E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplina e ashpër, e pëson Elbasani e Famurtari

720 mijë lekë është shumë e gjobave që vendosi Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pas vendimeve të marra për dukuritë dhe incidentet e ndodhura në fundjavën e kaluar në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Kategorisë Superiore.
SUPERLIGA
KF "Elbasani" për hedhje të sendeve të forta në fushë me dëmtim të gjyqtarit e ofendim të drejtuesve të klubit kundërshtar, u dënua me 300.000 lekë gjobë. Lojtari i KF "Elbasani" Aldo Bello për goditje me grusht të kundërshtarit u dënua me pesë ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë gjobë. Drejtuesit e KF "Flamurtari", trajneri Eqerem Memushi, zëvendëstrajneri Ardi Behari e shefi i klubit Geri Cipi për hyrje në fushën e lojes pa lejen e gjyqtarit dhe protesta ndaj veprimeve të gjyqtarit (Jareci) u dënuan respektivisht Ardi Behari me një ndeshje pezullim nga drejtimi i ekipit, Eqerem Memushi e Geri cipi me nga 30.000 lekë gjobë secili. KF "Flamurtari" për hedhje të sendeve të forta në fushë e ofendim të gjyqtarit nga publiku u denua me 100.000 lekë gjobë.
Lojtari i KF "Besëlidhja" Gilson Da Silva për xhest fyes ndaj publikut u dënua me 30.000 lekë gjobë.
INFERIORET
Edhe kategoritë inferiore nuk shpëtuan nga ndëshkimet. Lojtari i KF "Pogradecit", Fabian Molla, për goditje me grusht të kundërshtarit u dënua me pesë ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë gjobë. Trajneri i Sopotit, Luan Deliu, për hyrje në fushën e lojës pa leje të gjyqtarit e ofendim të gjyqtarit u dënua me një ndeshje pezullim nga drejtimi i ekipit dhe 30.000 lekë gjobë. Lojtari i Sopotit, Mario Kocia për ofendim të gjyqtarit u dënua me një ndeshje pezullim dhe 30.000 lekë gjobë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›