E Hënë, 2 Nëntor 2026

Finalja, “plagë” e vjetër në realitet të ri

19/05/2005  Dje finalja e Kategorisë së Parë, më shumë se fitorja nga Skënderbeu, tregoi edhe plagët e “vjetra” të futbollit tonë

Çfarë ishte futbolli i djeshëm në Elbasan, një ndeshje futbolli apo ring e infermieri?!

Të themi një finale e “shpifur”

U nisëm me kënaqësi nga Tirana, për të thyer “monotoninë” e ndeshjeve të Kategoriës Superiore, drejt finales së titullit në Kategorinë e Parë. Dhe ishin dy skuadra “veterane”, Besa dhe Skënderbeu, që në ftonin në sofrën e jeshiltë të stadiumit “Rruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, me “magjitë” që kishin kurdisur për të fituar seicili ndeshjen. Ky mendim na shoqëroi deri në stadium, atje ku festa në shkallët e tifozëve u “pasurua” edhe me 1 mijë kopje të gazetës “Metropol Sport”, ku flitej gjerësisht për këtë ndeshje finale. Do të ishte shumë bukur që të vazhdonim me të njejtat fjalë, por ndeshja në 100 minutata e saj, dha një imazh krejt tjetër. Të vjen keq ta thuash atë që ke parë me sytë e tu, por duke thënë një realitet, atje nuk mund të pretendosh fare se luhej futboll nga dy skuadra kryesuese. Vetëm të Kategorisë së Parë nuk mund t’i quaje dje Besën e Skënderbeun, në finalen më të “shpifur” për nga niveli i lojës që mund të jetë zhvilluar në këto vitet e fundit. Kush ishin më të veçantat e “shpifura” të finales? Ishin shumë, madje nuk mund t’i numërosh dot të gjitha, por që disa prej tyre ishin më të spikatura, natyrshëm që do të “pushtojnë” mendimet e këtij komenti. Ndeshja filloi me përqafime, dhe vazhdoi me shkelma, grushta e gjakosje, duke mos i dhënë aspak imazhin e një finaleje të dy skuadrave që kanë siguruar Superioren. Por lajmi tjetër më i rëndësishëm, i cili lidhej me shpërblimin prej 50 mijë euro për fituesin, me sa u pa, e shpërfytyroi këtë takim. Fillojmë me të parin: Minuta e 10-të e penalltisë në favor të korçarëve ju dha futbolliustëve të Besës një irritim aq të madh sa kaloi të gjitha caqet e kundërshtimit të një gjyqtari. Por çfarë u vendos? Normalisht në një penallti të dukshme ajo do të ekzekutohej, dhe kështu u bë, por nga ky moment shkelmi e shpesh brylat e grushtat në fytyrë u bënë të “modës” e kryesisht nga skuadra më pak e përgatitur fizikisht për këtë derbi, Besa. Jo se korçarët nuk i përdorën ato, por se në pjesën e parë ata luajtën më mirë dhe më të fortë fizikisht. I dyti: Në fillimin e pjesës së dytë gjyqtari kryesor jep një gol për Besën, por nuk e kishte parë flamurin e gjyqtarit anësor që ishte ngritur më parë lart, e që sinjalizonte një pozicion jashtë loje apo lojë të parregullt ndaj portierit të Skënderbeut. Ky ishte momenti më i ashpër ku kavajasit e shkelmuan gjyqtarin anësor, por edhe kryesorin, në ditë me diell, dhe aq më shumë, në prezencën e drejtuesve kryesorë të FSHF-së që ishin të pranishëm në tribuina por edhe në pistën e stadiumit “Rruzhdi Bizhuta”. Duke mos u zgjatur më tepër, gjatë gjithë lojës, ajo më shumë u zhvillua e rëndë, ku futbollistët shtriheshin në fushë gjithmonë në përplasjet dyluftuese midis tyre, ku për çdo ndërhyrje kërkohej goditje e lirë e karton, thuajse futbollistët ishin gjyqtarët e ndeshjes. Pra, këtu nuk u luajt futboll normal, sepse në pjesën e parë u zhvilluan vetëm 21 minuta lojë efektive, në pjesën e dytë vetëm 16 minuta lojë efektive. Në pjesën e parë u dhanë 36 goditje dënimi, ndërkohë që në pjesën e dytë 42 goditje dënimi. Kaq është mjaft për të kuptuar anët më të dobëta të finales Besa - Skënderbeu, dhe përfundimisht shtrohet pyetja: Çfarë ishte futbolli i djeshëm në Elbasan? Ky koment “gërvisht” aty ku “dhëmbi” në Elbasan, por një përgjigje duhet ta japin drejtuesit e FSHF-së, gjithmonë për të përmirësuar gjithçka të keqe që dha kjo finale e “shpifur”, por që u fitua nga skuadra e Skënderbeut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›