Mamurras, 20 vjet pa ujë të pijshëm, banorët në protestë
MAMURRAS - Prej 20-vjetësh banorët e një lagjeje në qytetin e Mamurrasit nuk kanë asnjë pikë ujë në çesmat e tyre. Ata paralajmërojnë se do të bllokojnë rrugën nacionale, nëse nuk do të merren masa. Banorë të lagjes "Demokracia" u mblodhën dje pranë shkollës 9-vjeçare në këtë qytet dhe protestuan për gjendjen e krijuar. Në këtë lagje janë 600 familje, të cilët prej dy dekadash po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Sipas tyre, rreth 10 vjet më parë është investuar dy herë nga ana e Ndërmarrjes së Ujësjellësit për të bërë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm, por një gjë e tillë nuk është realizuar. Burime nga bashkia bënë të ditur se është Ministra e Transportit ajo që ka në varësi Ndërmarrjen e Ujësjellësit në Laç, e cila mund të ndërhyjë në zgjidhjen e situatës. " Ka mbi 20-vjet që ne nuk furnizohemi me ujë të pijshëm. Jemi detyruar ta blejmë ujin ose të udhëtojmë me kilometra të tëra për të mbushur ujë me bidona. Ne do përshkallëzojmë protestën deri në bllokimin e rrugës nacionale, nëse nuk do të merren masa. Jemi ankuar edhe në bashki, por na kanë kthyer si përgjigje se ujësjellësi nuk është në varësinë e tyre", u shpreh njëri nga qytetarët protestues. Kreu i Bashkisë në Mamurras, Dedë Ndreca, tha se ujësjellësi nuk është në varësi të pushtetit vendor. "Edhe pse ligji është miratuar që kjo ndërmarrje të kalojë në varësi të bashkisë, një gjë e tillë nuk është realizuar nga ana e ministrisë përkatëse. Ne kemi kërkuar zgjidhjen e situatës", u shpreh kryebashkiaku Ndreca. r.n