E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pengmarrësi i kryegjyqtarit 20 ditë arrest në burg

19/05/2005  Dje masa e sigurisë

PERMET - Nuk është gjykuar ashpër nga gjykata personi që disa ditë më pare, në Përmet, u akuzua për pengmarrjen e kryegjyqtarit. Ai është mbrojtur duke i thënë trupit gjykues se nuk ka kryer asnjë vepër penale, por vetëm do të sqaronte një problem me personin, për të cilin është arrestuar.

Nga ana e saj, Gjykata e Shkallës së Parë e Përmetit vendosi dje, në mesditë, masën e sigurisë "arrest me burg 20 ditë" për 31-vjeçarin Klement Ndini, i cili akuzohet për "rrëmbim, marrje peng dhe kanosje me armë" të kryetarit të kësaj gjykatë, Astrit Shema.

Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, 31-vjeçari Ndini ka deklaruar se "doja të sqaroja me kryetarin e gjykatës disa probleme të tjera dhe jo ato që pretendon organi i Prokurorisë".

Ndini u ndalua nga policia e Permetit më 15 maj 2005, pasi akuzohet se më 13 maj ka rrëmbyer dhe mbajtur peng, përreth një orë, kryetarin e Gjykatës së Faktit, Astrit Shema.

Në një intervistë dhënë dy ditë më parë, Shema deklaroi se, “kalova një nga momentet më të vështira të jetës sime dhe nuk mund t’ia fal kurrë rrëmbyesit tim, jo faktin që vuri në rrezik jetën time, se nëse e kemi marrë përsipër këtë punë, kemi marrë parasysh edhe rrezikun, por për faktin që ai kërcënoi familjen dhe veçanërisht vajzën time për përdhunim. Këtë nuk do të jem në gjendje t’ia fal asnjëherë. Mund ta zgjidhja në shumë mënyra, por mendova se drejtësia është zgjidhja më e mirë dhe për këtë arsye iu drejtova asaj”.

Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Përmetit, u mor peng rreth orës 10.00 të ditës së premte. Atë ditë 31-vjeçari, Klement Ndina, lindur në Leskovik e banues në Përmet, është gjendur në autoveturën me targa PR 1400 B e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Përmetit, Astrit Shema. Duke i vënë një pistoletë në kokë, mes kërcënimit, pengmarrësi i ka kërkuar pengut të tij, kryegjyqtarit, që autoveturën e tij ta drejtoj përgjatë aksit rrugor Përmet–Këlcyrë. Nën kërcënimin e armës, Shema ka bërë siç i kërkoi Ndina, duke udhëtuar drejt Këlcyrës, ndërsa, të dy sërish bashkë janë rikthyer në Përmet.

Pas “çlirimit” nga pengmarrja, kryegjyqtari i Përmetit, Astrit Shema, është paraqitur menjëherë në komisariatin e policisë së Përmetit, ku edhe ka depozituar denoncimin për Klement Ndina.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›