 10 lekësh nuk është e motivuar, por e nxitur më shumë nga njoftimet mediatike. “Këto njoftime në media kanë efekte në kërkesën konsumatore. çka mund të sjellë pasoja të ndryshme e për rrjedhojë edhe reagimet janë të ndryshme. Nga njëra anë kemi reagimin e biznesit nga ana tjetër atë të konsumatorëve. Ne po ndjekim me kujdes reagimin e bizneseve që nga ata të tregtimit të grurit. Ka një intensifikim të operatorëve të prodhuesve të miellit për blerjen e grurit brenda vendit. Nga sa jemi ne në dijeni, niveli i çmimit të grurit në vend nuk ka lëvizur”, tha për gazetën një prej komisionerëve të autoritetit të konkurrencës, Koço Broka. Ai shtoi se deri tani autoriteti i konkurrencës ka kryer tri hetime në fushën e grurit dhe të miellit. Kjo strukturë ndërhyn për të rregulluar tregun atëherë kur ka rritje artificiale dhe të pajustifikuara. “Kur konstatojmë një gjë të tillë ne marrim masa, por kjo nuk do të thotë që ne jemi kundër iniciativës së lirë. Autoriteti i konkurrencës ka kryer tri hetime. I pari, në kohën kur u rrit për herë të parë çmimi i bukës në vitin 2007-2008. Më pas me disa fabrika mielli, të cilat kishin abuzuar dhe ndaj tyre është vendosur një gjobë jo e vogël. Më tej ne kemi kontrolluar në rrethe të tjera të vendit për ecurinë e çmimit si psh. Korça në muajin maj”, tha Koço Broka. Sipas tij, në rast se në ditët në vijim vërehet e njëjta problematikë, autoriteti i konkurrencës do të nisë një hetim të plotë ndaj bizneseve për të parë se ku e ka zanafillën abuzimi. Gjithçka do të realizohet në bashkëpunim me Tatimet, doganat dhe Ministrisë e Bujqësisë, çka nuk përjashton edhe vendosjen e gjobave. Këto gjoba mund të shkojnë deri në 10% të xhiros vjetore të vitit të kaluar. Rritja e çmimit të bukës prek më tepër qytetarët që jetojnë me pensione apo me ndihmë sociale, të cilët kanë të ardhura të ulëta për të përballuar jetesën. Aktualisht vendi ynë mbjell çdo vit 100 mijë hektarë grurë, prej të cilave prodhohen 400 mijë tonë miell. Po kaq ne i sigurojmë edhe nga importi prej vendeve të tjera, ku Rusia zë më shumë se gjysmën. Përpara viteve ‘90 në Shqipëri mbilleshin çdo vit 200 mijë hektarë grurë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›