E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pinë ujë me klor, helmon 20 gjimanzistë

19/05/2005  Pesë prej tyre shtrohen në spital

LIBRAZHD - Helmimi i 20 nxënësve në fshatin Zgosht, të rrethit të Librazhdit, ka shqetësuar mjaft komunitetin e kësaj zone, edhe për misterin që ka mbuluar ngjarjen. Ajo ndodhi një ditë më parë, kur disa nxënës të shkollës së mesme kanë shfaqur shenja të helmimit dhe janë shoqëruar menjëherë për në spitalin e Librazhdit, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë. Fillimisht numri i atyre që kanë shfaqur shqetësime ka qenë më se 20, por me mjekimet e para vetëm 5 kanë shfaqur shenja të rënda të një intoksikacioni, ndërsa të tjerët janë larguar nga ambientet spitalore. Mësohet se fillimisht të rinjtë janë ankuar për dhimbje barku, por më pas shenjat kanë qenë më të dukshme për një helmim.

Në shkollën ku janë regjistruar helmimet ka mbërritur një grup specialistësh nga higjiena dhe gjithashtu policia, e cila ka marrë në pyetje mësuesit dhe nxënësit e tjerë. Mësohet se të rinjtë e helmuar nuk kanë konsumuar asgjë të veçantë dhe nuk kanë marrë pjesë në ndonjë festë.

Mundësia dhe versioni, që ende është i pakonfirmuar, mbetet uji i pijshëm. Mësohet se fshati Zgosht merr ujë nga një depozitë dhe për këtë arsye sasia e klorit, ose diçka e hedhur në ujë atë ditë, mund të ketë shkaktuar helmimin. Por, kjo pritet të konfirmohet pas përfundimit të rezultateve të analizave, të cilat janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Mësohet se gjendja e të helmuarve është përmirësuar ndjeshëm, por një prej tyre është rikthyer sërish, duke vazhduar me të njëjtat shenja. Rasti në fjalë ka alarmuar banorët, të cilët kanë frikë të konsumojnë ujin e pijshëm.

Të shtruarit në spital

Luljeta Brufi, 18 vjeçe

Suela Kodraliu, 15 vjeçe

Sheqere Bogdani, 18 vjeçe

Viola Kullafi, 17 vjeçe

Florina Lala, 15 vjeçe

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›