Krahasimi i shifrave nga tetori. Në korrik u rrit ndjeshëm çmimi i karburanteve INSTAT korrigjon “mashtrimin” me inflacionin Grafiku i ri, ja efektet që dha rritja e tarifave mjekësore
INSTAT ka gati një vit që publikon shifrat të pavërteta inflacioni. Kjo nuk është ndonjë akuzë e opozitës, por realiteti i ri i treguar në vetë tabelat e INSTAT. Ndryshimi i shifrave të inflacionit mund të sjellë një shembje të të gjitha politikave monetare apo fiskale të Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë. Por ka shumë gjasa që kjo të mos ndodhë, pasi vetë këto dy institucione e kanë të qartë marzhin e gabimit që ka në të dhënat e INSTAT. Për tetë muaj me radhë, nga tetori i vitit të kaluar deri në maj të këtij viti, INSTAT ka dhënë një shifër inflacioni jo të vërtetë. Gazeta boton tabelën me ndryshimet e paraqitura dje nga vetë INSTAT. Mesatarisht inflacioni është ulur me 0.2 për qind në muaj. Kjo, pasi INSTAT që nga tetori i viti të kaluar nuk ka llogaritur çmimet e grupit “Shërbime mjekësore, paramjekësore dhe dentare”. Pas tetorit dhe reformës në shëndetësi, çmimet e shërbimeve mjekësore u rritën djeshëm. Shifrat e INSTAT tregojnë se rritja e këtij shërbimi, pra vizitës te mjeku i të gjitha niveleve, u rrit mesatarisht me 50 për qind çdo muaj. Mospërfshirja e këtij zëri në inflacion ka bërë që edhe shifra e rritjes së çmimeve të jetë më e vogël për gjithë këtë kohë. Nuk dihen arsyet, por e gjithë kjo manovër, sigurisht që nuk shërben për të rritur imazhin e besueshmërisë nga INSTAT. Dhe në rast se nuk kemi besim te statistikat, atëherë çdo reformë, apo politikë ekonomike ose sociale, do të ishte e destinuar të dështonte.
Inflacioni i korrikut
Sipas njoftimit të djeshëm, inflacioni në korrik është 3.4 për qind, kur një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 për qind. “Indeksi i grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.3 për qind brenda këtij grupi. Ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Sipas INSTAT, indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike dhe çmimi i duhanit shënuan një rritje prej 0.2 për qind. “Indeksi i grupit “transport” nuk ka ndryshuar por, brenda tij çmimet e karburanteve shënuan rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ndërsa çmimi i benzinës 0.2 për qind. Indeksi i grupit “shëndeti” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të shërbimeve mjekësore me 0.2 për qind dhe medikamenteve me 0.1 për qind.”