Zhgënjen Partizani, Dinamo me shenjën “+”

Rekordmeni i Kupës së Shqipërisë, Partizani, ruan ende shpresa për një kualifikim të mundshëm në gjysmëfinalet e kupës, kjo falë golit të realizuar me kokë nga mesfushori shkatërrues Bledar Devolli në minutën e 89-të në humbjen 3-1 me Dinamon në "Selman Stërmasi", në një takim ku pati jo pak nota nervozizmi dhe katër kartonë të verdhë (kjo falë edhe bujarisë së gjyqtarit Jareci).
KONTRAST I KUQ
I mësuar me tapetin e "Qemal Stafës", atje ku mposhti 10 ditë më parë Dinamon, duket se stadiumi i dytë i kryeqytetit i "zë" lojtarët, pasi edhe në ndeshjen e parë kundër Dinams në kampionat, Partizani humbi 2-0. Partizani, që të shtunën dhuroi një shfaqje të madhe futbolli dhe karakteri në fitoren 4-1 me Tiranën në "Qemal Stafa", ishte tërësisht i zbehtë dhe pa karakter në lojën e tij, kjo edhe për shkak se Dinamo, tashmë në duart e Ilir Dajës realizoi shumë shpejt.
ISHI-ALLMUCA
Golin e parë për "blutë" e ralizoi ish-mesfushori i Partizanit, Ilgi Allmuca, i cili i gjendur në zonën e vogël në kohën e duhur dhe në vendin e duhur mposhti Shehin në minutën e 5-të, edhe për një pakujdesi fatale të mbrojtjes së Partizanit. Allmuca, një ish-lojtar kampion i Tiranës, po shfaqet kështu në rolin e një goleadori, duke marrë parasysh edhe dy golat në fitoren 2-0 të Dinamos në kampionat.
MAGJIA "KOTORI"
Partizani ishte dy herë pranë golit. Muzaka ekzekutoi mjeshtërisht një goditje të lirë ballore nga 17 metra, por Kotori, portieri më i mirë i kampionatit grushtoi mjeshtërisht. Në të 29', meshushori i avancuar, Elis Bakaj u ndodh befasisht në zonën e vogël dinamovite por gjuatja diagonale e lojtarit të Kombëtares, u devijua me një hedhje në esktrem të portierit dinamovit.
RIKTHIMI I PEJIC
Sulmuesi Pero Pejic, në krizë goli në kampionat, por jo në kupë ishte në një ditë shumë të mirë në terrenin rrëshqitës të "Selman Stërmasit", ku shirrat e rrëmbyshëm përpara fillimit të ndeshjes nuk e ndalën galopimin e gjigandit kroat. Në minutën e 31-të Pejic u bë "maja" e një aksioni të shpejtë të Dinamos, por kroati rrëshqiti në momentin e fundit brenda zonës, pavarësisht se ai i kërkoi gjyqtarit Jareci të akordonte penallti. Gjithsesi, Pejic, i mbështetur fuqimisht nga mesfusha "blu" arriti të mbyllte pjesën e parë 2-0, kur në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë realizoi me një gjuajtje të prirët.
ZËVENDESIMET E LIKËS
Trajneri i Partizanit kuptoi qartë se lojtarëve të tij u mungonte forca e duhur për të qenë agresivë dhe në fillim të pjesës së dytë hodhi në fushë sulmusin Malindi në vend të Abilaliajt dhe Karapicin në vend të kapitenit Dhëmbi (në ditë të errët dhe me karton të verdhë në këtë takim).
GAFA E SHEHIT
Kur pritej që Partizani të shkurtonte diferencën erdhi edhe goditja e tretë. Ishka goditi nga larg, ndërsa portieri i Partizanit, Orges Shehi nuk arriti ta zotërojë sferën, që pasi u përplas në duart e gjoksin e tij, devijoi drejt shtyllës për të përfunduar në rrjetë në minutën e 68-të.
GOLI I NDERIT
I ndodhur befasisht në disavantazh 3-0 dhe thuajse i skualifikuar, Lika e orientoi skuadrën totalisht drejt sulmit, dhe në një prej aksioneve të shumta të 20 minutave të fundit gjirokastriti Devolli shënoi edhe golin e nderirt për Partizanin pesë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt dhe katër minutave të kohës shtesë.
DREJT GJYSMËFINALEVE
Dinamo duket më afërt drejt pjesëmarjes për herë të 30-të gjysmëfinale, ndërkohë që Partizani për të marrë pjesë për të 32-n herë në katër më të mirat e vendit duhet të fitojë pas një jave në "Qemal Stafa" me një diferencë tre golash.
SHENJA "+" E DINAMOS
Kjo ishte ndeshja e 36-të midis këtyre skuadrave në Kupën e Shqipërisë, ku "pjata" fitoreve anon nga Dinamo, me 18 të tilla, kundrejt 11 të Partizanit (7 barazime) në 23 edicione ku ato janë përballur. Edhe kualifikimet kanë shenjën "+" për Dinamon: 11, kundrejt 10 të Partizanit.
Dinamo-Partizani 3-1
Golat: Allmuca 5', Pejic 45+2', Ishka 68' / Devolli 89'