E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplina “burgos” “Skënderbeun”

Dy ndeshje në shtëpi me "dyer të mbyllura" dhe 3 milionë lekë (të vjetra) gjobë. Ky ishte vendimi i Komisionit të Disiplinës për Klubin e Futbollit Skënderbeu pas protestës së dhunshme ndaj gjyqtarit Pajtim Lapi dhe trazirave pas ndeshjes Skënderbeu-Besa (1-1) e vlefshme për javën e katërt të Kategorisë Superiore. Disiplinori e motivoi vendimin me "mosmarrje të masave të mjaftueshme organizative dhe të sigurisë" dhe në bazë të Nenit 24/1 (pikat a, b) të Kodit të Drejtëisë Sportive dha edhe masën e fortë të dënimit. Gjithsesi, klubi korcar duket se ka shpëtuar nga një vendim më i ashpër, teksa nuk ishin të paktë ata që mendonin se Skënderbeu mund të zhvillonte një seri ndeshjesh jashtë shtëpisë. Sipas vendimit të Komisionit të Disiplinës, klubi korcar mund të ankohet kundër vendimit brenda pesë ditëve në Komisionin e Apelit pranë FSHF-së.
Sejdini - Jashtë rrezes së dorës së "hekurt" të FSHF-së nuk mbeti as trajneri Faruk Sejdini, për shkak të gjesteve të tij fyese dhe provokuese në hollin e stadiumit "Skënderbeu". "Xhaxhi", i cili u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Pajtim Lapi në fund të pjesës së parë, gjë që nxiti edhe tensionin në radhët e shikuesve, u pezullua një ndeshje nga drejtimi i skuadrës dhe u gjobit me 30 mijë lekë.
Ndeshja – Skënderbeu, që ia doli të fitojë me kampionen në fuqi, Tiranën, nuk arriti të thyente Besën e Kavajës, që nga transferta në Korcë mori rezultatin e katërt rresht në katër javët e para. Goleadori Marius Njela shënoi golin për "Ujqërit e dëborës" në minutën e 47-të, ndërsa Besa barazoi në minutën e 68-të (1-1) me anë të meksikanit me pasaportë franceze, Elokan.
Ngjarja – Tifozët korcarë, të cilët festuan në mënyrë madhështore fitoren me Tiranën (4-2) një javë më parë, shpërthyen në mënyrë të pazakontë pas përfundimit të ndeshjes me Besën (1-1), duke fyer e më pas sulmuar gjyqtarin Pajtim Lapi me gurë dhe sende të forta, teksa "xhaketa e zezë" po shkonte për në dhomën e zhveshjes i mbrojtur nga një skuadër policësh me mburoja plastike. Vendimet e dyshimta gjatë ndeshjes, ndëshkimi me karton të kuq i trajnerit Sejdini, mbyllja para kohe e ndeshjes, provokuan edhe tifozët e shumtë në shkallët e stadiumit.
Përleshja - Tifozët e Skënderbeut për herë të parë ndoshta në historinë e tyre kanë shpërthyer në një revoltë të tillë, ndërkohë që për disa caste ka pasur dhe një përleshje të shkurtër me policinë. Para stadiumit, tifozët thyen në shenjë proteste xhama vitrinash duke hedhur sende të forta. Policia u përpoq të mbajë situatën nën kontroll ndërsa mjetet e saj dhe dhjetëra uniforma blu u përpoqën të mos precipitojë situata në dhunë.

Vendimet për...

Klubet - K.F "Skënderbeu" për mosmarrje të masave të mjaftueshme organizative dhe të sigurisë dënohet dy ndeshje, duke i zhvilluar dy ndeshjet e ardhshme të shtëpisë pa praninë e shikuesve dhe gjobitet me 300.000 lekë në bazë të Nenit 24/1,a,b të Kodit të Drejtësisë Sportive. Fusha e KF "Përparimi" të Kukësit, për mosmarrje të masave organizative gjatë ndeshjes me Albpetrolin, pezullohet tri javë. Ekipi i zhvillon ndeshjet në fushë asnjanëse si dhe gjobitet me 50.000 lekë gjobë në bazë të Nenit 24/1,a,c të K. D. Sportive
Zyrtarët - Zyrtari i KF "Përparimi", Flamur Ollomani, për gjeste fyese e provokuese ndaj arbitrave pezullohet tri javë dhe gjobitet me 30.000 lekë gjobë në bazë të Nenit 24/10 të K. D. Sportive. Mjeku i KF "Përparimi", Astrit Tota, për gjeste fyese e provokuese ndaj arbitrave pezullohet tri javë nga aktivitetet dhe gjobitet me 30.000 lekë gjobë në bazë të Nenit 24/10 të K. D. Sportive.
Trajnerët - Trajneri i ekipit "Skënderbeu", Faruk Sejdini, për gjeste fyese e provokuese ndaj arbitrave në hollin e stadiumit pezullohet nga drejtimi i ekipit një ndeshje dhe gjobitet me 30.000 lekë gjobë në bazë të Nenit 25/5 të K. D. Sportive. Trajneri i ekipit të Memaliajt, Aleksandër Qiqi, për ofendim të arbitrit dhe dalje jashtë nga fusha pezullohet tri javë nga aktiviteti dhe gjobitet me 30.000 lekë gjobë në bazë të Nenit 24/10 të K. D. Sportive
Lojtarët - Gabriel Sisoko pezullohet të aktivizohet me ekipin e "Bylisit" deri në shqyrtimin e dokumenteve që do të sjellin klubet e futbollit Turbina dhe Bylis në mbledhjen e ardhshme.
Futbollistët e KF "Përparimi", Xhevahir Biba, Drilon Lamaj, Besmir Beluli, për gjeste fyese dhe provokuese ndaj arbitrave pezullohen nga tri javë secili dhe gjobiten me nga 30.000 lekë.
Futbollisti i ekipit "U-17" të KF "Sopoti", Eraldo Menalla, për goditje me grusht të kundërshtarit pezullohet tetë javë nga aktiviteti në bazë të Nenit 26/1,b të K. D. Sportive. Futbollisti i ekipit "U-17" të KF "Elbasani", Denis Belshaku, për goditje me grusht të kundërshtarit pezullohet tetë javë nga aktiviteti në bazë të Nenit 26/1,b të K. D. Sportive. Futbollisti i ekipit "U-19" të Burrelit, Aurel Kuka, për goditje me shkelm të arbitrit pezullohet dy vjet nga aktiviteti në bazë të Nenit 26/3 të K. D. Sportive.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›