Maldini: “Dua Championsin e gjashtë”

Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, është duke shpresuar se do ta përfundojë në mënyrë të jashtëzakonshme karrierën e tij të gjatë në futboll, duke ngritur për herë të gjashtë Ligën e Kampioneve majin e vitit të ardhshëm. Kapiteni i kuqezinjve ka vendosur të tërhiqet në fund të këtij sezoni pas një cerekshekulli si lojtar i Milanit. Mbrojtësi i njohur bëri debutimin e tij me Milanin në janar të vitit 1985 dhe deri tani ka regjistruar më shumë se 800 ndeshje. "Të fitoj për herë të gjashtë Ligën e Kampioneve do të jetë një ëndërr", - tha 39-vjecari për sitin zyrtar të UEFA-s, uefa.com. "Është një nga objektivat e mi dhe unë do të luftoj ta përmbush atë në sezonin tim të fundit. Liga e Kampioneve përfaqëson trofeun më prestigjioz për një futbollist europian, prandaj unë dëshiroj të mbyll karierën duke e fituar këtë trofe".
Maldini pohoi se ndihet krenar që u vlerësua si "Mbrojtësi i vitit" në galanë e ndarjes së cmimeve të vendosur nga UEFA në Monako gjatë muajit të kaluar. "Dua të them se isha pak i surprizuar pasi duhet të kisha bërë një sezon më të mirë", - pranoi Maldini. "Megjithatë, fakti që ne fituam trofeun e Ligës së Kampioneve sigurisht që më ndihmoi të fitoja këtë cmim. Duke qenë se nuk e kisha fituar kurrë më parë, jam tepër krenar ta marr atë në moshën 39-vjecare". Gjatë karrierës së tij të shquar, Maldini ka fituar shtatë kampionate, pesë Liga Kampionësh, dy Kupa Bote Klubesh dhe një Kupë Italie. Maldini mban gjithashtu edhe rekordin me Kombëtaren italiane me 126 ndeshje. Mbrojtësi italian ka luajtur në katër kampionate botërore dhe tre kampionate europiane dhe është padyshim një nga mbrojtësit më të mirë të gjeneratës së tij.