Kuzhe: Nuk më qetëson mungesa e Benzemasë dhe e Riberisë
Kam simpati për Bosnjën, por në Francë luajmë për vete, jo për boshnjakët. Franca nuk e vendos të ardhmen time
Pas asaj analize të thellë që u bëri eliminatoreve, duke pranuar se ka bërë disa gabime në zgjedhje, Kuzhe ndoshta ka dashur të pranojë që cikli i tij është mbyllur. Madje edhe në konferencën e djeshme për shtyp ai është munduar ta shmangë lidhjen e rezultateve të ndeshjeve të radhës me të ardhmen e tij. Në prag të ndeshjes së kthimit me Francën, ku nuk ka çfarë të humbasë, kroati mund të bëjë diçka të bukur me Shqipërinë, qoftë me lojtarët e rinj dhe pa shumë eksperiencë.
Mister, për fat të keq, Shqipërisë do ti mungojnë disa titullarë, por edhe Franca ka mungesa të rëndësishme?
Jam i lumtur që nuk luajnë Riberi dhe Benzema, por jo i qetë, pasi ata kanë lojtarë të shkëlqyer. Unë kam parë 10 ndeshje të Francës dhe ata kanë aktivizuar 25 lojtarë. Të më pyesësh se cilin nuk do të doja që të luante, nuk do të jepja një përgjigje të saktë. Nëse shohim dy ndeshjet e fundit, kundër Rumanisë ata kishin 5 lojtarë të tjerë në formacion, ndryshe nga ne. Për ata Bosnja është ndeshja më e rëndësishme, ndaj edhe aty do të përqendrohen. Nëse ata do të zgjidhin për të aktivizuar Riberinë ose Benzemanë, do ta bënin kundër Bosnjës, jo ndaj nesh.
A prisni reagim nga skuadra pas humbjes me Luksemburgun dhe a keni besim për rezultat pozitiv?
Sigurisht që pres reagim pas humbjes me Luksemburgun. Gjatë këtyre ditëve kemi bërë përgatitje psikologjike, që ka të bëjë më shumë me motivimin dhe me besimin. Motivimi është ai i duhuri, pasi është një ndeshje që nuk e luan shpesh në karrierë. Besimi nuk ka të bëjë vetëm me përballimin e kësaj ndeshjeje, por për të shkuar për të luajtur si të barabartë.
A ju kanë kërkuar boshnjakët që ti bëni favor duke ndalur Francën?
Më telefonojnë shumë gazetarë nga Bosnja dhe më kërkojnë nëse mund të bëj diçka për ta. Unë u kam thënë se në këtë moment as më shkon në mendje për ta, por mendoj për Shqipërinë. Sigurisht që smund ta fsheh sipmatinë që kam për Bosnjën, sepse është pjesë e futbollit të ish-Jugosllavisë. Më shumë simpati kam për ta sesa për Francën.
A mendoni se është pozitiv fakti që Shqipëri do të luajë pa presionin e rezultatit?
Besoj se është kështu. Me Francën do të jetë një ndeshje e veçantë. Është një ndeshje e madhe, një stadium i madh, atmosferë e mirë, lojtarë të mëdhenj. Sigurisht që ka emocione, por këto emocione duhet ti shërbejnë motivimit.
Po për të ardhmen e Kuzhes sa ndikon kjo ndeshje?
Çdo ndeshje influencon për të ardhmen time. Jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë emocional. Pas disa vitesh, kur të kthej shiritin e kujtesës, do të ketë vend edhe për këtë përballje me Francën. Por, nëse tani më thoni se kjo ndeshje do të luhet edhe për të ardhmen time, unë ju them se nuk është kështu. Tani mendoj vetëm për të bërë një ndeshje të mirë, jo për të ardhmen.
Franca do të ketë mungesa në mbrojtje, Sanja, Abidal?
Është e vështirë të analizosh një kundërshtar që ka mungesa. Përgjithësisht, ata janë shumë të mirë. Për ndeshjen kundër nesh në Paris, nëse nuk luan Riberi, ata humbasin një individ shumë të mirë në sulm dhe kjo mund të na lejojë të mbrohemi më mirë. Por në mbrojtje, nëse thoni që mungojnë Sanja dhe Abidal, nuk është një humbje e madhe, pasi ata nuk e kanë pasur Abidalin, ose e kanë spostuar në qendër me Kabulin.
Sa pikë mendonit se mund të grumbullonit në fillim të eliminatoreve?
Nuk kam bërë llogari sesa mund të grumbullonin, por kam menduar se çfarë mund të bënim në tërësi. Ne nuk donim vetëm të ishim pjesëmarrës në këto kualifikime, por edhe të rëndësishëm, të bënim rezultate më të mira, të fitonin ndeshje, të mundnim ndonjë kundërshtar të fortë si Francën, Bosnjën apo Rumaninë. Edhe një trajner mendon në mënyrë irreale ndonjëherë.
Unë nuk mund tju them se ëndërroja që të kualifikkohesha për në europian, por ëndërroja që të arrija rezultate të mëdha që të vlenin për të ardhmen. Në shoqërinë e futbollit do të doja të flisnin më shumë për Shqipërinë. Sepse sjellja ndaj Shqipërisë nuk është korrekte. Shikoni gjyqtarët sesi na trajtojnë.
Nuk na respektojnë si vendet e tjera. Megjithatë, ne kemi ndryshuar diçka, sepse e kemi lëvizur disi Shqipërinë në renditjen e FIFA-s, por edhe në publicitet. Unë jetoj në Kroaci dhe njerëzit më flasin për Shqipërinë. Kjo më bën të lumtur, por do të isha akoma më i lumtur nëse gjithandej do të flisnin kështu.
Menez: Të bazohemi në pasurinë e grupit
Jeremy Menez nuk është i shqetësuar para ndeshjeve kundër Shqipërisë dhe Bosnjë- Hercegovinës, pavarësisht nga mungesat e rëndësishme, si Benzema, Riberi, Matuidi, Sagna, Abidal dhe Gameiro. “Ne duhet ti marrim këto dy ndeshje me qetësi të madhe, sepse jemi të aftë ti kalojmë me sukses. Janë dy hapat e fundit të maratonës kualifikuese, që vlejnë tërë edicionin, ndaj rëndësia e tyre dihet mirë nga të gjithë. Pavarësisht nga mungesat që kemi, tifozët dhe trajneri duhet të kenë besim në këtë grup, sepse mbart në vetvete shumë cilësi, – tha mesfushori i Paris SG.
Blutë duhet të bëjnë pa Karim Benzemanë dhe Frenk Riberinë, dy lojtarë liderë te Franca, që vlerësohen shumë nga Menez. “Është e qartë, ne kemi humbur dy lojtarë të mëdhenj për këto dy ndeshje delikate. Megjithatë, shpresoj që kjo të mos ndihet, sepse Franca ka një grup të mirë lojtarësh, që do ti zëvendësojë më së miri ata.
Ne duhet ta ndërtojmë strategjinë e lojës sonë mbi pasurinë e grupit, jo të individëve. Personalisht mendoj se i kemi të gjitha kartat në duar për ti fituar dy kualifikueset e fundit në grup. Luajmë këtu, para tiofozëve tanë, jemi një ekip i madh, kështu që gjithsecili duhet të ketë besim te ky grup,” përfundon Ménez.
Réveillère: Shqiptarët luajnë mirë me shkelma!
Ashtu si për shumë lojtarë në ekipin kombëtar të Francës, eliminimi i bluve për në Botërorin 94 nga Bullgaria, mbetet një kujtim i fëmijërisë edhe për Anthony Réveillère.
Por një kujtim i keq sështë mirë të risillet në kujtesë para momenteve decizive. Të tilla janë edhe dy ndeshjet në seri, kundër Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. “Po…, unë isha 14 vjeç dhe e kam parë ndeshjen me Bullgarinë në televizion. Çdo gjë mund të ndodhë, kjo është bukuria e futbollit! Nuk ke asgjë të sigurt deri në sekondën e fundit. Megjithatë, në këto moment dua të kujtoj anën e ndritshme të kombëtares sonë.
Jemi në një pozitë komode në grup, gjithsesi preferoj lajme të mira në këto dy ndeshje,” thotë mbrojtësi i Lionit, i cili, duke e njohur palën kundërshtare të radhës, Shqipërinë, shton se do të jetë e vështirë: “Nuk duhet ta marrim lehtë Shqipërinë. Ajo kombëtare di si të shkojë përpara, kur është e nevojshme.
Në qoftë se shqiptarët nuk duan të marrin diçka në ndeshjen me ne, nuk do të vinin fare. Pra, nuk vijnë të dorëzuar në Francë, kjo është e sigurt. Do të mbyllen mbrapa, për të mos pësuar, kështu që duhen gjetur zgjidhje për këtë. Cilat mund të jenë ato? Franca duhet të jetë e durueshme. Të mos bjerë pre e kundërshtarit, sepse shqiptarët luajnë mirë edhe me shkelma.