E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Brendshëm: Do të bëhen ndryshime nënligjore dhe operacionale për shmangien e tragjedive “Arma e krimit s’do shkrepë mbi policinë” Përkujtimi i 4 dëshmorëve të Durrësit, Basha paralajmëron masa

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, paralajmëroi dje ndryshime organizative dhe ligjore në polici me qëllim parandalimin e viktimave në radhët e uniformave blu, që organizojnë aksione për arrestimin e personave të kërkuar.

Gjatë ceremonisë përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve, për 4 oficerët e policisë të vrarë në Durrës më 7 gusht të vitit të kaluar, Basha nënvizoi se çdo kriminel që i drejton armën policisë, nuk duhet të ketë shansin ta shkrepë atë. “Përgatitja e kuadrit nënligjor dhe stërvitja operacionale taktike që ju keni ndërmarrë, si dhe mësimet e nxjerra nga këto ngjarje, do të shërbejnë në mënyrë që kurrë më kush guxon t’i drejtojë armën Policisë së Shtetit të mos ketë shansin ta shkrepë atë”, u shpreh ministri Basha dje gjatë ceremonisë në nderim të katër efektivave të policisë të vrarë gjatë aksionit për arrestimin e Dritan Dajtit, organizuar një vit më parë në afërsi të zonës së plazhit në Durrës. Sipas bazës ligjore dhe nënligjore në fuqi, Policia e Shtetit mund të qëllojë vetëm me urdhër personat e kërkuar që kundërpërgjigjen ndaj uniformave të rendit. Rregullorja parashikon fillimisht të shtënat në ajër dhe më pas, shenjëstrimin e personave të rrezikshëm në pjesë periferike të trupit, me qëllim neutralizimin dhe jo eliminimin e tyre.
Përkujtimi i 4 dëshmorëve
Ministria e Brendshme organizoi dje në varrezat “Dëshmorët e Kombit” një ceremoni përkujtimore me rastin e 1-vjetorit të rënies në krye të detyrës të katër punonjësve të Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë ku merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj, zyrtarë të tjerë të rendit dhe familjarë e të afërm të katër dëshmorëve, ministri Basha vlerësoi se katër Dëshmorët e Atdheut sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vlerave më të larta, që qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike. Basha siguroi se Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Qeveria kanë marrë dhe do të marrin të gjitha masat e përkujdesjes për familjarët dhe fëmijët e tyre. “Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e Kryeministrit Berisha ngurtësoi njëherë e mirë në ligj të gjitha detyrimet që shteti mbart për katër Dëshmorët e Atdheut dhe të gjithë të rënët në krye të detyrës të Policisë së Shtetit”, theksoi ministri. Ai iu referua një ligji të miratuar pak kohë më parë në Kuvend, i cili parashikon pension dhe ndihmë financiare për arsimimin e fëmijëve të policëve të rënë në krye të detyrës, të cilët përfitojnë në një afat kohor pagën që ka pasur prindi në momentin e rënies në detyrë. Në fjalën e tij, Ministri Basha u fokusua tek sfidat dhe rreziqet me të cilat përballet Policia e Shtetit në përpjekje për zbatimin e ligjit dhe garantimin e lirive të çdo qytetari para ligjit. Ceremonia përkujtimore vijoi më pas me vendosjen e kurorave me lule në nderim të katër Dëshmorëve të Atdheut nga ministri i Brendshëm Basha, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe familjarët e dëshmorëve. Në përfundim të ceremonisë përkujtimore, ministri Basha dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit zhvilluan vizita pranë familjeve të katër Dëshmorëve të Atdheut, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›