E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia shqiptare i kthen Gatuzos makinën e vjedhur

 
Automjeti tip “Range Rover”, që dikur ishte me targa italiane, ditën e djeshme iu kthye pronarit të ligjshëm, mesfushorit të skuadrës së “Milanit”, Xhenaro Gatuzo
 
Artan CENA
TIRANë - Lojtari i “Milanit”, Ivan Xhenaro Gatuzo, është bërë sërish pronar i makinës së tij, të vjedhur që në vitin 2006 dhe e ndaluar në Tiranë një vit më parë. Policia e Tiranës tha ditën e djeshme, se specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme kanë bërë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë mbi kthimin e dy automjeteve të sekuestruara në Tiranë, të dyshuara të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. Njëra prej makinave i përket lojtarit të “Milanit”, që i ishte vjedhur disa vite më parë në Milano. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se automjeti tip fuoristradë e markës “Range Rover”, ngjyrë e zezë, që është sekuestruar nga specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë më datë 11 nëntor 2009, në afërsi të “Rrugës së Durrësit” në Tiranë. Ky automjet u sekuestrua, sepse nga verifikimet e kryera, ka rezultuar i vjedhur në Itali me datë 2 tetor 2006, automjet në pronësi të shtetasit italian Ivan Xhenaro Gatuzo, me targa origjinale CW542YG.
Vjedhja
Më 2 tetor 2006, mesfushori i “Milanit” dhe i përfaqësueses italiane kishte denoncuar vjedhjen e autostradës me numër shasie “SALLSAA 146A927689”, që përtej Adriatikut qarkullonte me targën CW542YG. Mjeti luksoz është futur në Shqipëri nga një qytetar italian, nëpërmjet portit të Durrësit. Ajo është blerë nga një person nga Mamurrasi, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve, e së fundmi është zhdoganuar dhe pajisur me targa shqiptare (TR 0056 P). Gatuzo është një emër mjaft i njohur në vendin tonë, madje ka edhe një numër të madh mbështetësish dhe simpatizantësh: ai është një prej emrave më të spikatur te “Milani” në këto vitet e fundit dhe vlerësohet për lojën e fortë dhe faktin se asnjëherë nuk tërhiqet mbrapa gjatë përplasjeve fizike në fushë. Në maj të vitit të kaluar, Gatuzo ka qenë i pranishëm në Shqipëri në miqësoren e “Milanit” me Kombëtaren B, pa e imagjinuar se makina e tij e vjedhur do të gjendej pikërisht këtu. “Range Rover” i Gatuzos nuk është rasti i parë i makinave të vjedhura që gjenden ose kanë lidhje me vendin tonë.
Precedentët
Ekzistojnë edhe dy precedentë të tjerë, me mjete që më parë i përkisnin mesfushorit anglez, Dejvid Bekam, dhe mbrojtësit legjendar të “Milanit” dhe Italisë, Franko Barezi. Rreth tre vjet më parë, në kufirin e Shqipërisë me Maqedoninë u bllokua një automjet, tip “BMW X5”, e cila dyshohej se ishte e Bekamit. Makina, vlera e së cilës përllogaritej në afro 100 mijë euro, ishte zhdukur në Spanjë, gjatë periudhës kur mesfushori britanik militonte te “Reali” i Madridit. Në 2006-ën, fuoristrada u bllokua në afërsi të doganës së Tushemishtit, ku pas një kontrolli rutinë të policisë së vendit fqinj, u zbulua se makina ishte e vjedhur, dhe nga Spanja ajo kishte kaluar transit në Bullgari dhe Maqedoni, ndërsa destinacioni final ishte Shqipëria. Madje, në atë periudhë u ngritën dyshime se “BMW”-ja luksoze kishte arritur të hynte në territorin shqiptar, por mjeti u kthye mbrapsht, pasi marrëveshja mes trafikantëve nuk u arrit. Ndërkohë, disa vjet përpara “BMW”-së së Bekham, në mediat italiane u diskutua se makina që i ishte vjedhur Franko Barezit gjendej në Shqipëri. Bëhej fjalë për një “Ferrari”, i cili i ishte grabitur ish-numrit 6 të “Milanit” në Milano dhe që kishte arritur të futej kontrabandë në vendin tonë.
 
 
Kthehen te pronarët edhe gjashtë makina të tjera
TIRANë - Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur dje, se ka kthyer edhe disa makina të tjera te pronarët e tyre në Itali dhe Norvegji dhe Greqi. Kështu janë kthyer edhe gjashtë automjete të tjera. Sipas një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme bënte me dije se: “Përkatësisht, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Prokurorinë e Rretheve Gjyqësore Tiranë dhe Shkodër, janë kthyer respektivisht automjetet e mëposhtme: automjeti tip “Porche Carrera”, automjeti tip “Mercedes E 320”, automjeti tip “Benz Mercedes E 280”. Ndërsa në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze dhe Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Tiranë dhe Tropojë janë kthyer respektivisht automjetet e mëposhtme: automjeti tip “Benz Mercedes A 140” dhe automjeti tip “Volksvagen”.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›