E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disipilina ndeshkon Pogradecin me - 3 pike

/* */

Komisioni i Disiplinës u tregua i ashpër me Pogradecin, pas dhunës së pamëshirshme të ushtruar ndaj gjyqtarit Enea Jorgji (në takimin Pogradeci-Teuta 1-2), duke i hequr skuadrës liqenore -3 pikë nga totali i pikëve të grumbulluara (deri në javën e 12-të, tashmë nga 16 në 13 pikë) dhe duke e detyruar skuadrën pogradecare të “emigrojë” gjatë gjithë fazës së dytë (në total 7 ndeshje), duke i zhvilluar takimet në fushë asnjanëse dhe pa shikues.

Në listën e vendimeve të djeshme të Disiplinës (u dhanë në total 22 vendime dhe u vendosën në total 828 mijë lekë gjobë), nuk munguan edhe trajneri i Pogradecit, Ylli Çekiçi (u pezullua 8 ndeshje dhe 100 mijë lekë gjobë), por dhe dy lojtarët titullarë: kosovari Isa Eminhazeri (6 ndeshje, 100 mijë lekë gjobë) dhe maqedonasi Nedjad Drazhanin (4 ndeshje, 100 mijë lekë gjobë), të tre me motivacionin për sjellje jo të mirë sportive.

Tifozët hodhën objekte të shumta, përfshirë gurët dhe shishet, ndërkohë që disa lojtarë të Pogradecit dhunuan në tunelin e dhomave të zhveshjes gjyqtarin e njohur Enea Jorgji, “bilbilin” e ndeshjes Pogradeci-Teuta (1-2).

Ndeshja Pogradeci-Teuta, e fituar 2-1 nga kryesuesit edhe kampionët e dimrit të Superligës, u vendos dy minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, kur Tefik Osmani me ekzekutoi saktë një penallti në minutën e 88-të, e që prishi atë barazim të përkohshëm 1-1, pas golave të Isa Eminhazerit (17’) për Pogradecin dhe Mirel Çotës të Teutës në minutën e 65-të.

Në fakt, drejtuesit e klubit të Pogradecit, përfshirë kryebashkiakun Artan Shkëmbi, hodhën akuza të ashpra ndaj Jorgjit, që u kthye në shtëpi, i rrahur dhe i gjakosur, si nga grushtet e lojtarëve ashtu dhe nga çadrat e tifozëve.

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, foli me tone të ashpra gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Kombëtares, Xhani De Biazi, duke deklaruar se futbolli nuk ka nevojë për vetëgjyqësi dhe se vendimi i gjyqtarit është i padiskutueshëm.

Pas zbritjes së tri pikëve, tashmë Pogradeci zbriti në kuotën e 13 pikëve (po aq sa Kamza), duke u renditur në vendin e 10-të. Në javën e fundit të fazës së parë, liqenorët do të përballen me Skënderbeun në Korçë (të premten).

Duke u ndalur në Kategorinë Superiore, bien në sy edhe ndëshkimi i sulmuesit të Vllaznisë, Aramndo Vajushi dhe mesfushorit të Dinamos, Endri Lala, me nga tri ndeshje pezullim secili, për sjellje jo korrekte ndaj kundërshtarit.

Edhe pse gjyqtarët e bojkotuan një javë kampionatet e të gjitha niveleve, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini në Laç, sërish dhuna ndaj “xhaketave të zeza” nuk mungoi edhe fundjavën e kaluar.

Është hera e dytë gjatë këtij sezoni, që Komisioni i Disiplinës merr një vendim për ndëshkim me zbritje pikësh, duke marrë në konsideratë edhe dënimi e Laçit me –6 pikë dhe zhvillimin e ndeshjeve si organizator, në fushë asnjanëse dhe pa shikues.

Sindromi i dhunës – përtej masave ekstreme që ka marrë Komisioni i Disiplinës (gjoba të majme, pezullime afatgjata, ndeshje pa shikues apo në fushë asnjanëse) – po e shoqëron Kategorinë Superiore gjatë gjithë 12 javëve të para, duke dhënë sinjalin e frikshëm se, përtej dyshimeve për fiksim rezultatesh (13 ndeshje të dyshuara), vlera e dhunës në arkën e FSHF-së i ka kaluar 25 milionë lekët.

Të gjithë jemi bërë dëshmitarë, se historiku i dhunës po pasurohet çdo fundjavë, me akte vandale nga ana e ultrasve dhe tifozëve që tejkalojnë çdo gjë në irritimin e tyre ekstrem, aq sa tani fyerjet ndaj gjyqtarëve duken si “lojë fëmijësh”, kur kemi parasysh dhunën psikologjike dhe fizike të ushtruar ndaj tyre.

RENDITJA E RE

1     Teuta            12     +10     31
2     Tirana         12     +8     26
3     Skënderbeu     12     +10     23
4     Kastrioti         12     +7     22
5     Flamurtari     12     +9     21
6     Vllaznia        12     +3     17
7     Bylis         12     +2     17
8     Shkumbini        12     -4     15
9     Kamza         12     -2     13
10     Pogradeci         12     -5     13
11     Laçi             12     -2     10
12     Apolonia        12     -12     8
13     Tomori        12     -12     8
14     Dinamo         12     -12     0

* Dinamos i janë hequr 3 pikë nga FIFA. Laçit i janë zbritur 6 pikë nga Komisioni i Disiplinës, Pogradecit 3 pikë nga po ky komision

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›