E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskriminimi pengon anëtarësimin

16/12/2011  BE për romët

Dikasteret shqiptare duhet të tregojnë më shumë vëmendje në përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin rom e atë egjiptian. Kjo pasi përmirësimi i kushteve të jetesës ndaj këtij komuniteti është edhe një ndër kushtet e vendosura për një integrim sa më të shpejtë të vendit tonë drejt strukturave të Bashkimit Evropian. Pavarësisht masave të marra deri më tani në këtë drejtim, situata lë shumë për të dëshiruar, çka ka bërë që ndërkombëtarët sërish të kërkojnë nga institucionet që të hedhin sytë ndaj kësaj shtrese. Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, ka paralajmëruar gjatë ditës së djeshme politikën shqiptare për respektimin e të drejtave të komunitetit rom dhe egjiptian. Aksesi i pakët në arsim, në shërbime shëndetësore, në punësim dhe strehim, janë ndër problemet më të shpeshta me të cilat përballet kjo kategori. "Të gjitha vendet kandidate rriskojnë të ngadalësojnë procesin e përfshirjes në BE, nëse nuk respektojnë të drejtat themelore dhe të minoriteteve. Ai rom dhe egjiptian është një nga më të diskriminuarit dhe ka shumë më pak akses në shërbime edukative dhe shëndetësore, por dhe në punësim dhe strehim”, - thotë Pierre Mirel. Ndërsa romët kërkojnë më shumë hapësira për t’u arsimuar, egjiptianët kontestojnë procesin e censusit, ku sipas tyre u kanë ndaluar deklarimin e etnisë. Nga ana tjetër, ministri i Punës Spiro Ksera dhe ajo e Integrimit Majlinda Bregu kanë pohuar se në vitet e fundit është punuar që shumë fëmijë romë nga rruga të kthehen në shkolla, si dhe politikat e tjera në mbështetje të kësaj shtrese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›