Çelsi, lojera fjalesh me Van Bastenin

Celsi mohoi zyrtarisht njoftimet e mediave se ish-sulmuesit të Kombëtares holandeze, Marko Van Bastenit, i ishte ofruar detyra e trajnerit në "Stemford Brixh". "Klubi i Futbollit Celsi hedh poshtë në mënyrë totale se puna e menaxherit ose e trajnerit të parë i është ofruar ndonjë individi tjetër përvecse Avram Grantit", - thuhej në deklaratën e klubit të miliarderit rus Roman Abramovic, të cituar nga CNN në versionin e saj on-line. Grant mori në dorëzim ekipin e "bluve" pas shkarkimit befasues të portugezit Hoze Murinjo dhe humbja 2-0 në Premier Ligë me kampionin Mancester Junaitid e ka vendosur menjëherë trajnerin izraelit në presion të fortë.
GRANT - Trajneri në detyrë i Celsit, Grant, tha: "Trajnerët vijnë e shkojnë. Jo të gjithë qëndrojnë si Sër Aleks Fergusoni. Unë e respektoj Hozenë shumë. Ne nuk luajtëm shumë mirë. Ne kemi nevojë të përmirësojmë shumë gjëra për një kohë të shkurtër". Spekulimet e medias britanike janë të mëdha në lidhje me kandidaturat e mundshme për të marrë drejtimin e 3-herë kampioneve të Anglisë. "Askush te Celsi nuk është i autorizuar të flasë për cdo individ për postin e trajnerit, përvec bordit ose pronarit", - shkruhej më tej në deklaratë. Van Basten, i cili është aktualisht trajneri i Kombëtares holandeze, ishte ulur pranë Abramovicit në ndeshjen e humbur nga Celsi në "Old Traford".
ARNESEN - Por me sens krejt të kundërt ishte lajmi i agjencisë franceze të lajmeve, AFP, që e shef të sigurt Van Bastenin si pasuesin e Hoze Murinjos, duke theksuar se klubi londinez me mohimin e zërave thjesht synon dhënien fund të thashethemeve. Gazeta angleze "The Sun" raportoi se miliarderi rus tashmë ka lidhur një kontratë me holandezin Van Basten. Prania e Van Bastenit, i cili u ul pas Abramovic në vendet VIP, është edhe argumenti kryesor mbi të cilin mbështetet tabloidi britanik. Lidhja sipas "The Sun" është realizuar me ndërmjetësinë e shefit të ekipit të të rinjve të Celsit dhe kreut të operacioneve të zbulimit të talenteve, holandezit Frank Arnesen.
KAPELO - Lajmi konfirmohet edhe nga trajneri italian Fabio Kapelo, ish-trajner i Milanit, Juventusit dhe Realit të Madridit. "Arnesen dëshiron që Van Basten të marrë Celsin dhe tashmë e ka rekomanduar Markon te Abramovici. Franku dhe Marko e njohin njëri-tjetrin shumë mirë qysh nga koha e tyre në futbollin holandez".
VAN BASTEN - Në letër, Van Basten mund të jetë një trajner ideal për Celsin. Statusi i tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në botë mund të joshë fansat e revoltuar të Mourinjos, ndërsa rezultatet e tij si trajneri i Kombëtares holandeze mund të sjellë futbollin tërheqës e sulmues që Abramovic dëshiron. 42-vjecari ka një kontratë që përfundon deri në fund të finaleve të Euro 2008 dhe pozita e ekipit të tij në Grupin G (ku merr pjesë edhe Shqipëria) e lejon Holandën të shpresojë të marrë pjesë në finalet e Kampionatit Europian.