E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Më sillni një lajm për djalin e humbur”

19/05/2005  Djali në vitn 1991 vetëm 13 vjeç, i zhdukur prej 14 vjetësh

Zhdukja e Lorencit i ka shkaktuar një dramë që e ka vështirë ta tejkalojë. Aktualisht jeton me djalin tjetër, Vangjushin, 43 vjeç, por edhe ai është i sëmurë. Gjithë të ardhurat e tyre përbëhen nga pensioni i Marikës dhe kempi i Vangjushit. Bashkëshorti i 65-vjeçares vdiq 5 vjet më vonë nga humbja e Lorencit, pa mundur të dëgjojë një lajm për të birin.

KORÇE - Një nënë nga Korça, e quajtur Marika Kaçaj, ka 14 vjet që kërkon djalin e saj të humbur. Biri i saj, atëherë 13 vjeç Lorenc Kaçaj u nis drejt Greqisë në 18 janar të vitit 1991 dhe që prej asaj dite nuk erdhi asnjë lajm se ç’ndodhi me të.

Varfëria e familjes Kaçaj ndihet që në momentin e parë që hyn në banesë. Marika Kaçaj, tashmë 65 vjeçe, ka vite që është e sëmurë. Zhdukja e Lorencit i ka shkaktuar një dramë që e ka vështirë ta tejkalojë. Aktualisht jeton me djalin tjetër, Vangjushin, 43 vjeç, por edhe ai është i sëmurë. Gjithë të ardhurat e tyre përbëhen nga pensioni i Marikës dhe kempi i Vangjushit. Bashkëshorti i 65-vjeçares vdiq 5 vjet më vonë nga humbja e Lorencit, pa mundur të dëgjojë një lajm për të birin.

Djali

Kur hyn në shtëpinë e kësaj nëne dhe pyet për historinë e djalit të saj, sheh vetëm lotë që rrëshqasin nga sytë e Marikës, duke lënë shenjat e dhimbjes mbi mollëzat e saj.

Me një ikonë të Shën Mërisë të shtrënguar fort pas gjoksit, mes qirinjve të ndezur, gati në çdo kohë, të tregon se si në një ditë të ftohtë dimri, djali i saj, Lorenci, nuk kishte shkuar në shkollën “Naum Veqilharxhi”, ku vazhdonte klasën e shtatë, por ishte nisur drejt Greqisë për të punuar.

“Ishim të varfër, thotë Marika, dhe djali ynë e ndjente këtë çdo ditë. Në oborrin e shkollës ndoshta ishte i vetmi fëmijë që nuk blinte dot një çokollatë apo biskotë. Megjithatë, ai kurrë nuk ankohej, por e ndjeja se ai vuante mjerimin e madh të familjes. Ishte një fëmijë i mrekullueshëm. Nuk na tha asgjë se do të shkonte në Greqi”, tregon nëna mes lotëve.

Ikja

“Më vonë mësuam se ishte nisur bashkë me katër shokët e klasës”, vazhdon rrëfimin nëna.

Ndërsa ata kishin treguar në familjet e tyre, Lorenci kishte thënë se, do t’i lajmëroi prindërit me të mbërritur në Greqi. “Fatkeqësisht ai nuk arriti dot atje, nuk e dimë se ku mbeti. Ndoshta na e rrëmbyen djalin, ndoshta na e vranë, ndoshta është akoma i gjallë, por në që atëherë, thotë Marika, nuk kemi patur asnjë lajm”.

Duke u ndalur në rrëfimet e shokëve, nëna tregon më tej, për vështirësitë e udhëtimit të djalit.

“Shokët e tij na treguan se kishin arritur deri në vijën e kufirit, por disa ushtarë kishin qëlluar me armë dhe fëmijët ishin trembur. Për këtë arsye kishin ndërruar drejtim dhe kishin dalë në fshatin Kristalopigji të Greqisë. Atje arritën 4 shokët e tij, por ai nuk mundi t’i ndjekë shokët. Lorenci, thotë Marika, ishte i dobët, nuk kishte shumë fuqi. Lodhja e ndau nga shokët dhe siç treguan këta të fundit, im bir u kthye në një stan grek, ku ishin disa barinj”.

Zhdukja

Katër shokët e tij u kthyen në shtëpi, por ai nuk ka ardhur ende. “U nisëm ta kërkonim, shkuam te stanet, por atje nuk gjetëm as djalin as barinjë, stanet ishin bosh dhe dëbora mbulonte çdo pëllëmbë të vendit. Nuk dëgjohej asnjë zë. Që nga ai çast, thotë Marika, më pushtoi tmerri, i cili nuk po më largohet edhe sot e kësaj dite. Kërkuam edhe të nesërmen, por nuk e gjeta dot tim bir”, tregon Marika.

Që atëherë këkrimet nuk kanë vazhduar, ndërsa familja i është drejtuar edhe shtetit për ndihmë.

“Kur u bindëm se ishim të pafuqishëm, kërkuam ndihmën e shtetit. Kemi vënë në dijeni të gjitha organet, policinë, prokurorinë, Avokatin e Popullit dhe deri në qeveri. Kemi kërkuar edhe ndihmën e policisë greke, por deri tani nuk na është dhënë asnjë përgjigje. Do të desha të kisha vetëm një lajm se ku mund të jetë djali im, i gjallë ose i vdekur. Do të doja ta kisha pranë trupin e tij, të kisha varrin, ku të qaja e t'i thosha se ai kishte bërë të gjitha përpjekjet për të na shpëtuar nga varfëria”, nuk e fsheh dëshirën e saj prej nëne Marika Kaçaj.

“I lutem edhe një herë drejtuesve me të lartë të qeverisë dhe shtetit të më sjellin qoftë dhe një lajm për djalin tim se më duket sikur akoma përpiqet të vijë në shtëpi, por nuk gjen dot rrugën...”, përfundon Marika.

Precedenti/ 4 shtator 2003

Zhduket fëmija 7-vjeçar

Të njëjtin fat si Lorenc Kaçaj ka patur edhe fëmmija 7 vjeç nga fshati Vidohovë i rrethit Devoll, i quajtur Albert Xhihani, i cili u zhduk misteriozisht më 4 shtator 2003. Që atëherë nuk ka patur asnjë lajm për fëmijën e humbur. Sipas dëshmisë së nënës së 7-vjeçarit, Alketa Xhihani, djali i saj kishte dalë në mëngjes për të luajtur me shokët si çdo ditë, por në drekë nuk ishte kthyer në shtëpi.

“E kërkuan po atë ditë, në çdo cep të fshatit Vidohovë, madje edhe jashtë fshatit, por fëmija ishte zhdukur pa lënë gjurmë. U vunë në dijeni të gjitha institucionet e shtetit, por edhe policia greke e Kozanit, pasi ky rajon ndodhet në kufi me Devollin, por sërish nuk pati asnjë lajm. Dihet gjithashtu se në kërkim të fëmijës u vunë edhe ushtarët grekë, por asnjë shenjë e fëmijës nuk u gjet kurrë”, tregon nëna, ndërsa Albert Xhihani vazhdon të jetë i shpalllur në kërkim.

Burimet e rekrutimit të fëmijëve për trafikim janë:

* Nga familje të divorcuara dhe me mungesë kujdesi familjar

* Nga familje me shumë fëmijë dhe në gjendje të vështirë ekonomike

* Nga familje fshatare që shpresojnë në ndihmën e fëmijëve

* Nga fëmijë të mbetur jetimë dhe pa kujdes

* Nga familje që prindërit u janë larguar për punësim jashtë shtetit

* Fëmijë që kanë braktisur shkollën dhe janë marrë me lypësi e veprimtari tjetër të kundërligjshme edhe në Shqipëri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›