E Hënë, 2 Nëntor 2026

Disiplina shtyn vendimin për “Cërrikun”

19/05/2005  Drejtuesit e Turbinës dhe Burrelit do të ballafaqohen sot, së bashku me arbitrin e ndeshjes, vëzhguesin dhe të deleguarin e FSHF-së

E shumëpritur si një nga çështjet më të nxehta të javës së fundit të Kampionatit Shqiptar të Futbollit, incidentet dhe dhuna e parë në stadiumin e Cërrikut, gjatë ndeshjes Turbina-Burreli nuk kanë marrë ende përgjigje. Komisionit të Disiplinës, të mbledhur dje në ambientet e FSHF-së, nuk i kanë mjaftuar provat materiale të paraqitura dhe koha në dispozicion. Anëtarët e këtij komisioni kanë vendosur në fund të mbledhjes që ta shtyjnë vendimin për ditën e sotme. Kjo, për arsye se në organin më të lartë të futbollit në vendin tonë priten të mbërrijnë palët e përfshira, polemika me akuza dhe kundërakuza, të cilat gjithashtu do të ballafaqohen rreth orës 11.00, edhe me arbitrin e ndeshjes, vëzhguesin dhe të deleguarin e FSHF-së. Këta të fundit janë “dëshmitarët” kryesorë prezent në këtë takim, të cilët mund të vërtetojnë atë që ka ndodhur në Cërrik, në ndeshjen e të dielës së fundit, mes Turbinës dhe Burrellit, e vlefshme për skuadrën që do të luftojë për t’u ngjitur në Kategorinë e parë. Po ashtu, një tjetër çështje e prekur në Komisionin e Disiplinës, të mbledhur për të shqyrtuar anomalitë më të fundit në hasura në futbollin tonë, ka qenë dhe përfundimi i hidhur i takimit të Ligës Superiore mes Laçit dhe Vllaznisë. “Viktima” të vendimeve kanë qenë Bledar Ceku, Argjend Gjinaj dhe Admir Teli. Futbollisti i Laçit, Bledar Ceku, për goditje ndaj kundërshtarit në lojë të ndaluar, dënohet me tetë ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike të FSHF-së. Ndërsa, futbollistët Admir Teli i Vllaznisë dhe Argjend Gjinaj i Laçit, pezullohen nga katër ndeshje secili, nga aktivitetet futbollistike në bazë të rregullores së futbollit. Ndërsa vendimet e tjera kanë qenë: Në ndeshjen, Vllaznia-Dajti U-17, për mosparaqitje të ekipit Dajti U17 në ndeshje, ky ekip humbet ndeshjen 2-0 dhe i hiqen tri pikë nga pikët e grumbulluara. Në ndeshjen Maliqi –Albpetrol, futbollisti Enea Gropa, për goditje me grusht të arbitrit, dënohet një vit dhe gjobitet 200.000 lekë. 3. Futbollisti Sajmir Hysa i Erzenit dënohet me 5000 lekë gjobë, për tentativë goditjeje të kundërshtarit dhe lojë të rrezikshme. Të gjithë të prekurit ngavendimet e mësipërme të Disiplinës kanë të drejtën e ankimimeve brenda pesë ditëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›