Disiplina kërcënon Shabën: Provat ose gjobë për shpifje!
Komisioni i Disiplinës vijon me dorë të hekurt me gjoba dhe pezullime të larta, trajneri i Himarës përjashtohet 2 vjet
Komisioni i Disiplinës edhe në mbledhjen e djeshme ka vepruar me dorë të hekurt, duke mos u kursyer në gjoba me vlerë të lartë monetare, por edhe me pezullime. Pas ndeshjes Kastrioti-Vllaznia, i fituar 2-1 nga krutanët, administratori i klubit shkodran, Kujtim Shaba, në deklaratën e tij për mediat ka akuzuar gjyqtarin Albano Janku dhe anësorin Arben Pregja si më të korruptuarit, madje ai pretendon se ka edhe fakte.
Komisioni në përfundim të mbledhjes i ka vënë kusht administratorit Shaba që të jetë prezent në mbledhjen e radhës që do të kryejë komisioni, ku ai duhet të paraqesë faktet që pretendon. Në të kundërt Kujtim Shaba do tu nënshtrohet dënimeve, që vijnë nga nenet përkatëse, që kanë të bëjnë me shpifje.
Pra, administratori i shoqërisë aksionare Vllaznia sh.a. ndodhet para provës të së vërtetës, ku mbetet për të parë nëse akuzat e tij do të faktohen, apo do të mohohen. Kur mohohen, pa dyshim fajtor bëhet media, duke përdorur postulatin e justifikimit: Trillime mediatike. Tomori vijon ta pësojë nga tifozët e tij, që e ndjekin nga java në javë, ku sjellja e tyre jokorrekte në transfertën e Peqinit i kushton klubit beratas 150.000 lekë gjobë.
Aktin Da Silva, e pëson Soza. Pjesë e kësaj mbledhjeje ka qenë edhe sjellja e pahijshme e lojtarëve në ndeshjen Teuta-Bylis. Nga pamjet televizive u pa qartë që Shaqir Stafa i Teutës pështyu lojtarin e Bylisit, Denis Viano Da Silva, gjest të cilin e bën edhe braziliani ndaj lojtarit durrsak.
Por Disiplina për këtë rast ka dënuar brazilianin tjetër të Bylisit, Genivaldo Soza, në vend të Da Silvës. Nuk dihet se ku është bazuar Komisioni i Disiplinës tek pamjet televizive, apo në raportin e pasndeshjes së zyrtarëve. Gjithsesi, për këtë gjest Stafa dhe Soza janë dënuar me nga 6 ndeshje pezullim, si dhe janë gjobitur me nga 100.000 lekë secili.
Birçe pezullohet dy vjet Rëndë e ka pësuar edhe trajneri i Himarës, Luan Birçe, i cili në ndeshjen Himara-Butrinti, goditi gjyqtarin anësor. Për këtë veprim trajnerit Birçe nuk i lejohet të marrë pjesë për dy vjet në asnjë lloj aktiviteti futbollistik, si dhe është gjobitur me 250.000 lekë. Por edhe klubet e Himarës dhe Butrintit janë ndëshkuar me nga 150.000 lekë gjobë për shkak të sjelljes së tifozëve.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
- Himara, për sjellje të gabuar të tifozëve dhe hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës, dënohet me 150.000 lekë gjobë.
- Butrinti, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës dhe sjellje të gabuar të tifozëve, dënohet me 150.000 lekë gjobë.
- Trajneri i Himarës, Luan Birçe, për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 24 muaj pezullim nga pjesëmarrja në aktivitetet sportive, si dhe 250.000 lekë gjobë.
- Lojtari i Bylisit, Genivaldo Soza, si dhe lojtari i Teutës, Shaqir Stafa, për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit (për pështyrje), dënohen secili me nga 6 ndeshje pezullim nga aktivitetet sportive, si dhe 100.000 lekë gjobë.
- Tomori, për sjellje të gabuar të tifozëve me thirrje ofenduese ndaj zyrtarëve të FSHF-së, dënohet me 500.000 lekë gjobë.
- Lojtari i Sopotit, Xhejsi Koçi, për pështyrje të zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 24 muaj pezullim nga pjesëmarrja në aktivitetet sportive, si dhe me 250.000 lekë gjobë.
- Domosdova, për goditje të zyrtarit të ndeshjes nga ana e spektatorëve dhe ndërprerje të takimit, dënohet me 6 ndeshje pezullim të fushës nga aktivitetet futbollistike, si dhe 400.000 lekë gjobë.
- Pashtriku, për hedhje të sendeve të forta në fushë nga ana e spektatorëve, pa shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, dënohet me 60.000 lekeë gjobë .
- Lojtari Pashtrikut, Ardian Meraj, për fyerje të zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktivitetet sportive, si dhe 20.000 lekë gjobë .
- Lojtari i Elbasanit, Ardi Sekseni, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit pas mbarimit të ndeshjes, dënohet me 5 ndeshje pezullim me kusht, si dhe 50.000 lekë gjobë.
- Zyrtari i Vllaznisë, Kujtim Shaba, në lidhje me deklarimet në shtypin e shkruar, që kanë të bëjnë me pretendimet për parregullsi në gjykim, ftohet që në mbledhjen e radhës së Komisionit të Disiplinës të paraqesë faktet, që pretendon se disponon për akuzat që ngre. Në rast të kundërt do të jetë subjekt i procedimit nga ana e Komisionit te Disiplinës.
